Myslim Murizi: PD të pastrohet nga ish ministrat e korruptuar dhe sigurimsat e Enverit

410
Myslim Murrizi, kryetari i PD në Lushnjë, në intervistën për gazetën “Telegraf” sulmon eksponetët e PD, që kritikojnë opozitën e sotme të PD dhe i fton ata që të mos bëjnë ciu-ciu në rrjete sociale, por të veprojnë në opozitë. Zoti Murrizi, fton PD që të vetpastrohet nga ish- ministrat, të cilët 8 vjet usollën me arrogancë me demokratët, sepse ata njollosin edhe opozitën e sotme të PD, por PD duhet të vetpastrohet edhe nga sigurimsat e Enverit. Zoti Murrizi shprehet se Halim Kosova është vlerë për PD, solli një politikëbërja bashkohore dhe demokratike me kandidimin e tij në 21 qershor dhe është i respektuar nga të gjithë demokratët. 
-Zoti Murizi, si e shpjegoni që disa eksponentë të PD, që nuk kontribuan në 21 qershor dhe tani, e kritikojnë opozitën e PD sot? 
– Opozita e PD sot është një opozite e bazuar në fakte dhe jo thashetheme, siç bënte PS, kur ishte në opozitë. Me dhjetera dhe qindra herë janë denoncuar raste të pastra korrupsioni dhe afera të hapura të qeveritarëve me oligarkët oborrtare, raste të implikimit të zyrtarëve të lartë me kriminelë e trafikantë të drogës, deri tek ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri. Pra është një opozitë konkrete dhe në funksion të mbrojtjes së interesave të qytetarëve, që çdo ditë e më shumë po u shtrëngohet laku në qafë nga polic-qeveria. Nëse ka njerëz që nuk u pëlqen kjo opozitë, por duan lloj tjetër opozite, bujrum të marrin inisiativë dhe të veprojnë e jo të bëjnë ciu- ciu në fb dhe rolin e kritizerit se janë në majat më të larta të përfaqësimit të opozitës, si në parlament, ashtu dhe në Këshillin Kombëtar, apo kryesinë e PD.
– A ka arritur PD që me strategjinë e saj politike të bindë elektoratin e djathtë që është e gatshme si alternativë qeverisëse?
– Kryetari i PD nga 6 tetor ka nisur një tur takimesh me qytetarët për t’i dëgjuar nga afër hallet e tyre dhe të bashkëbisedojë me ta për çdo problem e shqetësim që ata kanë, që të gjitha hallet, shqetësimet dhe problemet e qytetarëve të jenë nesër programi elektoral i PD në betejën e ardhshme politike. Sipas qënies jetike të halleve të tyre, do të jenë dhe prioritetet e programit të PD. Dje qytetaret lushnjarë i paraqiten kryetarit tonë shumë shqetësime për gjendjen katastrofike të ekonomisë, mbylljet e bizneseve, mos përballim taksash, pothuajse falimentim i bujqësisë për një politikë arbitrare ndaj kësaj fushe dhe për bllokimin e futjes së prodhimit nga hallkat e tepërta tatimore që u kërkohet bizneseve kosovare, maqedonase, bullgareve e malazezëve për të marrë prodhimet tona. Kështu që të gjitha këto e shumë të tjera që do të ngrihen nga qytetarët e të gjithë Shqipërisë, do të jenë platforma elektorale e PD. 
– Shikojmë edhe sot që ata politikanë që në 8 vjetët e qeverisjeve ” Berisha” u bënë shkak i humbjes elektorale të PD në 2013 të jenë sërish përfaqësuesit e PD në opozitë. Ka besueshmëri opozitare PD me këta politikanë?
