PD: Kreu i forcave operacionale është në krye të trafikut të drogës

471
Sigal

TIRANE – Partia Demokratike ka denoncuar sot Drejtorin e Forcave Operacionale në Policinë e Shtetit Alban Ahmetaj  duke pretenduar se ai është i përfshirë në trafik droge dhe korrupsion.

Në një dalje për mediat Sekretari i Përgjithshëm i PD Arben Ristani, tha se efektivi i ndaluar pak ditë më parë Hamza Demushi për trafik narkotikësh ishte i mandatar dhe i dërguar pikërisht nga Drejtori i Forcave Operacionale.

Sipas Ristanit, Alban Ahmetaj, ka qënë i përjashtuar nga policia e shtetit, por u rikthye në detyrë nga Partia Socialiste. Në këtë drejtim, Sekretari i Përgjithshëm i opozitës i kërkoi Prokurorisë të kryejë hetimet e pa ndikuar nga Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe Kryeministri Edi Rama.

Për Ristanin, ky është një tjetër skandal, në një kohë, kur Kryetari i Parlamentit është nën akuzë për porositjen e vrasjes së dy deputetëve, dhe Kryeministri i vendit, rezulton pjesë e këtij skenari, si bashkëpunëtor, fshehës i ngjarjes dhe gjurmëve të krimit. 

Partia Demokratike bëri thirrje që qytetarët të ndalin këtë të keqe dhe të vijnë në protestën e 12 marsit në sheshin “Skënderbej” në Tiranë.  

Më poshtë deklarata e plotë për mediat e Arben Ristanit:
Inkriminimi i administratës shtetërore është shtrirë kudo, masivisht, vertikalisht e horizontalisht. Por më i dhimbshmi, është sigurisht, inkriminimi  në radhët e policisë së shtetit. Drejtori i Forcave Operacionale, është kapur së fundmi i përfshirë në korrupsion dhe trafik droge. Pak javë më parë u ndalua një nga oficerët e kësaj strukture, Hamza Demushi. Pas hetimeve, rezultoi se Demushi ishte i dërguar, i mandatuar në këtë tregti droge, nga shefi i tij, pikërisht nga drejtori Alban Ahmetaj. Ne nxisim prokurorinë të hetojë e të mos ndikohet nga presionet e Tahirit dhe Didit, pasi ky person është i afërt me ta. Alban Ahmetaj, ka qënë i përjashtuar nga policia e shtetit, por u rikthye me rilindjen në krye të strukturës më delikate të policisë së shtetit. Forcat operacionale janë përgjegjëse për mbulimin, vëzhgimin, gjurmimin me metodat speciale të hetimit. Pra kjo strukturë kryen operacionet më të rëndësishme kundër krimit e trafikut, kundër bosëve të drogës. Merreni me mend, se çfarë ndodh me trafikun e drogës, kur shefi i kësaj strukture, përgjegjësja kryesore për ndalimin e narko-trafikut, është vetë pjesë e pazareve të pisëta e të jashtligjshme. Kjo do të thotë se; banda më e rrezikshme e drogës, është në radhët kryesore të Policisë së Shtetit. Këto fakte tronditëse janë dëshmi se sa thellë ka penetruar krimi në zyrat më të rëndësishme të shtetit. Nuk ka si të ndodhë ndryshe, kur krerët e shtetit, Kryetari i Parlamentit është nën akuzë për porositjen e vrasjes së dy deputetëve, dhe kur Kryeministri i vendit, rezulton pjesë e këtij skenari, si bashkëpunëtor, fshehës i ngjarjes dhe gjurmëve të krimit. Këta të dy janë etërit e aleancës me krimin dhe të ngjitjes së krimit në majë. Shqiptarët dhe Shqipëria nuk e meritojnë këtë shkallë inkriminimi. Eshtë kjo arsyeja që rendi dhe siguria publike janë sot në ditën më të keqe. Por populli nuk do të lejojë që Shqipëria të shkojë në greminë. Ne do ta ndalim të keqen. Duke nisur nga e 12 marsi, në orën 11 në Sheshin Skenderbej.