PD e paralajmëroi, Duma: Rama jep Skavicën pa garë dhe transparencë

514
Sigal
PD ka dalë sot me një tjetër denoncim. Nëpërmjet një deklarate për mediat, koordinatorja Grida Duma tha se hidrocentrali i Skavicës i është dhënë në mënyrë korruptive një kompanie turke.
Duma tha se kjo është pranuar nga vetë ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj.
Duma: Në muajin prill, Partia Demokratike i kërkoi shpjegime të qarta kryeministrit Edi Rama për vizitën e tij të menjëhershme e të papritur në Stamboll të Turqisë.
I kërkuam Ramës të përgjigjej po bënte apo jo negociata të fshehta e të paligjshme për të dhënë pa garë e pa transparencë projektin më të rëndësishëm energjitik në Shqipëri, ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, një kompanie turke, Suzer & Nurol Group.
Siç bën gjithmonë kur do të fshihet dhe është në siklet, kryeministri reagoi duke akuzuar opozitën, por sërish pa i dhënë asnjë llogari, asnjë përgjigje qytetarëve shqiptarë.
Por para disa javësh, i gjendur në presion, Ministri i tij Ahmetaj pohon vetë se Skavica i është dhënë një kompanie turke.
Skavica ka përfunduar si gjithë të tjerat dhe siç ne paralajmëruam pa garë e transparencë ashtu siç Rama u ka dhënë miqve të vetë koncensionet në shëndetësi, ashtu siç jep tenderat dhe u hap traun e doganës, ashtu siç negocioi fshehtas vjedhjen e shekullit, aferën CEZ ku iu mori shqiptarëve 600 milionë euro nga xhepat dhe taksat e tyre.
Kjo është skema e Edi Ramës në ndarjen e parave dhe copëtimin e pasurisë të shqiptarëve. Mos u habisni kur të merrni vesh që pazari i radhës i Edi Ramës me pasuritë publike është mbyllur në Majami.
Kjo skemë korruptive dhe kriminale e zhvatjes dhe vjedhjes së pasurive kombëtare është arsyeja pse sot shqiptarët janë më të varfër, më të papunë e më të pashpresë, ndërsa Edi Rama citohet në raportet e OSBE-së për pasurinë e tij prej 200 milionë euro, dhe ministrat e tij janë zgjuar milionerë brenda natës.
Ky korrupsion do të ndalet me çdo kusht dhe qytetarët shqiptare do ta ndalin.