Nis përshkallëzimi i protestave/ Opozita e Bashkuar bllokoi 5 akset kombëtare të vendit, duke dërguar mesazh mazhorancës dhe ndërkombëtarëve, se në 30 qershor opozita do të bllokojë qendrat e manipulimit të votës së lirë

392
Sigal

Opozita e Bashkuar filloi përshkallëzimin e protestave në gjithë Shqipërinë. Hapi i parë: Bllokimi simbolik i 5 akseve kombëtare

Pa zgjedhje të lira Shqipërisë nuk do të hapen dyert e Evropës

Jakup B. GJOÇA

Opozita e Bashkuar, pas nënshkrimit të Koalicionit Opozitar dhe marrëveshjes, dje hodhi hapin e parë të përshkallëzimit të protestave, duke bllokuar për rreth një orë në mënyrë simbolike 5 akset kryesore kombëtare në gjithë Shqipërinë. Basha zgjodhi në këtë protestë të ishte larg Kryemadhit, pasi kreu i PD ishte në Milot, ndërsa kryetarja e LSI mbështeti qytetarët në Durrës. Në Bradashesh qytetarët zgjodhën që të djegin gomat, ndërsa në Durrës ndezën flakadan. Përshkallëzimi i protestave, drejt radikalizmit është paralajmërimi i Opozitës, jo vetëm ndaj mazhorancës, e cila vazhdon arrogancën e saj politike, derisa dje, paralelisht, kryeministri Rama nga foltorja e parlamentit, deklaroi se zgjedhjet vendore do të zhvillohen edhe pa opozitën “rrugore”, por edhe ndaj partnerëve ndërkombëtarë, të cilët deri tani, shikojnë tek aksioni opozitar elemente të destabilizimit të Shqipërisë dhe …çuditërisht, ligjërojnë zgjedhje vendore edhe pa opozitën, duke “bekuar” një zgjedhje monopartiake.

Protesta orë pas ore : 17:38 Nis bllokimi i rrugëve, qytetarët drejtohen tek autostrada në Milot

Qindra qytetarë nga Lezha, Shkodra dhe zonat përreth kanë nisur bllokimin e autostradës në Milot, aty ku do të bëhet dhe grumbullimi i të gjithë qytetarëve. Kryetari i PD, për këtë zonë Xhevdet Amuli ka thënë nga protesta se zgjedhje me Ramën nuk do të ketë. Ai më tej shtoi se do të vijohet me protesta.

18.00 Fermerët i vejnë ‘flakën’ Bradasheshit: “Rama po na varfëron për tepsinë e tij”

Me mijëra protestues kanë bllokuar rrethrrotullimin e Bradasheshit në Elbasan. Bashkë me protestuesit janë bashkuar edhe shumë fermerë, të cilët kanë shprehur të gjithë pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisjes Rama që, sipas tyre, po i varfëron nga dita në ditë.

18:11 Plas grushti në protestën e opozitës, drejtuesi i mjetit përplaset me qytetarët

Një incident ka ndodhur pak më parë në protestën e opozitës në Tiranë. Një drejtues mjeti është përplasur me një protestues që kishte bllokuar rrugën.

18:23 Kryemadhi ultimatum Ramës: Ndërkombëtarët e kanë kuptuar, ke vetëm 9 javë kohë

Nuk do të ndalemi. Befasia ndaj strategjisë që Edi Rama ka ndërtuar me krimin e organizuar për të uzurpuar shqiptarët do të jetë elementi kryesor i protestës së shqiptarëve. Këto nuk janë më protestat e opozitës, këto janë protestat e shqiptarëve. Sot nuk ka rrugë tjetër, o do të jesh me qytetarët, o do të jesh me krimin e organizuar. Është paralajmërimi për Ramën. Akoma nuk ka filluar. Akoma nuk ka filluar mosbindja civile. Akoma Edi Rama nuk e ka parë revoltën e shqiptarëve. Ka vetëm 9 javë për të kuptuar se çfarë ka ndodhur ndërkombëtarët.

18:54 Basha me tone të forta nga Miloti, mesazh Patozit dhe deputetëve të rinj: Opozita e vetme jemi ne, nuk klonohet

Lideri i PD-së, Lulzim Basha nga Miloti deklaroi se pa zgjedhje të lira e të ndershme, nuk do të hapen dyert e Evropës. “Pa zgjedhje të lira nuk do të hapen dyert e Evropës. Ne jemi të vendosur se kështu nuk mund dhe s’do të vazhdohet më. PD dhe opozita e bashkuar është koalicioni më i madh politik, është maxhoranca më e madhe politike që e duan vendin. Zgjedhjet farsë na kanë sjellë deri këtu. Ora e Ramës dhe 20 hajdutëve të tij po mbaron. Me 30 qershor s’do të ketë zgjedhje në Shqipëri, pa opozitën. Ne jemi të vendosur që të mos lejojmë më krimin në vend. Në burg do të shkojnë të gjithë bashkëpunëtorët politik të Ramës. Më 30 qershor nuk ka për të pasur zgjedhje në Shqipëri. Këtë e di edhe bufi edhe vëllai i bufit Edi Rama. Opozita as nuk klonohet, as nuk shpiket dhe as nuk krijohet siç krijohen shërbëtorët dhe mercenarët e Edi Ramës”. – u shpreh Basha

19:15 Protestuesit i vënë flakën projektit të “Unazës së Madhe”

Në Fier, grisin dhe djegin foton e Ramës si Maduro

Vuvuzela, pankarta të ndryshme dhe thirrjet “Rama ik” u dëgjuan për rreth 60 minuta edhe në Fier. Protestuesit thonë ndër të tjera: “S’ka zgjedhje por protestë. S’ka zgjedhje pa PD”. Protestuesit e opozitës të mbledhur nga Vlora dhe Fieri në rrethrrotullimin e Sheqit mbanin në duar parulla me mbishkrime të ndryshme, por edhe foton e Ramës si Maduro i Venezuelës. Në shenjë simbolikë një protestues e grisi foton dhe më pas i vuri flakën.