Ndërkombëtarët ‘nxijnë’ zgjedhjet

43
Sigal

BE, Birtania dhe SHBA në një linjë me ODIHR: Në 14 maj u përdorën burimet shtetërore, u blenë votat dhe u frikësuan votuesit. Ligj i ri dhe masa për një demokraci të fortë

Raporti i ODIHR për 14 majin, reagon ambasada britanike: Zbatoni rekomandimet

Të martën përmes një reagimi ambasada britanike në Tiranë përshëndeti raportin raportin final të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 14 majit 2023 që u mbajtën në Shqipëri. Nëpërmjet një reagimi të shkurtër britanikët mbitheksojnë se është e rëndësishme që rekomandimet e ODIHR të vihen në zbatim. Në reagimin e saj ambasada përmedn edhe disa nga problematikat kryesore të evidentuar nga misioni ndërkombëtar si keqpërdorimi i burimeve shtetërore në nivel qendror dhe lokal, shitblerja e votës, transparenca e financimit të fushatave të partive politike etj. Britania e Madhe shprehet po ashtu se mbështet punën e Komisionit Ndërpartiak të Reformës Zgjedhore në Kuvendin e Shqipërisë për të siguruar zbatimin e plotë të rekomandimeve. “Ne përshëndesim raportin e OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet lokale të 14 Majit. Është e rëndësishme që rekomandimet e tij të vihen në zbatim, për t’i bërë ballë keqpërdorimit të burimeve shtetërore në nivel qendror dhe lokal, shit-blerjes së votës, të garantojnë një mjedis të drejtë mediatik dhe financimit të fushatës për partitë politike. Mbretëria e Bashkuar mbështet plotësisht punën e Komisionit Ndërpartiak të Reformës Zgjedhore në Kuvendin e Shqipërisë për të siguruar zbatimin e plotë të këtyre rekomandimeve.” – thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.

Raporti  me kritika i ODIHR për zgjedhjet, SHBA: Mbështesim kritikat, adresoni problemin e blerjes së votave

Vetëm pak ditë pas publikimit të raportit përfundimtar të zgjedhjeve të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 14 majit 2023 në Shqipëri ka reaguar ambasada e SHBA në Tiranë. Të martën përmes një reagimi publik kjo ambasadë ka shprehur mbështetjen e saj për raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 14 majit. Siç thuhet në reagim ambasada mbështet kritikat, si dhe kërkon që të adresohet problemi i blerjes së votave dhe i përdorimit të burimeve shtetërore në favor të palës në pushtet. “Ambasada e SHBA mirëpret raportin e fundit të ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 14 majit që përshkruan fushat me përmirësim të vazhdueshëm, si dhe mangësitë. Shtetet e Bashkuara nxisin qeverinë, partitë politike dhe institucionet shtetërore të zbatojnë rekomandimet e ODIHR-it, të cilat përfshijnë keqpërdorimin e burimeve shtetërore në nivel qendror dhe vendor, akuzat për blerje votash nga të gjitha palët, marrjen e masave për të siguruar fshehtësinë e votimit dhe parandalimin e frikësimit të votuesve, si dhe presionin mbi punonjësit e sektorit publik dhe votuesit. Raporti theksoi gjithashtu nevojën për të siguruar zbatimin e ligjit për të drejtën e informimit në mënyrën e duhur, dekriminalizimin e shpifjes, si dhe mbështjetjen e gazetarisë së pavarur. Shtetet e Bashkuara mbështesin angazhimin për të trajtuar të gjitha rekomandimet e ODIHR-it, në mënyrë që të sigurohet një kuadër zgjedhor gjithëpërfshirës dhe konsekuent si dhe kërkesat e popullit shqiptar për një demokraci të fortë.” – thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA në Tiranë për raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 14 majit 2023 në Shqipëri.

Delegacioni i BE: Zbatoni rekomandimet e reja të raportit të OSBE-ODIHR

Të martën edhe delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri mirëpriti publikimin e raportit përfundimtar të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore në Shqipëri të 14 majit 2023. Përmes një reagimi delegacioni veçon se u shenjuan akuza për keqpërdorimin e burimeve shtetërore dhe blerje votash ndonse sipas delegacionit zgjedhjet ishin të mirëadministruara dhe konkurruese. Në reagimi e plotë pas publikimit të raportit të zgjedhjeve së bërë nga OSBE-ODIHR, delegacioni i Bashkimit Evropian tha se nxit të gjithë aktorët që të punojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse për të zbatuar rekomandimet e reja të Raportit dhe ato që janë ende pezull nga rekomandimet e mëparshme pa humbur kohë. Të martën në Shqipëri kujtojmë se reaguan disa ambasada të rëndësishme në Shqipëri si ajo e Britanisë së Madhe dhe ajo e SHBA që kërkuan të zbatohen rekomandimet e këtij raporti.