Partia qeverisëse përdori burime shtetërore, punësime elektorale dhe përdori administratën për fushatën e saj elektorale  

293
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

ASP/ Raport monitorimi  mbi kufizimet e përdorimit të burimeve shtetërore në fushatën zgjedhore 25 mars – 25 prill 2021

182.000 nëpunës shteti në fund të 2020-s dhe 2.472 të emëruar në prag të zgjedhjeve të 25 prillit

Akademia e Studimeve Politike në  raportin për monitorimin  mbi kufizimet e përdorimit të burimeve shtetërore në fushatën zgjedhore të periudhës 25 mars – 25 prill 2021, konstaton se Asetet publike, kryesisht shkollat e sistemit parauniversitar, janë vendosur në dispozicion të aktiviteteve elektorale të mazhorancës, në prag të fushatën elektorale janë punësuar në administratën publike një numër i madh nëpunësish, disa herë më i madh, i krahasuar me periudha të tjera,  përdorimi i detyruar në fushatën zgjedhore i administratës së insti­tucionit brenda orarit të punës për qëllime zgjedhore, ndërkohë që 182.000 nëpunës shteti janë të rregjistruar në fund të 2020-s.

“182.000 nëpunës shteti në fund të 2020-s

2.472 të emëruar në prag të zgjedhjeve të 25 prillit

189 punonjësish u shtuan në institucionet e ministrive”

Disa nga gjetjet kryesore të monitorimit janë:

– Kufizimet e Kodit Zgjedhor për emërimet dhe largimet në administratën shtetërore nuk kanë rezultuar efektive, duke u fokusuar vetëm në periudhën një mujore të fushatës.

– Asetet publike, kryesisht shkollat e sistemit parauniversitar, janë vendosur në dispozicion të aktiviteteve elektorale të mazhorancës.

– Pavarësisht kufizimeve në përdorimin e burimeve institucionale gjatë fushatës, ministrat dhe zyrtarët e lartë kandidatë nuk kanë bërë një ndarje të qartë mes funksionit të detyrës së tyre dhe aktivitetit si kandidatë politik.

– Materialet propagandistike elektorale kanë qenë kryesisht të kufizuara dhe të afishuara në ambjente promocioni.

– Dhuratat e ofruara nga kandidatët nuk i janë përmbajtur në të gjitha rastet kufirit të kostos prej 500 lekë. Konstatohen gjithashtu raste të organizimit të eventeve kulturore dhe sportive me pjesëmarrjen e kandidatëve.

Kufizimet për administratën shtetërore

Përdorimi i detyruar në fushatën zgjedhore i administratës së insti­tucionit brenda orarit të punës për qëllime zgjedhore.

Premtimi ose ofrimi i përfitimeve ndaj nëpunësve publike, ose studentëve për të marrë pjesë në aktivitete që lidhen me fushatën jashtë orarit të punës ose shkollës ose të ushtruarit e presionit mbi to për këtë qëllim.

Punësimi, pushimi nga puna, lëvizja dhe transferimi në detyrë në institucione ose ente publike gjatë fushatës zgjedhore, përveç rasteve të justifikuara.

“Asetet publike, kryesisht shkollat e sistemit parauniversitar, janë vendosur në dispozicion të aktiviteteve elektorale të mazhorancës”

Gjatë fushatës zgjedhore (26 mars-23 prill 2021) u kryen: 63 emërime të reja në shërbimin civ­il, të zhvilluara si vijim i procedurave të publikuara në muajin janar dhe shkurt 2021, procedura të shpalluar në zbatim të VKM nr.13, miratuar më 27.01.2021 për Planin vjetor të pranimit për vitin 2021 në institucionet e administratës shtetërore, pjesë të shërbimit civil, e cila përcakton se numri i vendeve vakante të planifikuara për rekrutim gjatë vitit 2021 është gjithsej, 705 (shtatëqind e pesë). 28 lirime nga Shërbimi Civil (6 Pension pleqerie, 16 dorëhequr, 2 nëpunës të dënuar me vendim të formës së prerë, 2 nëpunës të ndarë nga jeta, 2 nëpunës të larguar me masë disiplinore);

Pranë KQZ është denoncuar më 12 prill drejtoresha e AZHBR, Frida Krifca për një transferim të denoncuesit gjatë fushatës zgjedhore nga Agropika Gjiro­kastër në Agropikën Kukës. Hetimi admin­istrativ ka rezultuar pa shkelje bazuar në vendimin e KQZ nr. 334, datë 05.05.2021.

