Partitë e mëdha mbajnë peng votimin dhe numërimin elektronik

472
Votimi dhe numërimi elektronik është janë dy projekte që diskutohen në politikën shqiptare prej 13 vitesh. Kryesisht kërkesat për realizimin e votimit dhe numërimit elektronik i përkasin partive të opozitës, të cilat që prej zgjedhjeve vendore të 2003-it dhe në vijim kërkojnë përfshirjen e Shqipërisë në hartën e vendeve që zbatojnë votimin dhe numërimin elektronik, ose njërën prej tyre. Shqipëria është ndoshta i vetmi vend kur rezultati zgjedhor vonohet me ditë të tëra deri në shpalljen e tij, kjo për faktin se numërimi i votave kryhet me sistemin mekanik, që shoqërohet herë pas here me debate politike apo bllokime të karakterit politik apo edhe njerëzor (lodhja e numëruesve). Por në cilën fazë mbeten këto projekte, për të cilat është folur dhe premtuar shumë? Sa është e mundur zbatimi i votimit apo numërimit elektronik dhe cilat janë kostot për vënien në zbatim të projektit? Këto janë disa pyetje që lindin në lidhje me një nga debatet e vazhdueshme, të cilat hapen në prag të proceseve zgjedhore, për të realizimin e të cilave, asnjë forcë politike nuk shprehet kundër, përkundrazi ka një vullnet të shprehur publikisht. i njëjti debat është hapur edhe tani, kur ka mbetur rreth 1 vit nga zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare të 2017. Komisioni parlamentar për Reformën Zgjedhore ka nisur punën për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ku krahas propozimeve të partive parlamentare, ndodhet edhe drafti i propozuar nga rreth 40 parti që ndodhen jashtë Parlamentit, por që në zgjedhjet e fundit numërojnë rreth 450-500 mijë vota. 

Votimi elektronik

Votimi elektronik sot aplikohet në disa vende, të cilat duket se kanë konsoliduar këtë lloj praktike, duke i dhënë mundësi të gjithë qytetarëve me të drejtë vote, që pavarësisht se ku jetojnë dhe punojnë, të kenë të drejtën e votës përmes një sistemi elektronik. Në 2012 në Shqipëri nisën përgatitjet për të aplikuar votimin elektronik në një zonë pilot në Fier, projekt që do të realizohej për zgjedhjet parlamentare të 2013. Nëse testimi do të rezultonte pozitiv, atëherë projekti do të shtrihej në të gjitha njësitë zgjedhore. Në funksion të realizimit të këtij testimi, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe struktura të tjera përgjegjëse për realizimin e projektit u siguruan pajisjet, por testimi i kryer dështoi një vit më pas dhe shkaqet që u dhanë ishin teknike. Kjo bëri që në zgjedhjet e 2013 dhe më pas proceset zgjedhore të vijojnë të administrohen nga partitë politike, përmes përfaqësuesve të tyre në Komisionet e Qendrave të Votimit, edhe pse pati një angazhim të Partisë Socialiste për të garantuar vënien në funksionim të votimit elektronik. Në kushtet kur nga të gjitha palët flitet për realizimin e këtij projekti, ekspertët e konsiderojnë debatin thjesht në kuadrin politik ose më saktë një dëshirë, por ku mungon besimi i ndërsjellë mes palëve. Një nga ekspertët e sistemeve elektronike, i cili ka punuar për rreth 3 vite në realizimin e një projekti të tillë, por edhe në vënien në funksion të sistemit elektronik për Maturën Shtetërore, shprehet se shkaku kryesor që në Shqipëri nuk realizohet votimi elektronik ka të bëjë me besimin në nivele shumë të ulëta, për të mos thënë se nuk ekziston mes palëve politike në proces.

