Partia Demokratike depozitoi sot në SPAK një padi për çështjen e inceneratorëve, duke e akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe të tjerë zyrtarë të lartë për grup të strukturuar kriminal.
Për të folur për aferën e inceneratorëve, i ftuar në SYRI TV ishte në mbrëmje Jamarbër Malltezi, drejtues i Departamentit të Mjedisit në PD.
Ai tha se për inceneratorët janë fituar miliona euro brenda pak ditësh.
Në rastin e Elbasanit, bashkëjetuesja e Mirel Mërtirit ka marrë një shumë prej 21 milionë euro për të ndërtuar me çelësa në dorë një incenerator. Më pas, pas pak kohësh ia kalon tenderin një kompanie italiane për 15 milionë euro.
Në Fier del emri i Klodian Zotos. “Brenda 14 ditësh kanë vjedhur 15 milionë euro. Me çelësa në dorë,” tha Malltezi.
“Ne si PD do i qëndrojmë deri në fund. Kemi me dhjetëra dokumente pasi kemi hetuar. Ne do i kërkojmë llogari prokurorisë derisa ta hetojë deri në fund këtë. Në fund do të kërkojmë që qindarkat t’i kthehen buxhetit të shtetit. Këta janë grup i strukturuar kriminal,” tha Malltezi.