Mafia e librit shkollor në MAS, prej 40 ditësh nuk po çon 30% të librave në shkolla

949
Nisur prej 354 ankesave të ardhura në gazetën “Telegraf”, nisur prej afro 1500 ankesave të dërguara në 12 Drejtoritë Arsimore Rajonale (në Prefektura) dhe në 36 zyra arsimore të rretheve, nisur edhe prej afro 5000 ankesave drejtuar Ministres së Arsimit Lindita Nikolla dhe sektorit të arsimit para-universitar nga prindër, mësues, drejtues shkollash e nxënës, për mungesën e shumë titujve të librave në shkolla, sidomos të lëndëve të gjuhëve të huaja, Gazeta “Telegraf” investigoi me detaje këtë shqetësim dhe zbuloi fakte skandaloze, të cilat nuk lidhen vetëm me vonesën zyrtare të çuarjes së 100% të librave në shkolla në datën 15 gusht 2015 dhe pajisjen e nxënësve me 100% të librave në datën 14 shtator 2015. 
Ja çfarë konstatuam…
Investigimi ynë, konstatoi disa fakte të rënda abuzive e korruptive, me përmbajtje klienteliste privilegjuese, për përzgjedhje librash shkollor të vitit mësimor 2015-2016, të prodhuara nga shtëpi botuese të “shoqërisë ministrore”. Abuzimet, që për nga përmbajtja janë skandale, kanë lidhje me procedurat, praktikat, urdhëresat e MAS, zbatimin e tyre nga drejtoritë arsimore, lidhjet korruptive të drejtorëve me shtëpitë botuese dhe distriubutorët, rekomandimet prej “suflerëve” të MAS “në vesh” të drejtorëve për titujt dhe shtëpitë botuese që duheshin përzgjedhur, udhëzimet e ndryshuara nga MAS pa konsulencën e grupeve të interesit, bërë vetëm për interesa klienteliste, tolerimet e MAS për mos zbatimin e udhëzimeve të MAS, mos zbatimi i standardeve fizike të librave, diskriminimi, favorizmi dhe paracaktimi i titujve fitues të shtëpive botuese klienteliste, porositë e disa “kapove” të “kupolës” së MAS dhënë “konfidencialisht” drejtorëve të zyrave arsimore rajonale e të rretheve, “qokat” e shtëpive botuese për gjithë “zinxhirin” e kësaj “çorbe të qelbur” korruptive e shkatërruese për cilësinë dhe normalitetin e mësimdhënies, ku përveç “garuzhdes” së shefave vulë e firmë vënës të MAS, ka brenda edhe “lugët” e drejtorëve të arsimit dhe “gishtat” e mësuesve të lëndëve nëpër shkolla, pa harruar “ATA”, distributorët në zona, ose “Jovan Bregët”, shumë prej të cilëve kanë qenë e janë edhe mësues e punonjës të drejtorive arsimore. Gjithë skema ka funksionuar e detajuar, me qëllim që në listat e përzgjedhura të futeshin “titujt” e librave të atyre botuesve që ishin paracaktuar nga krerët e MAS, më saktë e më troç, në çdo hallkë të “zinxhirit të pazarit” me librin shkollor, listat e titujve “me shumicë” që do përzgjidheshin e që janë përzgjedhur faktikisht, janë paracaktuar e janë përcjellë si… “porosi e ministres Nikolla”, siç thonë në ministri, në DAR dhe ZAZ e në shkolla, për të favorizuar përzgjedhjen e titujve të 1 shtëpie botuese në masën mbi 50% të titujve! Kjo shtëpi botuese që ka titujt më të shumtë të librave, nuk o i çon librat në shkolla. thuhet se nuk ka përfunduar procesin e prodhimit të tyre, i cili sipas udhëzimit “Nikolla”, duhej të ishin në shkolla brenda datës 15 gusht dhe në duart e nxënësve brenda datës 13 shtator duhej të ishin në duart e nxënësve. Por…. Ka udhëzim, por ka edhe “mirëkuptim”! Ndaj dhe mafia e librit shkollor në MAS, prej 40 ditësh nga afati i dorëzimit në shkolla dhe prej 26 ditësh nga pajisja e nxënësve, nuk po çon afro 30% të librave në shkolla, ndërkohë që ministrja Nikolla hedh në “kosh” 5000 ankesa që i kanë çuar prindër, mësues e nxënës nga të 12 qarqet e vendit. Pse? Sepse ka një shtëpi botuese që “e ka lidhur” ministren. Po cila është kjo shtëpi botuese librash shkollor, për të cilën ministrja Nikolla qëndron “gatitu” dhe gjatë procesit të përzgjedhjes së librave nuk e zinte gjumi” sa të arrinte “objektivin” e numrit të titujve e shkollave që donte të përzgjidhte kjo shtëpi botuese? 
