Presidenti Meta: U bëj thirrje shqiptarëve të marrin në dorë fatet e vendit dhe të dalin masivisht në referendumin historik të 25 prillit

162
Sigal

Në vazhdim të intervistës, Kreu i Shtetit foli u bëri thirrje shqiptarëve të marrin në dorë fatet e vendit dhe të dalin masivisht në referendumin historik të 25 prillit.

Më tej, Presidenti Meta foli dhe për reformën në drejtësi, të cilën ai e quajti “Ramaforma”, ku tha se ajo funksionon vetëm për të varfërit dhe të pambrojturit ndërsa aferat e mëdha flenë në sirtarë.

 

Pjesë nga intervista:

Pyetje (Dhorjela Çule): Zoti President, keni deklaruar se do ta mbroni fortë votën e shqiptareve. Keni apeluar që të rinjtë të marrin pjesë sa më shumë në këto zgjedhje. Por, dua të ndalem pak edhe tek vota e emigrantëve. Po testohet këtë vit, një metodë e re ? Cili është mendimi juaj zoti Meta?

Presidenti Meta: Unë mbështes çdo vendim i cili është në shërbim të besueshmërisë së zgjedhjeve dhe të legjitimitetit të tyre. Në këtë drejtim janë  ekspertët ata që gjykojnë dhe që vendosin. Pa diskutim duhet konsensus dhe një mirëkuptim midis gjithë faktorëve politikë. Pjesëmarrja në zgjedhje është detyrë e çdo shqiptari, që tashmë e ka kuptuar se fuqia e tij qëndron tek vota. Rëndësia është tek vota sepse ajo e fuqizon qytetarin, ose e shfuqizon atë nga të drejtat e tij themelore, kushtetuese, dhe të përditshme. Në këtë drejtim unë besoj që qytetarët shqiptarë e kanë kuptuar se sa e rëndësishme është vota e tyre dhe ata,  do të marrin pjesë patjetër në këtë manifestim. Qytetarët do tregojnë vlerat e tyre europiane dhe si popull do ta fitojnë këtë sfidë.

Pyetje: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka bërë publike dhe fondet për partitë politike. Por, shpenzimet duket se janë në fakt më të mëdha se sa ky fond. Duhet thënë se kjo gjë, është ngritur si shqetësim për faktin se  mund të ketë ndoshta financime të tjera? Ndërkohë, partitë politike nuk reagojnë për të qenë sa më transparente me financat e tyre dhe buxhetet që ato sigurojnë. A duhet të rritet, ndoshta transparenca. A është e nevojshme? A mundet Presidenti, të kërkojë më tepër transparencë nga partitë politike?

Presidenti Meta: Unë mendoj që legjislacioni ekziston për këtë transparencë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të bëjë detyrën e tij, pa asnjë kompromis me asnjë forcë politike. Unë jam i bindur, që këto zgjedhje nuk do të përcaktohen nga shpenzimet e askujt. Këto do të përcaktohen nga   shpirti i atyre që marrin pjesë në garë dhe nga fuqia që ata do t’i japin qytetarëve shqiptarë, për të qenë vërtet në lartësinë e detyrës e të kohës, për të vendosur për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve në një moment historik për vendin tonë, që ndodhet në një udhëkryq.

Pyetje: Unë do doja të zhvendoseshim sigurisht tek  një çështje e ditëve të fundit, është pikërisht çështja ‘Ndrangheta’. Është kjo një dëshmi e përfshirjes së politikës shqiptare dhe inkriminimit të saj?

Presidenti Meta: Fenomeni i pastrimit të parave është një fenomen i njohur dhe i theksuar nga shumë institucione ndërkombëtare, që  monitorojnë këtë çështje. Të dhënat tregojnë se niveli i kredidhënies ka rënë dhe është rritur numri i pafund i kullave që ndërtohen, sidomos në Tiranë apo në vendet më fitimprurëse. Çdo qytetar ka të drejtë të bëjë pyetjen: Përse duhet të prishej Teatri Kombëtar në kulmin e pandemisë? Kur qeveria vetë duhet të jepte shembullin se si respektohet jo vetëm situata e jashtëzakonshme, por edhe protokollet shëndetësore. Çfarë paska këtu më urgjente, që u dashkan ndërtuar disa kulla apo disa gjëra të tjera? Kush i merr këto vendime? Normalisht këto nuk janë vendime kryesore për popullin shqiptar. Për më tepër, që kjo çështje ishte  dhe në Gjykatën Kushtetuese, për të dhënë një zgjidhje apo një opinion përfundimtar..

Në vlerësimin tim, është një fakt që stabilitetin dhe të ardhmen e Shqipërisë  e kërcënon mafia ndërkombëtare. Jo vetëm Ndrangheta, por edhe organizata të tjera kriminale dhe grupe të tjera të  interesit ndërkombëtar, që duan të kenë sa më shumë nën kontroll një shtet si Shqipëria dhe që duan të lëkundin besueshmërinë e vendit tonë si anëtare e NATO-s. Njëkohësisht edhe të minojnë vlerat europiane, jo vetëm në vendin tonë por në tërësi në rajonin tonë. Unë jam i sigurt që do të ketë një përgjigje edhe për këtë me 25 prill, për një Shqipëri plotësisht europiane, në drejtim të zbatimit të ligjit, konkurrencës, meritokracisë dhe dëgjimit të zërit të qytetarëve për çdo projekt publik që bëhet. Ne kemi një ligj për konsultimin publik, për çdo vepër publike që bëhet. Për shembull, nëse  në Korçë ndërtohet një kullë, duhet dëgjuar komuniteti, duhet të dëgjohen arkitektet, duhet të dëgjohen  banorët, se kush është e mira, kush është interesi edhe çfarë vlere i shton kjo Korçës. Këtë ligj ne e  kemi për çdo vepër publike. Mirëpo çfarë ndodh? Ndodh e kundërta,  jo vetëm që nuk ka konsultime reale, por shpesh veprat publike bëhen tërësisht klienteliste dhe në kundërshtim me interesin publik. Dëmtohet dhe shkatërrohet trashëgimia kulturore, shkatërrohen vlerat e historisë tonë, të qyteteve dhe betoni triumfon mbi historinë por edhe mbi të ardhmen.