Të dhënat zyrtare konfirmojnë se ka patur emërime dhe lëvizje edhe gjatë fushatës, edhe pse në shifra minimale. Këto ndryshime janë argumentuar si vijim i procedura të nisura përpara 26 marsit, në zbatimi të legjislacionit në fuqi për shërbimin civil (VKM nr. 13 datë 27.01.2021 për Planin vjetor të pranimit për vitin 2021 në institucionet e administratës shtetërore, pjesë të shërbimit civil), para nisjes së fushatës, kur hyjnë në fuqi edhe kufizimet e Kodit Zgjedhor. Si rrjedhojë, kufizimi i parashikuar në Kod mund të thuhet se ka qenë jo efektiv në arritjen e objektivit për të ndaluar lëvizje në administrate, që mund të sjellin përfitime elektorale.

Në struk­turën e administratës së ministrive në fundin e vitit 2019 dhe 2020,  rezulton një rritje prej 189 punonjësish.

182.000 nëpunës shteti në fund të 2020-s

Denoncimet e opozitës për një rritje me rreth 10 mijë punonjësish të strukturës së adminis­tratës publike në fund të vitit 2020, iu referu­an statistikave të INSTAT, më konkretisht të Dhënat Administrative të Tregut të Punës 2020, të cilat paraqitën një shifër të përg­jithshme, përkatësisht 182.000 personash të paguar nga buxheti i shtetit gjatë vitit të kalu­ar.

2.472 punonjës të emëruar  në Administratën publike në prag të zgjedhjeve të 25 prillit

Një tjetër fenomen që ngjalli akuza gjatë fus­hatës zgjedhore ishte numri në rritje i punon­jësve me kontratë apo të cilësuar si staf i përkohshëm. Sipas të dhënave të DAP, për vitin aktual janë miratuar 2.472 punonjës me kontratë, ba­zuar në VKM nr. 1151, datë 24/12/2020. Ky vendim është miratuar dy ditë para hyrjes në fuqi të Vendimit nr.9 të KQZ dhe nisjes së ku­fizimeve të periudhës 4-mujore zgjedhore. Kontratat e përkohshme të këtij viti janë më të larta se viti 2019, një vit po ashtu elektoral.  Në vitin 2019 u miratua numri tavan i 1.806 punonjës me kontratë;  • Në vitit 2020 ky numër arriti në 2.628 punonjës. Rritja prej 1.201 punonjë­sish.

“Ministrat dhe zyrtarët e lartë kandidatë nuk kanë bërë një ndarje të qartë mes funksionit të detyrës së tyre dhe aktivitetit si kandidatë politik”

Për­dorimi i detyruar në fushatën zgjedhore i administratës publike

Në lidhje me kufizimin e nëpunësve që kan­didojnë, të dhënat e raportuara nga DAP, ba­zuar në informacionin e përcjellë nga njësitë e burimeve njerëzore mbi aparatin e ministrive të linjës dhe institucioneve e varësisë, konfir­mojnë 9 nëpunës civilë të pezulluar nga de­tyra për shkak të kandidimit në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë. Kjo e dhënë është e vështirë q ë të konfirmohet për shkak se for­mulari i deklarimit të kandidatëve pranë KQZ nuk përmban të dhëna për punësimin, çka do të mundësonte të dhëna të e sakta për kandi­datët me status “nëpunës civil”. Në këtë sit­uatë, zbatimi i këtij kufizimi është i vështirë që të kontrollohet edhe nga vetë KQZ dhe subjekte të tjera monitoruese. Do të ishte me vlerë që në zgjedhjet e ardhshme të detajohej më tej informacioni që ofrojnë kandidatët në procesin e regjistrimit pranë KQZ.

