Prof. Dr. Enver Bytyçi: Ndërkombëtarët, nuk duhet të mbështetin autokracinë në Shqipëri

251
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Nuk mundet që Shqipëria të mbahet peng i marrëdhënieve midis Fuqive të Mëdha! Shqipëria ka për obligim të kryejë detyrimet e veta, por jo të bëhet top pingpongu në fushën e lojës së të mëdhenjve!

Prof. Dr. Enver Bytyçi, në intervistën për gazetën “Telegraf”, duke iu referuar raportit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, pohon se ky raport është një goditje e rëndë për mazhorancën dhe një thupër fshikulluese për mungesën e zgjedhjeve të lira në Shqipëri. Prof. Bytyçi, këshillon opozitën, që duhet të çojnë në kancelaritë e Evropës dhe të SHBA-së, të gjithë dosjen e krimeve zgjedhore, dhe, nuk është çudi, pohon Prof. Enver Bytyçi, që pasandaj, raportet e ndërkombëtarëve të shkruajnë se “Regjimi i Edi Ramës, i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, është ilegjitim!”. Prof. Bytyçi, shton se ndërkombëtarët me qëndrimin dhe me raportet e tyre për zgjedhjet në Shqipëri, meqë i shikojnë me sytë e tyre krimet zgjedhore, nuk duhet që të mbështetin autokracinë në Shqipëri, por të kritikojnë shkeljen e standardeve demokratike të procesit të votimeve, sepse, “nuk mundet që Shqipëria të mbahet peng i marrëdhënieve midis Fuqive të Mëdha!”

Ja intervsita e plotë dhënë për telegraf.al: 

-Prof. Bytyçi, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës paraqiti raportin e vëzhguesve të saj për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në Shqipëri. Sipas jush, a pasqyron ky raport realitetin?

–  Asambleja e Parlamentare e Këshillit të Evropës në raportin e saj për zgjedhjet në Shqipëri ka raportuar për ato probleme që ajo vetë ka konstatuar. Domethënë, nuk është nisur nga informacionet e institucioneve të tjera brenda dhe jashtë vendit. Në këtë raport preken fenomenet më  negative të manipulimit të zgjedhjeve. Jam i sigurt se kjo Asamble ka mbajtur shënim thirrjen e kryeministrit për administratën dhe kërcënimin që ai i bëri kësaj administrate, nëse ajo nuk punonte për PS-në. Këtë e dëshmon fakti se Asambleja vëren angazhimin e plotë të administratës në zgjedhje pro PS-së. Jam i sigurt se në Asamblenë Parlamentare është shënuar deklarata e zotit Rama, kur e shpalli veten kryepatronazhist dhe kur i kërconoi kundërshtarët opozitarë se “do t’i ndjekë ata deri në vrimën e miut”! Kjo ka bërë që në raport të theksohet fort fakti se dolën të dhënat e 910 mijë qytetarëve të kryeqytetit. Po ashtu grupi vëzhgues i Asamblesë kishte vërejtur vetë shit-blerjen e votës, së paku në një rast. Por kur kjo ka ndodhur në sytë e vëzhguesve të Këshillit të Evropës, merret me mend se çfarë ka ndodhur më herët dhe në zonat e pavëzhguara! Po ashtu, Asambleja ve në dukje se marrëveshja e 5 qershorit u prish nga mazhoranca dhe se ndryshimi i Kodit Zgjedhor dhe i Kushtetutës, krijoi disekuilbra të caktuar. Nuk është as kjo një vërejtje anësore, madje është pikë kthese, po të kemi parasysh se ambasadorja amerikane dhe ai i BE-së e kanë justifikuar këtë akt të turpshëm të Edi Ramës! Nuk po hyj në detaje të tjera, por është fakt se raporti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës është një goditje e rëndë për mazhorancën dhe një thupër fshikulluese për mungesën e zgjedhjeve të lira në Shqipëri.

“Opozita do të duhet që t’i evidentojë me shifra dhe fakte e dëshmi konkrete të gjitha konkluzionet e Këshillit të Evropës”

– Sipas jush, pse ka 2 realitete midis raportit të Asamblesë Parlamentare të KiE dhe denoncimeve të Opozitës Shqiptare që bën fjalë për masakër zgjedhore në 25 prill?