Denoncimi i shtëpive botuese/ Shtëpia botuese “Pegi”, kliente e përkëdhelur e ministres Nikolla
Nga ankesat e ardhura në Gazetën “Telegraf” për vonesat e çuarjes së librave në shkolla, u zbulua edhe skandali me përmbajtje klientelizmin me mbi 50% tituj në favor të 1 shtëpie botuese për librat e përzgjedhur për vitin mësimor 2015-2016 dhe për librat e përzgjedhur nga MAS që përpara 3 vitesh, të cilët duheshin përzgjedhur nga shkollat edhe për këtë vit mësimor. Të parët që kanë reaguar ashpër me një letër drejtuar ministres Nikolla, kanë qenë shtëpitë botuese që u bënë “viktimë” e klientelizmit në favor të shtëpisë botuese “Pegi”, klientelizëm që u urdhërua e u mbështet nga MAS, nga ministrja Nikolla dhe nën “hyqmin” e saj edhe prej drejtorëve “Sillo”, babëzi që shkoi deri në shkollën më skajore të vendit me… 5 nxënës! Sot po publikojmë letrën që botuesit e librit shkollor, i kanë dërguar Ministres së Arsimit, zonjës Lindita Nikolla, lidhur me procedurën e vlerësimit të librit shkollor, bërë në shumicën e titujve, në favor të shtëpisë botuese “Pegi”, shpallur me “urdhër nga lartë”, nga komisioni i vlerësimit të librave në Ministrin e Arsimit, komision i emëruar nga ministrja Nikolla. Ja pjesë nga letra, për të cilën ministrja Nikolla, nuk u ktheu përgjigje:
E nderuara Zj. Ministre! 
Në mbledhjen e datës 17/08/2015, Shoqata “Botuesit e Teksteve Shkollore”, analizoi situatën e krijuar për vlerësimin dhe përzgjedhjen e teksteve dhe arriti në konkluzionin se procesi është kompromentuar dhe ka shkelje të rënda të cilat po ua vëmë në dijeni si më poshtë. MAS-i me Udhëzimin nr. 11/1, datë 15. 4 2015, ndryshuar me Udhëzimin nr. 13, date 11.05.2015, si dhe Rregulloren e konkursit për tekstet shkollore të reja, shpalli konkursin per tekstet e reja. Këto dokumente kishin mjaft mangësi dhe nuk qartësonin shumë probleme, për të cilat shoqata e botuesve i dërgoi MAS kërkesën që po ju bashkëngjitim, për të cilën nuk erdhi asnjëherë përgjigje, ndonëse u këmbëngul prej botuesve disa here. Dy nga problemet kryesore për t’u saktësuar që kërkuan botuesit në shkresën e dt. 14. 05. 2015, janë si më poshtë:
1. Në udhëzimin nr. 11/1 dt. 15.04.2015 “Për botimin e teksteve shkollore të reja”, në pikën 1, janë renditur titujt e teksteve: Matematika 1, Dituria e Natyrës 1, Matematika kl, 6, Biologjia 6 që kërkohen nga MAS, por nuk përmendet fletorja e punës. A do të kenë fletore pune këta libra?
