Kryebashkiaku Veliaj/ Me përurimin e shkollës “Besnik Sykja” nis një etapë suksesi i këtij gjimnazi me më shumë lehtësira për nxënësit

48
Sigal

Shkolla “Besnik Sykja” ka tashmë një pamje tërësisht të re. Rikonstruksioni i saj ka bërë brenda saj 27 klasa të reja, biblioteka, palestra moderne dhe hapësira të tjera multifunksionale të mundësojnë më shumë lehtësira për nxënësit, mësuesit, por dhe komunitetin e zonës. Godina e re e gjimnazit ikonë të kryeqytetit u përurua nga kryetari i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj të premten. Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj tha se shkolla e rindërtuar do të çelë një tjetër etapë të historisë së suksesit të këtij gjimnazi në Tiranë, si dhe është një xhevahir, që i shtohet Tiranës. “Të gjitha shkollat e reja kanë dalë më të mëdha seç ishin, madje shumë herë më të bukura, por çështja është çfarë bëjmë? Tani i kemi ‘kompjuterët’, por pa ‘softe’ nuk punojmë dot. Tani na duhet më shumë dedikim nga mësuesit. Dikush që do të bëhet si Besnik Sykja, një basketbollist i njohur, apo Dua Lipa e ardhshme, i ka të gjitha mundësitë dhe krahët e hapura për të fluturuar. Por, varet nga ne, sa do i inkurajojmë”,- tha ai duke shtuar se në Tiranë çdo fëmijë ka mundësi të shkojë në shkollë të standardeve evropiane, por edhe të ndjekë pasionet e ëndrrat në institucione dedikuar totalisht atyre, një prej të cilave dhe më kryesorja Piramida. Sipas Veliaj: “Cinikët dhe skeptikët thonë përditë se ‘ky vend nuk bëhet’. Dakord, ky vend nuk bëhet, por vjet ishim Kryeqyteti Evropian i Rinisë. Ky vend nuk bëhet, por këtë vit jemi Qyteti Evropian i Sportit. Thonë ky vend nuk bëhet, por ajo Piramida mblodhi gjysmën e Evropës dhe është shkolla më e madhe në Tiranë. Kryetari i Bashkisë më të madhe në Shqipëri tha duke shtuar se ‘Petro Nini’ dhe ‘Edit Durham’ janë dy shkollat e tjera ikonë të Tiranës, të cilat do të rindërtohen në paketën e radhës. Tani që jemi liruar pak, do mbarojë edhe kjo paketë e shkollave, (dy lotet e reja në Astir, në Sauk dhe te zona e Liqenit të Thatë), ndërkohë dua shumë që në Njësinë 5 të vijojmë me dy shkollat ikonë, që në fakt kanë qenë më të mirat të ndërtuara në ato vitet ’60-’70, por sot me shkollat e reja, kanë ngelur pak mbrapa”,- tha Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj.