Balluku: Dalja nga lista gri e pastrimit të parave rrit investimet e huaja

Zëvendëskryeministrja njëherësh edhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e cilësoi vendimin e FATF (Financial Action Task Force) për nxjerrjen e Shqipërisë nga lista gri e pastrimit të parave si një vlerësim, dhe që e rrit reputacionin e vendit në arenën ndërkombëtare. Ajo tha se ky vendim i marrë këtë të premte forcon më shumë reputacionin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare, krijon kushte të favorshme për investime të huaja të mëtejshme, ul kostot e borxhit dhe nga ana tjetër, ofron edhe një sërë benefitesh të tjera. “Lista gri është një listë dinamike, e cila ndryshon çdo vit dhe për të thënë të drejtën disa nga vendet anëtare të Bashkimit Europian, që janë pjesë e Ballkanit sot janë futur në listën gri, ndërkohë që ne kemi dalë për shkak të të gjithë punës, të të gjithë angazhimit. Ky është një vlerësim i madh që ndodh. Nga ana tjetër, dalja nga lista gri rrit reputacionin e Republikës së Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, krijon kushte të favorshme për investime të huaja të mëtejshme, padyshim ul kostot e borxhit dhe nga ana tjetër, ajo që krijon është vlerësimi që institucionet financiare ndërkombëtare do të kenë për vendin tonë. Lehtëson kryerjen e transaksioneve bankare brenda dhe jashtë vendit dhe një sërë benefitesh të tjera, që vijnë si pasojë e këtij vendimi, që është marrë sot në seancën plenare të FATF, por padyshim edhe të gjithë përpjekjeve dhe angazhimeve që Qeveria Shqiptare dhe institucionet kanë ndërmarrë,- tha Belinda Balluku.

NOA