Përsa i përket kufizimit të parashikuar në Nenin 91, pika 2 të Kodit Zgjedhor mbi për­dorimin e detyruar në fushatën zgjedhore të administratës së institucionit brenda orarit të punës, denoncimet pranë portaleve të KQZ kanë qenë të pakta në numër (2 denoncime nga PD). Sigurisht, rasti më i njohur ishte ai i bisedës telefonike të publikuar nga ERTV ku Kryeministri, z. Edi Rama dhe ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimir Rural znj. Mil­va Ekonomi, u akuzuan se ushtruan presion ndaj punonjësve të arsimit dhe shëndetësisë për të votuar për mazhorancën. Ky denoncim u shqyrtua nga KQZ dhe në vendimin e saj Vendimi nr. 248, datë 16.04.2021, u cilësua si “një keqintepretim dhe diskutim i nxjerrë nga konteksti”.  Një artikull investigues i mbështetur nga pro­jekti SETA në bashkëpunim me organizatën mediatike “Faktoje”, dëshmoi implikimin gjatë orarit zyrtar të punës të punonjësve të Bashkisë Korçë në promovimin e fiushatës të ministrit të Mbrojtjes, z. Niko Peleshi si dhe anëtarëve të kabinetit të ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Olta Xhaçka, të dy kandidatë në zonës e Korçës.

Përdorimi i aseteve publike në fushatën zgjedhore

Monitorimi në terren si dhe denoncimet e mbërritura pranë KQZ dëshmojnë për një përdorim të ambjenteve të shkollave publike për të organizuar takime elektorale. Këto takime janë zhvilluar kryesisht nga kandidatët e mazhorancës duke argumen­tuar nevojën për të siguruar masat anti-covid (pra qëndrimin në ambjent të hapur) si dhe faktin që takimet janë zhvilluar jashtë orarit mësimor, pa prezencën e nxënësve (pasditeve apo në fundjava) dhe në shkollat që janë qendra komunitare. Monitorimi ynë si dhe një artikull investigues i mbështetur nga projekti SETA ka konstatuar mbi 20 raste të publikuara të takimeve të kandidatëve të Partisë Socialiste në oborret e shkollave, kryesisht në Tiranë, Durrës, Krujë, Gjirokastër. Nuk janë konstatuar ndërkohë takime të ngjashme të kandidatëve të opozitës në shkolla në këto qytete, duke u krijuar edhe atyre shanse të barabarta gjatë fushatës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shqyrtuar deri më tani dy denoncime për takime në ambjentet e shkollave të deputetetëve Elona Gjebrea dhe Ervin Bushati (Vendimi nr. 101 & 102, datë 25.02.2021), të cilët nuk u cilësuan si aktivitete të ndaluara. Megjithatë, KQZ ofroi një saktësim të mëtejshëm për këtë çështje me rekomandim ndaj drejtuesve të shkollave për të evituar prezencën e deputetëve në aktiviteve të shkollës. Përsa i përket përdorimit të burimeve të tjera institucionale në funksion të fus­hatës, është e vështirë që të provohet masa e përdorimit të zyrave, pajisjeve komp­juterike, telefonave apo shumë burimeve të tjera kur kandidatët janë njëkohësisht edhe zyrtarë të lartë. Megjithatë, një qasje praktike për të kuptuar deri ku mund të shkojë përdorimi i burimeve institucionale, është përdorimi i automjeteve të zyrës nga anëtarët e qeverisë në aktivitetet e tyre të fushatës. Kryeministri Edi Rama, që prej ditës së parë të fushatës ka nisur të udhëtojë në të gjithë takimet jashtë Tiranës me një mjet të tipit “Linkoln Navigator”, i cili është përdorur edhe në fushatat e mëparshme kur ishte lideri i opozitës dhe është deklaruar si mjet personal i kryem­inistrit. Megjithatë, në të gjitha takimet elektorale të fushatës kryeministri ka qënë përsëri i shoqëruar nga dhjetëra forca të dukshme të Gardës së Republikës dhe policisë si dhe mjeteve të regjisë së Televizionit Publik Shqiptar të mbështetura edhe me gjen­eratorë për të siguruar transmetimin live në kanalin ERTV të aktiviteteve të tij si kandidat i forcës politike PS. I njëjti konstatim është edhe për ministrat e kabinetit kandidatë, të cilët kanë udhëtu­ar gjatë fushatës herë me mjetet e institucionit dhe herë me mjete të tjera të huazuara, por duke qënë përsëri në shoqërinë e shoferëve dhe shoqëruesve të Gardës në zonat e tyre elektorale.

