PROTESTA E STUDENTËVE, SHUPLAKË PËR QEVERINË

634
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Studentët me Kushtetutën në duar, protestuan para Parlamentit dhe ngrenë çadrat para kryeministrisë

Dita e nëntë e protestës. Gjithë Shqipëria solidarizohet edhe nxënësit e gjimnazeve mbushin sheshet e qyteteve: Arsimi është e ardhmja jonë!

Dita e nëntë e protestës

Studentët u gdhinë ditën e enjte para kryeministrisë dhe ministrisë së Arsimit. Është dita e nëntë e protestës. Studentët kanë paralajmëruar se do ta zhvillojnë protestën përpara Parlamentit, duke kërkuar sërish plotësimin pa kushte të 9 kërkesave të tyre, pa pranuar negocim, dialog me kryeministrin. Janë zhgënjyer, nuk e besojnë më. Madje, studentët kërkojnë që qeveria të plotësojë 9 kërkesat e tyre, e paskëtaj, le të …diskutojnë.

Me libra e Kushtetutë në duar, para Parlamentit

Studentët para orës 10,00 u ndodhën të gjithë para Parlamentit me argumentin, se është institucioni që vendos për ligjet, studentët do të marshojnë drejt Kuvendit. Me libra e Kushtetutë në duar, studentët nisën marshimin nga sheshi “Nënë Tereza”. Para orës 10,00 Partia Socialiste mblodhi grupin parlamentar dhe vendosi që të deklarojë në parlament se do të plotësohen të 8 kushtet e kërkuara nga studentët, por me kusht, që të bëjnë më parë dialog.

Solidaritet dhe përkrahje edhe nga gjimnazet

Protesta e studentëve në Tiranë tashmë është përkrahur nga të gjitha universitetet publike të Shqipërisë, të cilët, në Shkodër, në Korçë, në Vlorë, në Gjirokastër, në Durrës, kanë mbyllur auditorët dhe protestojnë në qendrat e qyteteve. Mirëpo, bashkë me studentët solidarizohen dhe përkrahin protestën edhe nxënësit e gjimnazeve në Berat, Tiranë, Korçë, Shkodër, e në qytete të tjera, të cilët kanë vrarë edhe frikën dhe po derdhen rrugëve të qyteteve.

Protesta edhe nga qytetarët

Në protestën e studentëve në Tiranë janë bashkuar edhe qytetarë, artistë, personalitete, prindërit e studentëve. Madje, në qytete, si në Kavajë, Shkodër, Bulqizë etj., qytetarët bllokojnë edhe rrugët nacionale, duke kërkuar uljen e çmimeve të karburantit dhe thirrje të tjera ekonomike.

Kryeministri pranon të plotësojë 8 kërkesat, por me dialog. Refuzimi i studentëve

Kryeministri Rama nga salla e Parlamentit, deklaroi se qeveria ua plotëson të 8 kushtet studentëve (edhe pse me vonesë – 9 ditë, edhe pse fillimisht i injoroi duke i quajtur “mbetës” studentët protestues), por, me kushtin, që qeveria dhe studentët të ulen në tryezën e bisedimeve për dialog. Studentët nuk pranuan, që të ulen në bisedime me kryeministrin, pa u plotësuar të gjitha kërkesat e tyre.

Robert Aliaj bën thirrje të fuqishme: Studentët duhet të mblidhen e të kenë kuvendin e tyre

Aktori Robert Aliaj, i cili ishte njëri nga të proceduarit nga policia për pjesëmarrje në protestën e studentëve, por që u mohua nga ministri Sandër Lleshaj, ka mbështetur dhe dje protestën studentore para Kuvendit, madje mori edhe fjalën:

