Opozita shqiptare/ Gati aksioni opozitar! Parlamentin nuk e braktisim, aleatët na mbështesin në betejën kundër regjimit

35
Sigal

Në konferencën e përjavshme për shtyp me gazetarët Sali Berisha lideri historik i Partisë Demokratike të Rithemelimit duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve tha të premten në mënyrë të prerë se “Parlamentin nuk e braktisim.” Mbi këtë ai shtoi se: “Ne kemi vendimet tona. Do shkojmë në seancë, aty do jemi, po parlamentin nuk e braktisim. Ata do donin që ne të iknim, por absolutisht jo. Kjo është betejë pa kthim.” – tha Berisha. Berisha duke folur për aksionin opozitar tha se ai ka mbështetjen e plotë të partive. Sipas tij ky aksion do të bëhet një uragan. “Aleatët e mbështesin plotësisht aksionin që nisëm. E kanë mbështetur dhe e mbështesin. Ky është një aksion opozitar, që do bëhet uragan opozitar. Edhe nga Partia e Lirisë, të gjithë bashkë, nuk kemi asgjë të ndarë. Vendimi është konsultuar paraprakisht me Partinë e Lirisë. Dhe vazhdojmë. Vazhdojmë betejën! Ky aksion do bëhet uragan”. Berisha foli edhe për situatën aktuale ku dhëndri i tij po përballet me akuza të ngritura nga SPAK. “Ne jemi tani në betejën pa kthim. Unë e kam sulmuar qeverinë më shumë se kurrë këtë javë. Nëse unë them se ky është procesi politik i shekullit, ky është sulm ndaj qeverisë, jo mbrojtje ndaj meje. Kam zbërthyer para jush një mashtrim të turpshëm monstruoz. E dini ju se në atë kallëzim penal rreshtohen nja 18 akuza, që të gjitha absolutisht mashtrim dhe false? Dhe unë i kam rrëzuar këtu para jush. Unë kam faktuar se çfarë karakteri ka regjimi i Edi Ramës dhe i drejtësisë. Të hetosh 3 vjet rresht, të mos thërrasësh kurrë ata që akuzon, të përfundosh pa gjetur asnjë provë dhe t’i dërgosh si masa sigurie për persona në hetim, këtë e bën vetëm Edi Rama me mercenarët e tij, nuk mund ta bëjë njeri kurrë. A e patë atë enveristen dje? Ç’ishte ajo mo? Ajo mirë e boll që nuk kishte nxjerrë Enver Hoxhën në shtrat, por kishte nxjerrë Edi Ramën. Këtë gabim nuk e kishte bërë se do quhej nekrofili.” – tha Berisha.