Brikena Kasmi: Djegia e mandateve, jo tradhti, por dinjitet dhe moral politik, më i pranueshëm se shkelja e Kushtetutës

1739
Kasmi: Djegia e mandateve, jo tradhti, por një dinjitet dhe moral politik

Dr. Brikena Kasmi, avokate pranë “Afortiori Legal Counsels”, komenton për “Telegraf” lidhur me diskutimin në radhët e opozitës për dorëzimin e mandateve të deputetëve. Avokatja dhe ish-zv/ministrja e Drejtësisë, nënvizon se “Djegia e mandatit të një deputeti që është dhe përfaqësuesi i popullit quhet ndryshe ‘dorëheqje’. Kjo ka ndodhur në vendin tonë dhe më parë me deputetë të ndryshëm dhe është e lejuar nga ligji. Djegia e mandateve të të gjithë deputetëve të një force politike, për më tepër kur kjo forcë është opozita e vetme, cënon ekuilibrat demokratike. Por ky rezultat është më i pranueshëm se shkelja e Kushtetutës nga mazhoranca. Dorëheqja në grup e një opozite është më normale për një demokraci parlamentare se mosrespektimi i një Kushtetute që është ligji themelor”. “Doktrina thotë se ushtrimi i mandatit të deputetit është detyrë dhe përgjegjësi. Por respektimi i Kushtetutës për një ligjvënës është po aq detyrim dhe përgjegjësi. Një shprehje e vjetër thotë se: “një politikan i thjeshtë mendon si të fitojë zgjedhjet e ardhshme, ndërsa një burrë shteti mendon për brezat që do të vijnë”. Në këtë kuadër, ligji themelor i një vendi, legjislacioni i brendshëm dhe çdo rregull garantojnë pjesëmarrjen e pakicës parlamentare (opozitës) për të vendosur për çështjet të rëndësishme si për shembull zgjedhja e prokurorit të përgjithshëm. Kushtetuta e vendit tonë rishikuar para një viti, i mundësoi pakicës parlamentare që të marrë pjesë në zgjedhjen e prokurorit të përgjithshëm”, shprehet Kasmi. Sipas saj, neni 148/a i Kushtetutës, shtuar me ligjin nr. 76/2016 datë 22.7.2016, parashikon: “1. Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me tre të pestat e anëtarëve të Kuvendit, mes tre kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për një mandat 7-vjeçar dhe pa të drejtë riemërimi”. “3/5 e Kuvendit i mundësojnë pakicës parlamentare që të marrë pjesë në një votim. Mospjesëmarrja është një shkelje e pajustifikuar e Kushtetutës. Një titullar i një institucioni që zgjidhet jo në përputhje me parashikimet kushtetuese, pavarësisht periudhave të rastësishme tranzitore, nuk do të mundë të ushtrojë veprimtarinë ligjërisht”, shton avokatja. Sipas saj, “nuk ka kufizime kushtetuese apo në Kodin zgjedhor që një deputet të japë dorëheqjen. Deputeti nëse jep dorëheqjen nga funksioni në një sistem proporcional që konkurron mbi bazën e listës së përgatitur nga një subjekt zgjedhor (parti politike) normalisht zëvendësohet, por nëse shkaku i dorëheqjes përligjet si i nevojshëm në një demokraci parlamentare, është një sinjal dhe kërkesë që forcon demokracinë”. “Një opozitë funksionon për të reaguar ndaj një paligjshmërie. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur me sistem proporcional me zona zgjedhore shumëemërore. Pavarësisht se mandati i deputetit sipas sistemit tonë nuk është detyrues, deputeti nuk përgjigjet për mënyrën si e ushtron mandatin apo mos mbajtjen e premtimeve. Për këto, subjekti zgjedhor votohet dhe populli në këtë mënyrë përfaqësimi pyetet një herë në katër vite. Thënë më ndryshe, përfaqësimi i popullit nuk tradhëtohet nëse opozita reagon ndaj një paligjshmërie, por është tradhtuar nga shkelja e standardit të zgjedhjes së një institucioni të ndryshëm nga parashikimi kushtetues”, sqaron Kasmi. Për të, dorëheqja (djegia) e një mandati nga ana e çdo deputeti nuk do të ishte tradhti, por një dinjitet dhe moral politik. “Nëse Kushtetuta kërkon 84 deputetë që të zgjidhet një zyrtar i lartë dhe për arsye të ndryshme jokushtetuese, deputetët vendosin të shkelin Kushtetutën dhe të votojnë me 69 deputetë, këtu ka një diferencim të moralit politik”, shprehet Brikena Kasmi.
Sigal