Këtu ka një problem real, nuk ka një strategji, një platformë, një përfaqësi të gjitha këto kanë bërë që të penetrojnë lloj-lloj interesash që po e zbehin kauzën e studentëve. Edhe ne nuk dimë ku të adresohemi se grupet këtu po bëhen politike, ju lutem të largohen, t’i lënë studentët rehat, se po humbi kjo kauzë, sido që të jetë faturën do e marrin ata, nuk do të fitojnë ato parti që prishin kauzën e studentëve. Studentët duan ato pika që duan, duan t’i realizojnë lërini rehat pastaj se çfarë më vonë e dinë studentët. Por këtu e shoh se nuk ke kujt t’i adresohesh, nuk kam ç’të them më. Janë ato përfaqësues por nuk kanë një ide qendrore, janë kërkesat por një grup pretendon për ta hedhur qeverinë, një grup për të mos e hedhur, një grup pretendon të na vijnë një qeveri e huaj…është kaos këto gjëra duhen hedhur në sitë. Studentët duhet të mblidhen të kenë kuvendin e tyre, përfaqësuesit e tyre dhe të distancohen që të ruhet kauza e pastër se në të gjitha opsionet e tjera do jenë humbës, ato do jenë fitues të kërkojnë atë që duan dh eta marrin pa ndihmën e këtyre segmenteve që na kanë sjellë në këtë kaos, të gjitha partitë janë të zhytura këtu, kështu që të gjitha janë jashtë kësaj kauze. Ato janë kërkesat e studentëve shumë të qarta, ato duan që kërkesat të realizohen dhe pikë, le të qëndrojnë aty. Prandaj them që çdo segment tjetër që fut dimensione politike me interesa, se s’ka dimensione politike pa interes, do krijojnë kaos.

Thirrja e studentëve: Të rrethojmë parlamentin!

Pasi kryeministri u vendosi sërish kushte studentëve për të plotësuar 8 kërkesat e tyre, studentët bënë thirrje që të rrethojnë parlamentin. Kryeministri Rama, pasi mbaroi fjalimin e vet në parlament, nuk u largua nga hyrja kryesore e parlamentit, por nga hyrja anësore, për të shmangur ballafaqimin me studentët. Edhe deputetët u larguan, po nga dalja anësore e Parlamentit, për të mos u takuar me studentët protestues.

Studentët nuk duan ndërhyrje të politikës

Fabio Dukagjini, student në vitin e tretë të Inxhinierisë Elektrike, në Universitetin Politeknik të Tiranës, arsyet e refuzimit të dialogut: “Le të na plotësojë kërkesat, pastaj bisedojmë. Nuk besojmë, deri tani nuk ka bërë asgjë për ne. Përballë tij mund të përçahemi. Mund të ndërhyjë politika. Protestën tonë nuk e drejton askush, komunikojmë me njëri-tjetrin me ëhatsapp dhe rrjetet sociale, kemi dëbuar të rinj dhe të reja nga forumet rinore të partive që vijnë në protestë duke u hequr si studentë”, thotë Fabio Dukagjini. Ai thotë se studentët janë të shqetësuar për ndërhyrjen e politikës. “Nuk pranojmë të na përdorin për qëllimet e tyre politike. Të gjitha qeveritë dhe partitë, edhe këto që janë sot në opozitë dhe duan të jenë pjesë e protestës sonë, i kanë harruar krejt studentët, për breza me radhë, na kanë lënë në mjerim, nuk kanë bërë asgjë për studim dhe jetesë normale. Jemi të vendosur të vazhdojmë protestën pa u drejtuar prej askujt”. thekson Fabio Dukagjini.

Studentët “pushtojnë” sheshin para kryeministrisë, Rama u përgjigjet: Pa dialog s’ka plotësim kërkesash

Pasi mbaruan punimet e Parlamentit studentët u zhvendosën sërish para kryeministrisë. dhe janë të vendosur të mos negociojnë me kryeministrin, mirëpo kryeministri Rama, sërish u është përgjigjur studentëve, se i mbështet 8 pikat e tyre por duhet dialog. “Sonte në OPINION dhe në ERTV Live natyrisht, për të vijuar të përsëris qoftë që PO, i mbështes 8 PIKAT e dua që t’i përmbushim sa më parë, që pa Dialog s’ka mundësi të kalohet nga kërkesat në distancë, në realizimin e tyre. ABC e demokracisë nuk zhbëhet dot me protesta”, shprehet Rama. Mijëra studentë janë ende poshtë zyrës së kryeministrit mbledhur para Kryeministrisë. Ata kërkojnë plotësimin e 8 kërkesave të tyre, ndërsa theksojnë me forcë se nuk kanë ndërmend të largohen dhe as të ulen në bisedime me kreun e qeverisë.

Qeveria “përkujdeset” dhe u pret dritat dhe internetin studentëve protestues

Studentët protestues në sheshin përballë kryeministrisë, por edhe në rrugën e Durrësit tek Ministria e Arsimit, kanë denoncuar se u është ndërprerë energjia elektrike nga godinat ku ata kanë bërë lidhjet e megafonëve, dhe disa orë janë bllokuar edhe valët e internetit të operatorëve celularë.

