Xhevat Mustafa: Shtetit tonë i kanë ngecur jo vetëm orët e murëve…!

73

…Nëpër disa ambjente të brendshme të institucioneve të shtetit, të qeverisjes qendrore dhe lokale, të Policisë së Shtetit, të disa ministrive…, më gusht 2020 dhe jo më gusht 1913, gusht 1945 apo gusht 1991, kanë ngecur edhe akrepat e orëve, edhe kamerat, jo rrallë herë edhe faqet e tyre në internet, që harrohen si shpesh të rinovohen  apo “rilinden”… 

Nga Xhevat Mustafa

Ditën e mërkurë, dt. 5 gusht 2020, rreth orës 12.00, isha për të tërhequr pasaportën e re në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, në rrugën “Sami Frashëri”. Rrespektimi i masave anticoronavirus ishte korrekt nga personeli dhe qytetarët. Po kështu, edhe shërbimi nga policët në hyrje dhe nga punonjësit në sale. Por, në sallën e madhe, më ra menjeherë në sy një detaj. Një nga ata që shpesh e masivisht, sidomos nga lart, quhen dhe kalohen  si “vogëlsira”. Por, nëqoftëse  mblidhen të gjitha këto “vogëlsira”, përbëjnë një varg të gjatë dhe shprehin shumë. Nëpër muret e sallës së madhe ishin rreth dhjetë orë me diametër rreth 40 cm e me 1 ose 2 bateri 1.5 v. Akrepat e asnjerës nuk tregonin të njëjtën  orë, sepse nuk ishin funksionale. Në drejtori e ministri mund të justifikohen se qytetarët dhe personeli kanë orë dore dhe celularë, e ato janë të tepërta apo të panevojshme. Por, për deri sa janë akoma varur nëpër mure dhe nuk janë hequr fare, nuk kërkon angari dhe faturë  të madhe vënia në funksionim e këtyre orëve. Aq më tepër, po të kemi parasysh se qytetarët paguajnë për një pasaportë dhe kartë identiteti 8.500 lekë. Duke e ditur se sa kushtojnë 10 apo 20 copë bateri për rreth 2-3 muaj, merret me mend se fatura nuk rëndon fort në buxhetin e Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit. Nuk mund të harrohet se kjo drejtori përfiton me mijëra lekë të reja në ditë edhe nga gjobat e shumëllojshme. Këtë “vogëlsirë”  dhe “harresë” të zgjatur, po e bëj problem më tepër nga shqetësimi personal dhe përtej qytetar, me synimin dhe dëshirën që të mos mësohemi dhe ambjentohemi me harresat e shumë vogëlsirave, sepse prej tyre mund të na ndodhin të papritura e të këqia të mëdha. Ky “detaj i vockël” shpreh edhe nivelin e seriozitetit, funksionalitetit, të etikës, kulturës, edukatës qytetare në dikastere dhe në administratën tonë shtetërore. Njëkohësisht lë përshtypje jo pozitive edhe për imazhin jo vetëm të institucionit në fjalë, por edhe më gjërë e më lart.Kësaj mund t’i shtojmë edhe një “harresë” tjetër të shpeshtë e jo përherë e “rastësishme”, sidomos kur kanë lidhje me deputetë, drejtues lokalë dhe zyrtarë me peshë të partisë në pushtet, apo më saktë të “rilindjes”. Fjala është për  “harresën e vënies në punë” të kamerave të sigurisë nëpër rrugë, rrugica, sheshe, lokale. Nëse i marrim të lidhura këto “vogëlsira”, jepet shkas dhe arësye të mendohet se nga “harresa” e tyre mund të ndodhin edhe gjëma. Le të kujtojmë se “rastësisht” kamerat nuk ishin funksionale në vrasjen në Elbasan më 31 korrik, me viktimë Florjan Lamçen dhe në vrasjen më 4 gusht në Tiranë, me viktimë taksistin 71- vjeçar Abdulla Budlla. Kështu ato, nuk  i kanë  ndihmuar aspak ekspertët e policisë,  të hetuesisë dhe prokurorisë për zbulimin e autorëve dhe të vërtetës së plotë e të pastër, duke u lënë autorëve dhe avokatëve mbrojtës të tyre hapësirë të bollshme e të vlefshme për alibira qesharake, për justifikime të trasha dhe për lehtësime të pamerituara. Pra, nëpër disa ambjente të brendshme të institucioneve të shtetit, të qeverisjes qendrore dhe lokale, të Policisë së Shtetit, të disa ministrive, drejtorive të përgjithshme, të drejtorive qytetëse…, më gusht 2020 dhe jo në gusht 1913,gusht 1925, gusht 1945 apo gusht 1991, kanë ngecur edhe akrepat e orëve, edhe kamerat, jo rrallë herë edhe faqet e tyre në internet, që harrohen si shpesh të rinovohen apo të “rilinden”, qoftë edhe formalisht dhe me mangësi të ndjeshme…

“Janë dhënë këmbana alarmi për lidhje të drejtuesve, oficerëve dhe policëve të thjeshtë me krimin në përgjithësi dhe të kultivimit dhe tregtimit të kanabisit “

