Prof. Dr. Kastriot Islami: Reforma 100-ditëshe për muzikën që duam, me të njëjtin udhëheqës artistik

204
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Një gomar i rëndomtë s’kishte fare veshë për muzikë, por megjithatë kishte mbledhur kafshët e pyllit për të formuar një ansambël muzikor. Vetë u përcaktua drejtues i ansamblit, kompozitor e dirigjent. Në ansamblin e tij bënin pjesë ujku zullumqar, dhelpra mashtruese, hienat grabiqtare e shumë kafshë të tjera. Në një varrezë gjetën disa instrumenta të shkatërruar muzikorë dhe u pajisën secili me nga një prej tyre. Dhanë shfaqjen e parë në amfiteatrin e pyllit, që rezultoi një skifo e madhe… Kështu vazhdoi kjo histori për 3000 ditë. Gomari, drejtues artistik, sa herë që shfaqjet rezultonin skifo, sulmonte të gjithë kafshët e ansamblit për paaftësi dhe ju kërkonte reformën e rradhës, e cila konsistonte në shkëmbimin e veglave muzikore me njëri- tjetrin dhe të vendosjes së tyre në ansambël. Këto përpjekje për t’i hedhur hi syve “spektatoreve”, i bëri gomari për 8 vjet, me kafshët që i kishte përzgjedhur vetë, sipas kritereve të “mediokritetit, babëzisë dhe dhelpërimit”.

Vetë gomari drejtues, s’e kishte pranuar fajin asnjëherë, për të gjitha prezantimet skifo. Në fund, duke menduar se “spektatorët” kishin memorje të shkurtër, pra s’mbanin mend, gomari i “shkathët” bëri propozimin “gjenial”: kafshët e ansamblit kishin në dispozicion vetëm 100 ditë për reformë, duke shkëmbyer vendqëndrimet dhe veglat mes tyre. Vetëm kështu mendonte lideri do të mund të mashtroheshin “spektatorët” harraqë, duke u premtuar se këtë rradhë, do të shijonin “muzikën që duan” nga “amsambli që duan”. Por ansambli u prezantua më skifo se çdo herë tjetër më parë; sepse realisht s’mund të ndodhte ndryshe me të njëjtat kafshë që ju binin të njëjtave vegla, për më tepër që në krye, kishin të njejtin udhëheqës artistik, gomarin veshgjatë, pa veshë për muzikë. Dikush në rrjetet sociale me të drejtë do të shkruante: “Policia që deshëm” për 8 vite rresht me urdhër nga lart, na doli e pabesë, tradhtare. Madje nga lart, është zbuluar se ndryshe nga eprorët e tyre, policët qenkan të pasjellshëm, të korruptuar dhe “barkderra”. Ndërkohë, lideri global shkoi edhe më larg, duke ofenduar inteligjencën qytetare kur deklaroi se, përballë mungesës së etikës, korrupsionit dhe “barkderrësisë” të policëve të thjeshtë, qëndron madhështore etika, ndershmëria dhe eleganca e funksionarëve të lartë qeveritarë…Me këtë rast, lideri global, ka hedhur në treg idenë gjeniale: efektivët e thjeshtë të policisë, kanë plot 100 ditë për të ndryshuar “zhguallin” e për t’u kthyer në rrugën e mbarë të eprorëve të tyre… me etikë, pastërti dhe elegancë.  Si është e vërteta? Pas 8 vjet qeverisjeje dështake në të gjithë aspektet, pra pas 3000 ditëve qeverisjeje, lideri gjenial kërkon edhe 100 ditë shtesë, për të reformuar policinë që duam?! Kjo është sa për të qarë me dënesë aq edhe për të qeshur me lot.

Ali Babai me 12 “drejtuesit”, elegantë, të ndershëm dhe plot etikë, hedh në treg mashtrimin e rradhës. Kjo refomë gjeniale vjen pasi është kapur para tetë vjetësh avioni me rrotë të thyer që transportonte drogë drejt Italisë, pasi policia rrugore ka udhëhequr operacionin më të madh në Evropë për kanabizimin masiv të vendit, pasi shumë nga këta “barkderra” janë bërë deputetë, kryetarë bashkie apo drejtorë në poste kyçe, pasi kanë bashkëpunuar me prodhuesit e drogave të forta, pasi janë kapur duke blerë vota e kërcënuar votuesit, e tjerë e tjerë. E gjithë kjo reformë gjeniale, ngjan me përpjekjet e dirigjentit për reformimin e ansamblit muzikor të kafshëve të pyllit që për 8 vjet rradhazi kishin dalë skifo në “spektaklet” e tyre. Nuk ka rrugë tjetër për të mashtruar qytetarët. Liderit elegant e të “shkathët” i ka mbetur t’ju kërkojë të njëjtëve kafshë, të shkëmbejnë mes tyre vendqëndrimet dhe veglat e shkatërruara muzikore për të mashtruar “publikun”, me reformën gjeniale, se këtë rradhë do të kemi “ansamblin që duan” e kështu do të mund të dëgjojnë “muzikën që duan”. Nga i njëjti ansambël, me të njëjtët kafshë që ju bien të njëjtave vegla… dhe për më tepër, që në krye, kanë të njëjtin udhëheqës artistik, të njëjtin dirigjent, liderin plot etikë, elegant dhe të ndershëm.