Policia ndërhyn, duke mos i lënë të ngrohen studentët

Është nata e dytë që studentët po qëndrojnë stoikë në sheshin përballë kryeministrisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Meqë tashmë, netët janë të ftohta, shumë studentë kanë mbledhur kazanë dhe në to kanë ndezur zjarre, që të ngrohen. Studentët deri tani nuk kanë shkaktuar asnjë incident, nuk kanë shkatërruar asgjë, përkundrazi, ata vetë janë përkujdesur, që të mbledhin çdo mbeturinë, letre, plastike dhe e pastrojnë vetë rrugët, sheshet ku protestojnë. Ndërkohë, që policia e Shtetit, mbrëmë në orët e vona të natës, ndërhyn tek studentët, duke u marrë me forcë kazanët, ku ata kanë ndezur zjarret.

9 fitoret e studentëve protestues

Protesta e studentëve është në përfundim të ditës së nëntë të saj, duke vënë kryeministrin Edi Ramën përballë një presioni të panjohur më parë në 5 vitet e qeverisjes së tij. Të rinjtë, të cilët kërkojnë kushte më të mira për jetën e tyre studentore, janë treguar të vendosur që të mos i përkulen presioneve dhe joshjeve që vijnë nga Kryeministri, vartësit e tij, si edhe mediat në krah të pushtetit. Gjatë këtyre 9 ditëve, studentët kanë arritur 9 fitore, dhe, falë këmbënguljes së tyre, ky numër mund të shtohet dita-ditës.

  1. Studentët rikthyen vetëdijen rinore, të cilën Shqipëria e ka njohur rreth 30 vjet më parë, në kohën kur të rinjtë universitarë u vendosën në krye të protestave për rrëzimin e komunizmit në Shqipëri;
  2. Studentët po dëshmojnë një model proteste qytetare, paqësore dhe të vendosur, diçka të rrallë për Shqipërinë. Në këtë mënyrë, i hoqën kryeministrit Edi Rama mundësinë për t’i përbuzur, ironizuar dhe tallur. Slogani kryesor i protestës studentore është: “Pa politikë”, një formë e re manifestimi shoqëror. Ata kanë vendosur të marrin fatet në duart e tyre.
  3. Studentët fituan përkrahjen qytetare.

Protesta disa-ditore e studentëve ka tërhequr plotësisht vëmendjen e opinionit publik. Në shumicë absolute, qytetarët shqiptarë janë në krah të kërkesave të drejta të studentëve. Edhe militantët qeveritarë, të cilët shohin se si po rrënohet pushteti i socialistëve nën këmbët e studentëve, janë në krah të të rinjve universitarë, të cilët po sfidojnë të ftohtin e Dhjetorit për të arritur qëllimin e tyre.

  1. Studentët sfiduan dhe ia dolën të zbusin arrogancën e kryeministrit Edi Rama, i cili, duke pasur nën kontroll të gjithë pushtetet, prej kohësh ka marrë nuancat e drejtuesit autokrat;
  2. Në pak ditë protestë, studentët detyruan Qeverinë të tërhiqet nga një vendim i saj, i cili rëndonte pozitat financiare të tyre dhe familjeve të tyre;
  3. Studentët fituan sfidën me sheshet publike.

Prej 9 ditësh, studentët kanë bllokuar disa prej akseve kryesore të Tiranës, fillimisht në zonën e Ministrisë së Arsimit dhe më tej përballë Kryeministrisë. Forca e tyre ka detyruar edhe Policinë e Shtetit që të qëndrojë e tërhequr dhe të mos marrë asnjë masë penalizuese. Fillimisht, zyrtarë policorë shpërndanë në media se kishin nisur procedim penal ndaj disa studentëve, përfshirë edhe profesor Edmond Tupja. Ky zhvillim nuk shkaktoi asnjë ndjesi tek studentët, të cilët vijuan protestën e tyre me të njëjtin ritëm. Qëndrimi stoik i studentëve detyroi ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, të përgënjeshtroi nga salla e Parlamentit lajmin e shpërndarë nga policia për procedimin e protestuesve. Studentët e kanë fituar tashmë sfidën me sheshet publike.