 Në këtë kuadër ai shton se problemi nis nga momenti se kush do të administrojë serverin e të dhënave. Sipas tij, në vendet ku aplikohet votimi elektronik i plotë apo kur ai ndërthuret me atë mekanik, serveri i administrimit të të dhënave për çdo zgjedhës administrohet nga Ministria e Brendshme. Por në Shqipëri, për shkak edhe të mosbesimit mes palëve, çdo forcë politike e cila do të jetë në opozitë, në kushtet aktuale, do të shfaqë mosbesim dhe do të hedhë akuza për manipulim të serverit. Për ekspertin fakti që herë pas here hidhen dyshime edhe mbi procesin e vlerësimit të Maturës Shtetërore, i cili administrohet nga Ministria e Arsimit, tregon se mosbesimi është në nivele të larta, edhe pse flitet për çështje, jo shumë sensistive krahasuar me atë të zgjedhjeve. Sipas ekspertit baza teknike për realizimin e votimit elektronik, tashmë është, kjo edhe për faktin se çdo shtetas që zotëron një ID apo pasaportë biometrike ka të depozituar shenjat e gishtërinjve dhe të dhënat e tjera. Një tjetër pengesë për realizimin e votimit elektronik ka të bëjë me numrin e lartë të subjekteve politike që marrin pjesë në zgjedhje. Shqipëria renditet në vendet e para, ku rreth 2 milion zgjedhës i duhet të zgjedhin alternative në rreth 60 subjekte politike. Kjo vështirëson procesin, pasi në ekranin elektronik do të duhet të përfshihen të gjitha subjektet, dhe veç kësaj duhet të ndërthuren edhe emrat e kandidatëve që do të përfaqësojnë forcat politike. Megjithëse konsiderohet si një çështje, e cila mund të gjejë zgjidhje për shkak të zhvillimit të teknologjisë, ekspertët mendojnë se pa një reduktim të qartë të forcave politike që marrin pjesë në një proces zgjedhor, kjo mbetet një pengesë. Si shembull merret Qarku i Tiranës, e cila zotëron 32 mandate deputetësh për zgjedhjet parlamentare. Nëse flitet për një sistem me lista të hapura vështirësitë shtohen pasi për secilin nga subjektet që do të garojnë në një proces duhet të përfshihen edhe emrat e kandidatëve për forcat respektive politike, çka do të thotë se në sistem vetëm për këtë qark do të përfshihen mbi 1800 emra, të cilat më shumë do të shpërqendrojnë votuesit. Një tjetër vështirësi, sipas ekspertëve, është ajo mbi moshat e 3-ta, të cilat ndoshta nuk do të mund të përdorin teknologjinë, çka do të thotë se krahas votimit elektronik do të duhet të aplikohet edhe ai mekanik. Gjithashtu vështirësi në realizimin e këtij lloj votimi, janë problemet teknike që kanë të bëjnë me energjinë elektrike dhe internetin, për të cilat duhet të ketë garanci maksimale për mbarëvajtjen e procesit, pasi çdo defekt energjetik apo shkëputje interneti do të krijonte problem në ecurinë e procesit dhe mund të çonte deri në bllokimin e votimit dhe dështimin e zgjedhjeve. 

Numërimi elektronik

Ndonëse shumica e vendeve sot në Europë aplikojnë votimin elektronik apo atë mekanik, ose një alternim mes dy votimeve, numërimi i votave kryhet në mënyrë elektronike. Kjo bën që rezultatet zgjedhore të dalin para mesnatës së ditës kur zhvillohen zgjedhjet. Në Shqipëri për të nxjerrë rezultatin zgjedhor, në rastin më të mirë duhen 5-7 ditë, pasi procesi ka zgjatur edhe më shumë në jo pak raste, të evidentuara këto edhe në raportet e OSBE/ODIHR. Ekspertët shprehen se pengesa kryesore e mosrealizimit të numërimit elektronik është numri i lartë i partive politike në fletën e votimit. Sipas ekspertëve në kushtet aktuale që ka Shqipëria, numërimi elektronik është i paaplikueshëm vetëm për faktin se makinat elektronike të numërimit mund të përballojnë deri në 25 subjekte politike, me një marzh gabimi që nuk do të ndikonte në rezultatin zgjedhor. Fakti që në Shqipëri numri i subjekteve që garojnë është mbi 60 e bën procesin të pa aplikueshëm, kjo për shkak se marzhi i gabimit do të ishte shumë i lartë dhe i ndikueshëm në rezultatin përfundimtar zgjedhor. Për ekspertët për aplikimin e numërimit elektronik duhet të ketë një reduktim të ndjeshëm të forcave politike pjesëmarrëse në një proces, duke iu përshtatur në këtë mënyrë programeve që aplikohen në raste të tilla. Më tej procesi nuk ka asnjë pengesë, çka do të thotë se për vënien në zbatim të këtij projekti, duhet të ketë një kufizim të numrit të subjekteve zgjedhore. 
Avantazhet e votimit dhe numërimit elektronik

