PD: Ja afera e Erion Velisë me koncesionin te Parku “Rinia”

497
Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak me 30 dhjetor 2015, u miratua edhe buxheti për 2016-ën, por sipas anëtarëve të djathtë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, kryebashkiaku Veliaj, në mbledhjen e fundit, sipas tyre, janë miratuar vendime antiligjore. Në një deklaratë për media, Fabian Topollaj, anëtari i djathtë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, u shpreh se: “ “Do të padisin kryebashkiakun Veliaj për vendimet që ka marrë. Vendimi i Erion Veliajt për rritjen me 50 milionë dollarë të taksave vendore është i pavlefshëm sepse është ndërmarrë pa u dekretuar ende ndryshimi i ligjit ‎nga Presidenti i Republikës për taksat dhe tarifat vendore. Dhe miratimi i buxhetit 2016 të Bashkisë po ashtu. Afera korruptive për dhënien me koncesion të parkut Rinia për 35 vite një klienti i cili do investojë 20 milionë dollarë për ndërtimin e parkimit për të fituar mbi 500 milionë dollarë sipas planbiznesit, është e paligjshme sepse kontrata e miratuar është ajo që u la gati nga Rama dhe bazohet në ligjin e koncesioneve të vitit 2006 dhe jo 2013. Shpejtësia e miratimit të këtij koncesioni korruptiv ka bërë që të mos respektohen kërkesat bazike të ligjit në rastin e një procedurë koncensionare”. Kjo sipas tyre është është i pavlefshëm sepse ai ka kaluar në Këshillin Bashkiak pa respektuar procedurën dhe afatet ligjore. Ndaj këtyre akuzave nuk ka mbetur pa reaguar Bashkia e Tiranës, duke theksuar se buxheti i vitit 2016 parashikon zgjidhje të problemeve. Në reagimin e Bashkisë thuhet se gjatë drejtimit të këtij institucioni nga Basha nuk janë bërë investimet e duhura. “Këshilltarët Bashkiakë të Tiranës miratuan me një shumicë të cilësuar buxhetin e Bashkisë së Tiranës, për vitin 2016. 
Buxheti më i madh i kryeqytetit
Ky është buxheti më i madh që Bashkia e Tiranës ka pasur në dispozicion në historinë e saj. Nëpërmjet këtij buxheti, gjatë 2016-ës, do të fillojnë të jetësohen zgjidhjet e problemeve madhore, nën të cilat qyteti ka lënguar në 4 vitet e fundit. Këtë vit fillojmë investimin për zgjidhjen përfundimtare të shkollave me dy turne, një plagë e turpshme për kryeqytetin e vendit; i japim zgjidhje problemit të pastrimit, mbledhjes dhe depozitimit të plehrave, të cilin e gjetëm në situatë emergjence; si dhe modernizojmë dhe shtrijmë rrjetin e transportit urban në të gjithë qytetin. Buxheti i ri ndërtohet mbi një paketë fiskale të përgjegjshme, e cila ul taksat për biznesin e vogël, përjashton nga disa taksa familjet në nevojë, pensionistët dhe personat me aftësi të kufizuar. Ul me 30% taksat për njësitë administrative rurale, dhe ul me 30% taksën e tokës bujqësore për ata që e punojnë tokën. Duke mbledhur më shumë të ardhura, nga më shumë banorë, e më shumë nga ata që kanë më shumë, ky buxhet sjell zgjidhje të vështira, por të domosdoshme për zhvillimin e qytetit. Pas dy javë negociatash, Këshilli Bashkiak miratoi propozimin e Bashkisë së Tiranës për të mos e rritur çmimin e biletës së autobusëve urbanë, por vetëm për ta indeksuar atë, me normën e inflacionit të 8 viteve, si një masë e detyrueshme ligjore për të dalë nga situata e rënduar që trashëguam në muajin gusht. Por, këto masa të ndërmarra nga Bashkia e Tiranës u ndeshën me mosdakortësinë e disa këshilltarëve të opozitës. 
Reagimi i Bashkisë kundër Bashës
Në deklaratën e Bashkisë që i kundërvihet Bashës si kryebashkiaku që nuk bëri asgjë por nxit gjuhën e urrejtjes thuhet: “Për 4 vjet nuk i dha zgjidhje as këtij problemi, e as ndonjë gjëje tjetër sepse qytetin e drejtonte nga Holanda, tani tërbohet e nxit një gjuhë urrejtje kur sheh se zgjidhjet ishin të mundura, por Lulëzim Basha s’pati kurrë guximin t’i ndërmarrë ato. Ky njeri, nuk e deshi kurrë qytetin e Tiranës dhe nuk e do zhvillimin e tij. Pastrimi i qytetit, ndriçimi e zbukurimi i tij, zgjidhja e transportit urban, çerdhet e riparuara, shkollat e reja, riparimi i rrugëve e trotuareve, janë provat e paaftësisë së tij, ndaj dhe ai i sul taborët e anti-qytetarisë kundër zhvillimit të qytetit”.
Sigal