  1. Studentët u hoqën frikën pedagogëve;

Në rrethana normale, kur diskutohet për përmirësimin e kushteve të arsimit të lartë, të parët që duhet të ngrenë zërin e protestës janë pedagogët. Por, në Shqipëri, kur pedagogët kërcënohen nga pushteti qeveritar me humbjen e vendit të punës, qëndrimi i tyre është i qullët. Gjithsesi, protesta e të rinjve i nxori një numër të konsiderueshëm pedagogësh nga letargjia e tyre dhe, megjithëse me ngadalë, kanë nisur t’i atashohen studentëve të tyre.

  1. Studentët protestues u kanë mbyllur gojën “megafonëve” qeveritarë.

Gjatë këtyre ditëve të protestës studentore, Edi Rama është detyruar të përballet i vetëm me furinë studentore. Ai nuk ka mundur të përfshijë në krah të tij analistët “gjithëologë”, të cilët pushtojnë studiot mediatike për të mbrojtur çdo gabim, gafë e faj të qeverisë shqiptare. Analistët “e pavarur”, të paguar nga qeveria, kanë vendosur të qëndrojnë të strukur. Askush prej tyre nuk do të preferonte që të gjendej përballë furisë studentore.

  1. Studentët fituan betejën në rrjete sociale.

Përballë të rinjve, të cilët janë të gjithë të brezit të internetit, kryeministri Edi Rama duket shumë i pafuqishëm për t’i sfiduar, edhe pse komunikimi ka qenë deri tani arma më e madhe ndaj kundërshtarëve të vet politikë.

8 kërkesat e studentëve

1-Rritja e buxhetit me 5 % e GDP me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për çdo nivel studimi, përmirësimin e mësimdhënies dhe infrastrukturës, Universitet/konvikt.

2-Transparencë me buxhetin nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe IAL-ve, publikimi i të gjitha shpenzimeve online.

3-Rritja nga 10 % në 50 % e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan, rektor dhe çdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik.

4-Rishikim i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.

5-Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillat e Studentëve, Ligji i Arsimit të lartë, pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga MASR dhe IAL-të si dhe të shtohen një përfaqësues në këtë bord nga studentët.

6- Pajisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019 (të ndiqen nga bashkitë përkatëse)

7-Ndërtimi i një biblioteke me standarde Evropiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.

8-Vlerësim i perfomancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikim i tij, online dhe regjistrimi i leksioneve.

A duhet të jetë akoma një dekan, që hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda?

Dhori Kule, ish-rektori i UT dhe tashmë dekan i fakultetit Ekonomik të UT, po hetohet, që nga marsi i 2018-s, nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për një sërë skandalesh në lidhje me tenderët që janë dhënë e bërë në UT, në kohën që ai ishte rektor. Burime zyrtare pranë organit të akuzës thanë për Neës 24 dhe BalkanËeb se kanë regjistruar procedimin penal për akuzat e “korrupsionit” dhe “shpërdorimit të detyrës” pas dyshimeve se janë kryer abuzime me tenderët nga drejtues të lartë të Universitetit të Tiranës. Hetimi duket se ka lidhje me mënyrën e administrimit të fondeve të Universitetit, megjithatë burimet pranë prokurorisë, janë tejet të rezervuara për të dhënë detaje lidhur me faktet penale.

Zbardhet pasuria e Kules, anëtar në 7 borde, paguhet më tepër se Presidenti

Dhori Kule duhet të hyjë në rekordet “Guiness” të aftësive. Kule, krahas pagës si pedagog, paguhet nga paratë e qytetarëve shqiptarë si anëtar në shtatë borde. Nuk janë pak. Vetëm në deklaratën e vitit 2012, nga pagesat e bordeve Kule ka marrë 1 840 430 lekë, ose rreth 18 mijë USD. Këto vetëm si anëtar bordesh. Pagesa e aftësive të Kules shtohet edhe me pagën vjetore prej 1 886 548 lekë si rektor i Universitetit dhe 815 400 lekë si pedagog në Fakultetin e Ekonomisë. Në total, pagesa vjetore e Kules ka arritur shifrën rekord prej 4 542 414 lekësh, ose rreth 378 000 lekë në muaj (rreth 3700 dollarë). Të ardhurat e Kules i kalojnë edhe ato të Presidentit dhe Kryeministrit. Me ligj, paga mujore e Presidentit është 255 mijë lekë në muaj, pra rreth 1200 USD më pak se sa merr Kule.