Në lidhje me kufizimet e distancave të vendosjes së materialeve propagandis­tike nga qendrat e votimit, monitoruesit SETA konstatuan shkeljen e largësisë prej 300 metrash të një posteri të kandidatit Bledi Çuçi, të vendosur pranë KZAZ në në bulevardin “18 Shtatori” Gjirokastër. Gjithashtu, një shkelje e mbështetur edhe nga vendimmarrja e KQZ (Vendimi nr. 235 datë 14.04.2021) u konstatua në fasadën e bashkisë Librazhd, ku ekspozohej një poster i PS në një institucion publik. Për këtë rast, KQZ vendosi vetëm këshillin e kryetarit të bashkisë Kastriot Gurra dhe urd­hërimin e policisë bashkiake për heqjen e menjëhershme të materialit.

Përsa i përket detyrimit të deklaratës së autorizimit në materialet vizive të fushatës zgjedhore, ky përcaktim nuk u respektua gjerësisht në materialet e promovimit të kandidatëëve dhe subjekteve. Forcat politike kryesore u mjaftuan me vendosjen e logos së tyre në pjesën anësore të materialeve vizive duke shkelur detyrimit e Ko­dit Zgjedhor për të vendosur shënimin: “Prodhuar nën përgjegjësinë ligjore të…” Deri më sot nuk janë publikuar masa ndëshkuese nga AMA (autoriteti i mandatuar për monitorimin e medias gjatë fushatës) ndaj transmetuesve televizive si dhe një vendimmarrje e KQZ ndaj subjekteve elektoralë për shkelje të konstatuara për këtë përcaktim ligjor.

Shpenzimet financiare në fushatën elektorale

Edhe pse jo në formatin klasik me prezencën e këngëtarëve apo artistëve, even­te kulturore për të organizuar të rinjtë mbështetës rezultojnë se u zhvilluan me prezencën e disa prej kandidatëve në Shkodër, Kamëz dhe Gjirokastër. Në këto evente argëtuese apo sportive pjesëmarrja ka qënë falas dhe të gjitha shpenzimet janë mbuluar nga organizatorët. E njëjta situatë është konstatuar edhe për kufizimin e dhuratave deri në 500 lekë që mund të ofrohen nga kandidatët. Maska, bluza t-shirt dhe bluza tutash (hoodie) ishin dhuratat më të zakonshme për mbështetësit dhe pjesëmarrësit në eventet e kandidatëve. Disa prej cmimeve të artikujve të siguruara nga një prej kompanive kryesore të promocioneve në këtë fushë, konfirmonin se kufiri prej 500 lekësh është i ulët për të përballuar koston e tutave apo bluzave t-shirt të stampuara. Listë çmimesh mesatare për materiale promocioni (deri 100 copë – TVSH përfshirë).  Bluzë t-shirt e stampuar – 900 / 1.000 lekë. Xhup i hollë për shiun – 1.400 lekë. Bluze tutash/hoodie – 2.400 lekë.