Pyetje: Zoti Meta, jemi në kohë fushate dhe pse nuk ka nisur zyrtarisht. Qarku i Korçës duket se ka marrë një vëmendje nga tre kampe politike, nga Partia Socialiste, drejtues Qarku është Niko Peleshi që është  ministër. Partia Demokratike përgjigjet me nënkryetarin e saj zotin Edmond Spaho, ndërkohë që Lëvizja Socialiste për Integrim dërgon si drejtues politik të Qarkut, Sekretarin e Përgjithshëm të saj.. Një garë e fortë kjo për Korçën, si e shihni?

Presidenti Meta: Këtë nuk e gjykoj dot unë për çështjen e Korçës. Por, partitë përpiqen  të përzgjedhin emra sa më të mirë, sa më përfaqësues për Korçën. Kjo është shumë normale sepse Korça është një djep i qytetarisë dhe ka një rol shumë të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë, në të kaluarën dhe besoj do të ketë një rol të tillë dhe në të ardhmen. Ajo që është më e rëndësishme është që ata udhëheqin këtë fushatë, pra këta emra që ju përmendët, ta drejtojnë  me qytetari, me transparencë dhe të respektojnë qytetarinë e Korçës.

Pyetje: Në fakt nuk kanë dalë ende emrat e listave, por sigurisht që ka një interes të lartë. A janë ndoshta pak të vonuara partitë dhe pse  nuk po i nxjerrin ende emrat? E bëj këtë pyetje  të parë nga këndvështrimi qytetar..

Presidenti Meta: Kjo është çështje e partive. Për vlerësimin tim, sa më parë aq më mirë. Qytetarët kanë nevojë të njohin kandidatët, kanë nevojë të bëjnë diferencat midis tyre, apo t’i dëgjojnë idetë e tyre dhe alternativat që ata japin. Megjithatë përsëri ka afate dhe përderisa ato janë brenda afateve, janë në të drejtën e tyre të zgjedhin momentin e duhur.

Pyetje: Nga ana tjetër ka diskutime vazhdimisht edhe këtu në Korçë, se Lëvizja Socialiste për Integrim po pëson tkurrje?

Presidenti Meta: Kjo është një çështje që i takon për t’ju përgjigjur drejtuesve të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kemi 15 vjet që dëgjojmë tkurrje që nga 2014 kur është krijuar Lëvizja Socialiste për Integrim e deri tani dhe gjithmonë kemi parë që ka pasur një rritje të vazhdueshme të saj, por kjo nuk është çështja më e rëndësishme. Për mua e rëndësishme është fushata të bazohet në alternativa dhe të mos bazohet në “Fake News”, duke keqpërdorur mediat, apo kontrollin mbi media të caktuara dhe duke u përpjekur thjesht për të shpifur apo për të denigruar për rivalët. Por duke u marrë me problemet që ka Korça, që ka qytetari i Korçës, fermeri i Korçës dhe me zgjidhjen e tyre. Pasi kjo do të ishte më me interes për të gjithë qytetarët, sidomos me adresimin e çështjeve për të rinjtë e Korçës.

Pyetje: Revista ‘The Economist’ prestigjiozja britanike, ka nxjerrë para disa ditësh një deklaratë duke u ndalur në disa pika kryesore. Së pari dhe ndoshta ndër më pikantet ka qenë fakti se, situata politike gjatë kohëve të fundit ka eklipsuar arritjet e Shqipërisë në progresin dhe realizimin e reformave, si dhe tensioni politik. A mund të shihet kjo si diçka reale?

Presidenti Meta: Unë mendoj që ju duhet të shikoni dhe nëse kanë qenë ato faqet që janë me sponsor, apo që kanë qenë pa sponsor për një artikull të tillë.! Të gjitha statistikat e institucioneve ndërkombëtare tregojnë vetëm përkeqësim. Për këtë unë përmenda rastin e ‘World Doing Business’, që është institucioni më prestigjioz i klimës së investimeve në një vend. Shqipëria vetëm në një vit, pra vjet, ra gati 20 e ca vende. Dhe ishte vendi i 84 në mos gaboj, kur Kosova ishte në vendin e 50 dhe kur Maqedonia ishte në vend të 15-të. Pra ne, e shikojmë se kush janë rezultatet e të ashtuquajturave reforma dhe kuptohet që dështimi më i madh është vetë ajo, që unë e kam quajtur me të drejtë ‘Ramaforma’, pra kapja e drejtësisë, që funksionon vetëm për  më të varfrit, më të pambrojturit, për qytetarët të cilët mbingarkohen me gjoba dhe me arbitraritet. Ndërsa për sa i takon aferave më të mëdha, ato flenë në sirtarë, siç flenë ende dosjet e Dibrës dhe të Shijakut.