Anëtar në shtatë borde

Dhori Kule nuk është vetëm rektori i Universitetit dhe pedagog i Fakultetit të Ekonomisë. Kule gjen kohë që, përveç problematikave të Universitetit të Tiranës dhe përgatitjes për të dhënë mësim në Fakultetin e Ekonomisë, të jetë edhe nënkryetar i Këshillit Drejtues të Autoritetit Portual, Durrës. Për këtë punë Kule paguhet 624 600 lekë në vit. Por, edhe pas kësaj detyre, Kule gjen kohë të diskutojë dhe të kryesojë mbledhjet periodike të Këshillit të Statistikave. Rektori është kryetar i Këshillit të Statistikave dhe për këtë detyrë të re paguhet 126 252 lekë. Por sërish rektori ka kohë. Ai paguhet për çdo mbledhje të Këshillit të Qarkut Tiranë. Si anëtar ai paguhet për mbledhjet e Këshillit 76 500 lekë. Së fundi, në deklarimin e pasurisë së Kules del edhe një tjetër institucion. Rektori është edhe anëtar i Bordit të Autoritetit Kombëtar të Teknologjisë së Informacionit dhe paguhet 196 625 lekë në vit. Pozicioni si rektor e bën Kulen edhe anëtar në dy borde të tjera, atë të Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Këshillit të Vlerësim të Titujve Akademikë. Pjesëmarrja e tij në këto dy borde kushton 327 528 lekë pagesë vjetore. Pagesa e Kules shtohet sërish. Këtë radhë, i zgjedhur me votim politik si anëtar i Këshillit Bashkiak, ku pjesëmarrja në mbledhjet e Parlamentit të Tiranës i shton atij edhe 76 500 lekë, kjo për vitin 2011, ku kishte zgjedhje dhe nuk kishte shumë mbledhje. Së fundi, Parlamenti Shqiptar e zgjodhi Kulen edhe anëtar të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Pagesa në Bankë shkon 342 225 lekë në vit. Për ta bërë më të thjeshtë, rektori i Universitet të Tiranës gjatë një viti gjen kohë të zgjidhë problemet e Arsimit, të japë mësim në Fakultet dhe, përveç këtyre, pjesën tjetër të kohës e shpenzon duke diskutuar dhe votuar për vendimmarrjen e shtatë institucioneve të tjera. Koha është flori, dhe në këtë rast, superaftësitë e Kules u kushtojnë taksapaguesve shqiptarë 4 542 414 lekë në vit. Nga këto, vetëm si pjesëmarrës në borde dhe këshilla, taksapaguesit i japin rektorit 1 840 430 lekë në vit. Mesatarisht Dhori Kule paguhet nga shteti shqiptar 378 000 lekë në muaj. Nga këto, 153 369 lekë në muaj i merr vetëm si anëtar në shtatë borde. Për t’i bërë më të qarta superpagesat e Kules, mund të krahasohet me deklaratën e pasurisë së vjehrrës së tij. Në deklaratën e firmosur nga rektori theksohet se të ardhurat vjetore të vjehrrës nga pensioni janë 156 000 lekë në vit. Kaq para Kule i merr si anëtar bordesh vetëm në një muaj. Paradoksi qëndron në faktin se të ardhurat mujore të rektorit, për punën e tij si drejtues i Universitetit, janë mesatarisht 157 251 lekë në muaj. Ndërsa të ardhurat mujore si anëtar bordesh dhe këshillash janë 153 369 lekë në muaj.

11 detyrat e Dhori Kules

Rektor i Universitetit të Tiranës. Pedagog pranë Fakultetit të Ekonomisë. Nënkryetar i Këshillit Drejtues të Autoritetit Portual Durrës. Kryetar i Këshillit të Statistikave. Anëtar i Këshillit Bashkiak Tiranë Anëtar i Këshillit të Qarkut dhe KRRT Qarkut Tiranë. Këshilltar i Dhomës së Tregtisë. Anëtar i Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Shkencës dhe Komisioni i Vlerësimit të Titujve Akademikë. Anëtar i Bordit në Agjencia e Kërkimit Teknologjisë dhe Inovacionit, Anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Anëtar i Këshillit të Profesorëve të Universitetit të Vlorës