Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban, bëri të premten një vizitë zyrtare në Shqipëri. Ai u prit në një takim nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Dy kryeministrat, pas takimit mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Hungarez, kritikoi Bashkimin Evropian në lidhje me zvarritjen e procesit të integrimit. Sipas tij, Bashkimi Evropian nuk e ka kuptuar ende rëndësinë e Ballkanit Perëndimor. “Konkurrenti i Evropës është në rënie dhe çështja është si mund ta konsiderojmë integrimin e Ballkanit në BE, është një problem apo një mundësi? Nëse Evropa nuk do të mbetet pas në zhvillimin botëror, rezervat e rritjes ekonomike janë në Ballkan dhe nuk gjenden në asnjë rajon tjetër të Evropës. Për këtë arsye kërkojmë që Shqipëria të anëtarësohet. Sa i përket BE-së, është e turpshme dhe e papranueshme se sa ngadalë po ecën zgjerimi i saj”,0 tha Orban, duke theksuar se Shqipërisë i janë dashur 13 vjet që të marrë statusin e vendit kandidat. Ai theksoi se mbështetja financiare e BE-së për Ballkanin është shumë e ulët krahasuar me fondet që jepen për vendet e tjera. “BE-ja nuk është në gjendje të mirë sot, do të paguajë një çmim të lartë nëse nuk e pranon Ballkanin” – tha mes të tjerash në fjalën e tij Orban. Ndërsa Rama i pyetur për situatën në Kosovë tha se “Kosova mund të humbasë mundësinë e artë për një marrëveshje me Serbinë”. Rama tha se Kosova ka një dokument marrëveshje të mbështetur nga bashkësia euroatlantike dhe sipas tij kjo duhej parë si një mundësi e artë. Mes rreshtash Rama u duk sikur paralajmëroi kur tha se kjo marrëveshje “nuk është e thënë që është që të jetë aty përgjithmonë”.“Mund të hyjmë në një tjetër kohë të gjatë në histori ku nuk mund të kemi zgjidhje”, -tha kryeministri. “Bashkësia euroatlantike i ka dhënë Kosovës mundësinë e artë dhe propozimi në tryezë i mbështetur nga bashkimi evropian dhe SHBA është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë Kosovës. Prandaj edhe një gjë do të shtoja. Unë nuk kam eksperiencën e kryeministrit, por besoj mund ta them me plot gojën, ajo marrëveshje që është në tavolinë dhe kjo mundësi e artë që është në këtë moment nuk është e thënë që të jetë aty përgjithmonë”. – tha Edi Rama.