“Monitorimi në terren si dhe denoncimet e mbërritura pranë KQZ dëshmojnë për një përdorim të ambjenteve të shkollave publike për të organizuar takime elektorale”

Pikëpyetje për monitorimin e shpenzimeve elektorale

Ky studim nuk ka monitoruar shpenzimet financiare të subjeketeve elektorale, të kandidatëve për deputetë në reklamat televizive, në sponsorizimet në rrjetet sociale. Gjithashtu, nuk është monituoruar shpenzimet financiare të përdorimit të mjeteve lëvizëve  shtetërore të përdorura nga kandidatët për deputetë në takimet elektorale në zonat e tyre elektorale, nëse kandidatët për deputetë, të cilët kanë qenë edhe zyrtarë të shtetit, a kanë përfituar dieta shtetërore në ditët që kanë zhvilluar fushatë elektorale në qendrat e tyre elektorale. Gjithashtu, shumë zyrtarë të administratës publike u përdorën edhe si vëzhguesë, komisionerë, numëruesë votash në ditën e zgjedhjeve dhe më pas, ndaj nuk është monitoruar a janë paguar nga shteti në këto ditë, kur ata kanë munguar nga puna shtetërore.

Kufizimet e vendosjes së materialeve propagandistike statike

Në lidhje me kufizimet e vendosjes së materialeve propagandistike statike në fasadat e godinave të banimit, institucione publike ose ambiente rrethuese pranë e rreth tyre, janë konstatuar prezencë e posterave (billboard) e afishuar në fasada apo instalime promocionesh private nga kandidatët e forcave kryesore në Tiranë, Shko­dër, Elbasan dhe sidomos në Gjirokastër. Në vendimmarrjen e KQZ në Vendimin nr. 203 / 07.04.2021 (Material i PS në ekranin promocional LED në Komunën e Parisit) u argumentua se rasti i materialeve propaganduese në hapësira të kompanive private të promovimit nuk mund të konsiderohet si shkelje përderisa këto hapësira janë të licensuara nga organet e qeverisjes vendore. Sidoqoftë, shembujt e hasura gjatë fushatës janë të ndryshme dhe mbetet për t’u shqyrtuar rast pas rasti nëse ka apo jo shkelje të kufizimit për promovimet elektorale në fasada publike.

Rastet e ngjitjes së posterave propagandistike në ambjente publike ishte nje fenomen i kufizuar (kandidatët e PS Halit Valteri në Kamëz dhe Rrahman Rraja në Krujë) dhe që nuk u konstatua në një përhapje të madhe.

Rekomandime

– Struktura aktuale e menaxhimit të adminis­tratës shtetërore, përtej shërbimit civil, e bën të pamundur kontrollin e plotë të emërimeve dhe ndryshimeve që mund të ndodhin në prag të zgjedhjeve. Kufizimet aktuale në Kodin Zg­jedhor, të cilat janë fokusuar në periudhën e fushatës zgjedhore (vetëm 1 muaj) rezultojnë të pavlefshme në rast se strukturimet e organ­ikave me efekt zgjedhor nisin disa muaj për­para.

– Pavarësisht ndryshimeve pozitive në legjis­lacionin për financimet e fushatave, kontrolli i përdorimit të burimeve shtetërore në zgjedhje kërkon shumë më tepër hetim dhe auditime pranë institucioneve përkatëse. Mund të jetë më vlerë që Kontrolli i Lartë i Shtetit, si in­stitucioni krysor auditues, të plotësojë më tej detyrat e ngarkuara ndaj KQZ nga Kodi Zg­jedhor.

– Kufizimet për përdorimin e burimeve insti­tucionale nga ministrat dhe zyrtarët që kandi­dojnë duhet që të shoqërohen me akte dytësore dhe rregullore të brendshme institucionale për të përcaktuar më mirë ndarjen mes detyrës dhe angazhimit politik si dhe transparencën e duhur ndaj publikut.