Pavarësisht problemeve teknike që sot pengojnë zbatimin e votimit dhe numërimit elektronik, aplikimi i tyre ka një sërë avantazhesh. Numërimi elektronik do të përshpejtonte daljen e rezultatit zgjedhor, sikundër do të ulte ndjeshëm tensionet politike apo përplasjet mes forcave politike. Një tjetër avantazh ka të bëjë me faktin se shanset për të bllokuar procesin do të ishin minimale, sikundër edhe kostot financiare do të ishin më të reduktuara. Në rastin e votimit elektronik, do t’i jepej fund dyshimeve për ndërhyrje në proces, përmes tentativave për blerje vote apo presione mbi zgjedhësit. Në momentin që do të aplikohet votimi elektronik, procesit do ti shkëputeshin hallkat e komisioneve të qendrave të votimit, të cilat veç tensioneve që mund të vijnë, kanë edhe një kosto financiare jo të vogël. Kjo për faktin se në Komisione ka 9-11 anëtarë, të cilët përfaqësojnë forca të ndryshme politike, në pozitë dhe opozitë. i gjithë procesi mund të monitorohet nga vëzhgues partiakë, ndërsa mbi të gjitha fitohet koha për të përshpejtuar procesin. Në rastin e votimit elektronik, i gjithë procesi zgjat jo më shumë se 45 sekonda për zgjedhës, ndërsa mesatarja e kohëzgjatjes së votimit llogaritet në 25-30 sekonda. Nëse aplikohen format elektronike, buxhetit të shtetit i kursehen rreth 3. 5 milionë euro, pasi një proces zgjedhor sot në Shqipëri kushton plot 7 milionë euro, ndërsa në formën elektronike është llogaritur në rreth 3. 5 milionë euro. 
Kushtet për të mundësuar votimin elektronik

Ekzistenca apo krijimi i një database të besueshme dhe një sistem identifikimi elektronik kombëtar përmes ID. 
Zgjerimi i të drejtës së votës tek emigrantët, të cilët nuk janë banorë efektiv ditën e zgjedhjeve në Shqipëri, duke qenë që jemi vendi i vetëm evropian që ende i ka përjashtuar emigrantët nga vendimmarrja politike. 
Sigurimi i mjeteve efektive mbështetëse për jetësimin e procesit, përfshirë burimet e nevojshme dhe alternative të energjisë, si dhe një sistem transparent përpara medias dhe strukturës kontrolluese kombëtare (KQZ-së). 
Ndërhyrjen e menjëhershme në Kodin Zgjedhor për t’i dhënë kohë KQZ (të paktën 10-12 muaj kohë) për realizimin e praktikave të nevojshme (blerje pajisjesh, trajnim specialistësh dhe trajnim të individëve të deleguar nga partitë dhe shoqëria civile për ndjekjen e procesit të votimit). 
Nisjen e një fushate informimi publik, sidomos tek kategori sociale që nuk janë të familjarizuara me pajisjet elektronike. 
Disa nga vendet që aplikojnë votimin/numërimin elektronik
Shteti Viti
Austri 2006
Australi 2001
Belgjikë 2000
Brazil 2000
Britani 2000
Danimarkë 2005
Estoni 2005
Francë 2003
Finlandë 2008
Filipine 2010
Gjermani 2000
Holandë 2007
Indi 2003
Itali 2006
Irlandë 2002
Norvegji 2003
Portugali 2004
Rumani 2003
Kanada 2004
SHBA 2000
Skoci 2007
Spanjë 2005
Zvicër 2009
Venezuelë 1998
Sigal