Në mënyrë figurative, nga jo pak zyra të tyre, kanë ngecur edhe jo pak këmbë nëpër ferrat mes parcelave të shumta e të pafundme të kanabisit; edhe plot mëngë dhe pjesë të fundme të pantallonave, xhaketaveve, bluzave apo këmishave firmato nëpër degët e kanabisit! Po, kështu, në këtë “pyll amazonian” me “vogëlsira” papërgjegjshmërie, paaftësie, indiferentizmi, neglizhence, burokracie, korrupsioni, ngecin me muaj e vite, pa zgjidhur halle e pa kryer punë, pa miq e zarfa,  edhe plot qytetarë të thjeshtë, edhe kur problemet e tyre nuk janë fort të koklavitura. Le të vazhdojmë me “vogëlsira” dhe “harresa” të tjera, sipas frazeologjisë justifikuese nga drejtuesit e institucioneve në të tre nivelet e piramidës shtetërore dhe administrative.

Në Raportin e SHÇBA-së në Ministrinë e Brendshme, publikuar në medie më 2 gusht 2020, duke e marrë për kompromis dhe tolerancë si 100% të saktë, e jo të  redaktuar dhe korrektuar me tendencë uljeje të ndjeshme, janë përfshirë disa shifra të frikshme dhe alarmante për vitin 2019. Kuptohet se këto, për nivelet që kanë, për mesazhet dhe shqetësimin që mbartin, nuk mund të cilësohen dhe justifikohen kurrësesi, si ‘vogëlsira” dhe “rastësira”.

“474 punonjës janë dërguar në prokurori për vitin 2019, nga 265 në krahasim me një vit më parë, ose  78% më shumë. Për vitin 219 janë zhvilluar 4 operacione, ku oficerë policie kishin lejuar kultivimin e rreth 20.000 bimëve kanabisi…”.Nënkuptohet se kjo ka ndodhur në bashkëpunim korruptiv me bosët, kuptohet përkundrejt pjesës së tyre të shpërblimit për symbylljen dhe mosveprimin. Më tej, raporti thekson se “sot qytetarët kanë ankesa për mosveprimin e policisë, sjellje jo etike, vendosje pa të drejtë e gjobave dhe shkelje të procedurave të punës, ku Tirana mban peshën kryesore. Nga monitorimi i sallës ka rezultuar se për rreth  27% të telefonatave, që vijnë nga qytetarët për ngjarje urgjente, policia ka reaguar me vonesë, apo nuk ka reaguar fare”.                                                                                                                                                                                Duke bërë pak humor, këto shifra, që shprehin përkeqësim të dukshëm të gjendjes , punëve dhe të detyrave në Policinë e Shtetit dhe në Ministrinë e Brendshme në përgjithësi, u japin të drejtë Sajmir Tahirit dhe Fatmir Xhafajt të na kujtojnë se në periudhën e ministërllëkut të Sandër Lleshajt  “keni rënë nga shiu në breshër”. Kuptohet lehtësisht se këto shifra e jo “vogëlsira” dhe “rastësira”, të “neglizhuara nga mbingarkesa 24 orëshe e punës”, siç përpiqen t’i justifikojnë disa nga lart e poshtë, janë rrjedhojë dhe shprehje e partishmërisë, militantizmit dhe politizimit në politikën e kuadrit në shumicën e insticioneve të qeverisjes  dhe atyre shtetërore, qendrore dhe lokale. Nga kjo traditë dhe nga ky mentalitet, nga pesha më e rëndë e teserës, e votës, e zarfave korruptivë mbi  cv-të, aftësitë, vlerat e vërteta e të pastra, është e pritshme që, nëpër ministri, drejtori të përgjithshme, bashkira, dogana, tatime, hipoteka, hallka në piramidën e drejtësisë, të arrinin t’u kalonin nën hundë drejtorive të personelit, rekomanduesve, përzgjedhësve, firmosëve dhe vulosësve të vendimeve përfundimtare, jo pak, por edhe me tufa njerëz të padenjë, me fije të vjetra e të reja lidhjesh me krimin shqiptar e ndërkombëtar. Kultivimi i “vogëlsirave” dhe “rastësirave” dhe toleranca e tepëruar ndaj tyre, ka ardhur edhe nga lart, nga ministrat e brendshëm, pa përjashtuar edhe qenien në dijeni të kësaj gjendjeje të kryeministrit Edi Rama. Për të dëshmuar e për t’u bindur se këto detaje, “vogëlsira”, shifra…shprehin vazhdimësi disa vjeçare, po kujtoj se në medie janë dhënë këmbana alarmi për lidhje të drejtuesve, oficerëve dhe policëve të thjeshtë me krimin në përgjithësi dhe të kultivimit dhe tregtimit të kanabisit më konkretisht, edhe më 12 gusht 2016, edhe 30 tetor 2017, edhe më 3 mars 2018 si dhe në ditë, javë e muaj të tjerë të gjithë këtyre viteve. Për t’u bindur edhe më shumë se nga toleranca e tepëruar apo korruptive e vazhdueshme ndaj “vogëlsirave të rastësishme” apo “të pa vëna re” nga përmbytja me “punë më të rëndësishme” e nga zarfa të rëndë, vijnë edhe katastrofa shumë të mëdha, na ndihmon edhe një fakt fare i freskët, shpërthimi i tmerrshëm në Bejrut, kryeqytet  i Libanit, më 4 gusht 2020.