– E vërteta është se kur PD humbi zgjedhjet në 2013 dhe ish kryetari i PD dhe ish kryeministri Z Berisha dha dorëheqjen nga kreu i PD në fund të qershorit 2013, mbajti mbi vete përgjegjësitë e humbjes për mua, pa të drejte. Ish ministrat dhe ish pushtetarë të tjerë të niveleve të larta, të mesme e në nivel rrethesh ta mendojnë veten si ëngjëll të pafajshëm, të pastër dhe të jenë prapë në kryesinë e PD dhe në drejtim të departamenteve dhe kanë filluar të drejtojnë gishtat për të gjetur fajtorë e të rifitojnë kapital politik për veten e tyre, duke bërë analizuesin. Së pari, çdo ministër, çdo drejtor janë këta 90 përqind fajtorë dhe shkak real i humbjes së zgjedhjeve të 2013. Këta duhet të kenë kurajon dhe moralin të dalin të kërkojnë të falur para demokratëve për mënyrën se si u sollën me ta, për gabimet që ka bërë sejcili në dikasteret që ka drejtuar dhe për arrogancën e treguar ndaj demokratëve gjatë qeverisjes së PD në 8 vite dhe pastaj të vazhdonin të kontribonin në ringritjen e PD e jo të mendojnë se janë të pa zëvendësueshëm, se nuk kanë asnjë faj dhe asnjë përgjegjësi dhe se janë të shpëlarë nga çdo gjë.
– Mendoni se Komisioni për verifikimin e pastrimin e PD nga politikanë të korruptuar, ku e kryeson Kosova, do të funksionojë?
– Kohë për t’u vetëpastruar ka prapë. Ajo që unë vërej me shqetësim është se shumica e isha-ve nuk kanë kurajo të zbresin të takojnë votuesit e zonave, ku kanë marrë mandat. Komisioni me në krye Zotin Halim Kosova është bërë shumë mirë që është ngritur, sepse PD që me të drejtë po këmbëngul për të pastruar politikën nga të inkriminuarit në të gjitha nivelet e ka detyrim moral para shqiptarëve së pari dhe para çdo demokrati të pastrojë veten, nëse ka të tillë brenda saj, por unë do të këmbëngulja shumë tek një lloj tjetër pastrimi i PD, se të inkriminuar nuk besoj se ka, se ata e kanë shtëpinë e tyre te PS, por të pastronte veten nga ish sigurimsat dhe bashkëpunëtorët e tyre të fshehtë dhe të hapur, nga ata që i kanë shërbyer dje dhe vazhdojnë t’i shërbejnë akoma padronëve të tyre, që i mbajnë me zinxhirë në qafë dhe i ndërsejnë, kur u duhen. Ka ardhë koha, edhe pse vendi i fundit ish komunist, që t’i hapim dosjet dhe të kalojnë në filtër, duke bërë atë që PD bëri 20 vjet më paëe në vitin 95 me të zgjedhurit e saj. Duhet pastruar PD nga të zgjedhurit në krye të seksioneve, të grupseksioneve, kryesitë e degëve, kryetarët e degëve, këshillat kombëtare, kryesi dhe grup parlamentare. 
– Cila është risia që solli kandidatuara e Halim Kosovës në 21 qershor 2015 për PD?
– Halim Kosova është një vlerë e PD. Dha një politikëbërje bashkëkohore demokratike. Është një figurë e dashur, e respektueshme për të gjithë demokratët. Fjala e Halim Kosovës të ngjall besim dhe shpresë. 

Ish-ministrat njollosin opozitën e PD
– Përse PD deri tani nuk u vetpastrua nga këta politikanë?
– Ndaj edhe qytetaret lushnjarë mes të tjerave i kërkuan Z Basha që të pyesë dhe dëgjojë zërin e tyre për të zgjedhurit, se Lushnja është me mbi 200 mijë banorë dhe 140 mijë votues dhe nuk ka asnjë deputet në Kuvend nga PD, por ka të mandatuar nga këta demokratë, që tradhëtuan votuesit lushnjarë dhe janë ulur në prehër të dikujt tjetër. Pra ky do të ishte një vetëpastrim i PD, gjë e cila për fat të keq nuk ka ndodhur akoma dhe këtë shqetësim e dëgjojmë çdo ditë nga goja e demokratëve. E këta zotërinj nuk kanë të drejtë morale të bëjnë analizën e punës të së tjerëve dhe të drejtojnë gishtat, sepse jo vetëm që i kanë pis ato gishta, por mund të bëjnë pis dhe punën e deritanishme të bërë nga të gjithë drejtuesit e PD, nga seksioni deri tek kryetarët e degëve që për herë të parë në 25 vjet pluralizëm janë zgjedhur nga vota e demokratëve dhe nga një garë e hapur për çdo demokrat që donte të garonte dhe jashtë ndikimit të “bajraktarëve” të qarqeve që ishin mësuar të përzgjidhnin nga Tirana kandidatët që dëshironin. 
Sigal