– Në këtë kuptim, unë mendoj se masakra zgjedhore është një vepër tashmë e konsumuar sa i përket procesit dhe votimeve të 25 prillit të kaluar. Nuk ka vëzhgues asnjanës që nuk pajtohet me këtë përfundim, nëse i dëshmohet fakti se vetëm në tri javët e fundit të fushatës zgjedhore qeveria ka shpërndarë në kontot e qytetarëve shqiptarë dhjetra milionë euro, ndërkohë që në muajt e mëparshëm ose të pastajmë pas zgjedhjeve nuk ka shpërndarë asnjë grosh! Ishte blerje shtetërore e votës, ishte manipulim shtëtëror jo i sofistikuar, siç e quajnë disa, por i drejtpërdrejtë dhe i përçudnuar. Kryeministri dhe mazhoranca nuk patën asnjë lloj dileme dhe ndjenjë frike për ta bërë këtë manipulim me blerje e shitje votash dhe me transaksione shtetërore për votuesit e blerë. Nuk iu drodh dora që të votonte ndyshime ligjore e madje kushtetuese për ta tjetërsuar në start rezultatin e votimit. Nuk u tremb nga askush, as nga garantët perendimorë të demokracisë, kur zgjodhi Rexhep Tayp Erdogan si partner dhe bashkëpunetor në grabitjen e zgjedhjeve. Nuk u mërzit aspak nga publikimi i të dhënave për qindra mijëra qytetarë shqiptarë. Përkundrazi, u mburr dhe kërcënoi edhe pas aktit të publikuar me këtë fakt! Në këtë kuptim opozita do të duhet që t’i evidentojë me shifra dhe fakte e dëshmi konkrete, të gjitha konkluzionet e Këshillit të Evropës.

“Unë shoh se në raportin e Asamblesë Parlamentare të KiE-së, lihet të kuptohet se në të ardhmen do të ketë interpretime të tjera. Varet nga dosja që do të dërgojë opozita në qarqet evropiane dhe të SHBA-ve.”

“Nuk mundet që ata që qeverisin Shqipërinë të na imponojnë nga jashtë, duke mbështetur autokracinë. Nuk mundet që Shqipëria të mbahet peng i marrëdhënieve midis Fuqive të Mëdha!”

– A mendoni se Këshilli i Evropës është pragmatist, sa të pranojë edhe standarde të tilla zgjedhore, si në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në Shqipëri, ku qeveria përdori pushtetin, burimet shtetërore, në shërbim të votës për partinë në pushtet,  shkeli të drejtat e njeriut me vjedhjen dhe përdorimin e të dhënave personale të shqiptarëve nga patronazhistët, etj.?

– Natyrisht që Këshilli i Evropës do të fliste deri diku me gjuhë diplomatike, sepse ndryshe do të duhej të thoshte se “Qeveria e dalë nga këto zgjedhje është legjitime”! Por nuk është as larg asaj që një moment të caktuar të ndërrojë qëndrim dhe të thotë: “Po, qeveria e mandatit të tretë të Edi Ramës është jo legjitime”! Siç ishte, përshembull, qeveria e Fan Nolit e qershorit 1924. Unë shoh se në raport lihet të kuptohet se në të ardhmen, do të ketë interpretime të tjera. Varet nga dosja që do të dërgojë opozita në qarqet evropiane dhe të SHBA-ve. Kjo dosje duhet të nxjerrë jashtë loje jo vetëm qeverinë e korruptuar të Edi Ramës që e çoi Shqipërinë në një radhë me Marokun në vendin e fundit në botë sa i përket mitmarrjes, por duhet të tronditë edhe integritetin e ambasadorëve servilë, të manipuluar e ndoshta të blerë të kryeministrit në Shqipëri. Këta ambasadorë, të kujtdo të jenë, duhet që Presidenti t’i shpallë të padëshirueshëm në Shqipëri. Derisa ata kanë filluar të na marrin mbarë për të na shpallur të gjithëve ne të padëshirueshëm në vendet e tyre!  Kjo lloj politike  duhet të marrë fund. Dhe merr fund me zgjedhje të lira e të ndershme, duke vendosur standarde demokratike në zgjedhje, e standarde  diplomatike sipas Konventës së Vjenës, në marrëdhëniet me vendet e tjera! Nuk mundet që ata që qeverisin Shqipërinë ta na imponojnë nga jashtë, duke mbështetur autokracinë. Nuk mundet që Shqipëria të mbahet peng i marrëdhënieve midis Fuqive të Mëdha! Nëse Fuqitë e Mëdha kanë rol në Kosovë, Shqipëria ka për obligim të kryejë detyrimet e veta në NATO e përballë standardeve evropiane, por jo të bëhet top pingpongu në fushën e lojës së të mëdhenjve! Një antishqiptar si Edi Rama mund ta lejojë këtë situatë, por shqiptarët atdhetarë e patriotë janë më shumë dhe në zgjedhjet e 25 prillit, dëshmuan se ishin shumicë, e cila me vjedhje e manipulime u shndërrua në pakicë!

– Ju falenderoj!