2. Në nenin 9 të rregullores së MAS, në pikën 2/b thuhet se “recensuesit studiojnë me hollësi çdo tekst shkollor të ri (përfshirë udhëzuesin për mësues dhe materialet shtesë, nëse ka) por në materialet që kërkohen të dorëzohen nga Shtëpitë botuese këto nuk përmenden fare. A do të jenë pjesë e vlerësimit të tekstit edhe kërkesa që teksti të shoqërohet me fletore pune, libër mësuesi apo materiale shtesë. A janë këto elemente pjesë e konkurrimit edhe për librin me përkthim? Për këto probleme botuesit kanë takuar zonjën Gjini, e cila premtoi se do t’ua dërgonte pikë më pikë sqarimin për çështjet e ngritura, gjë që nuk u bë. Kurse gojarisht ajo është shprehur se në konkurs do të pranohen vetëm tekstet shkollore sipas udhëzimit të dërguar nga ministrja. Po kështu ajo është shprehur se “librat si paketë bashkë me fletoret e punës kanë kosto të lartë, prandaj nuk i kemi shpallur në listën e titujve të rinj” Në konkurs u pranuan lloj-lloj materialesh, duke iu referuar Standardeve për Tekstet Shkollore, botim i vitit 2014, ku në asnjë vend të Udhëzimeve apo Rregullores së MAS nuk përmenden “Shiko Standardet e Teksteve Shkollore, 2014”. Kjo shkelje në Udhëzim ndikoi negativisht në procesin e vlerësimit, ku tekstet e nxënësve nuk u vlerësuan me pikë veçmas nga materialet ndihmëse. Përfshirja e udhëzuesit të mësuesit në vlerësimin e tekstit është praktikë e njohur dhe gjatë viteve të “Altertekstit”, por ai është vlerësuar pasi teksti i nxënësit ka marrë pikët kualifikuese, në të kundërt pikët e librit të mësuesit kanë qenë të pavlefshme. Në këtë konkurs vlerësimi i tekstit së bashku me materialet ndihmëse solli pabarazi në procesin konkurrues si dhe pikë fiktive për tekstet fituese. Botuesit e quajnë shkelje flagrante Udhëzimin, ku kryetarja e Komisionit të Vlerësimit të Teksteve, znj. Paparisto, përmes një zyrtari të Ministrisë, i lejon botuesit të shpien në shkolla, çfarë materialesh të duan??!! Po kështu shkelje flagrante përbëjnë rastet ku në shkolla u çuan fletore pune të papërfshira në katalog, gjë që krijoi pabarazi në përzgjedhjen e teksteve. Pse MAS përdori në këtë rast një standard të ndryshëm nga ai i muajit maj kur mësuesit i përzgjodhën tekstet vetëm mbi bazën e katalogut? Precendenti i vendosjes së emrave të përkthyesve në kopertinë apo shtimi i temave mësimore te librat me përkthim (siç ndodhi me shtëpinë botuese Ditaprint) tregon se komisioni nuk ka pasur asnjëherë vullnetin e duhur për të përcaktuar kritere të qarta, ndonëse në shkresën e shoqatës së botuesve (pika II, A,B,C,Ç,D) këmbëngulet si më poshtë:
II/c. Ka raste kur disa tema, që përfshihen në program, nuk janë në këto libra. Kështu, dy tema në programin e biologjisë (një në kapitullin e parë dhe një në të dytin nuk gjenden në asnjë nga librat e propozuar për përkthim). A mund t’i krijojmë nga e para, për të qenë korrekt me programin? Por nga ana tjetër marrëveshja me botuesin e huaj nuk na e lejon këtë gjë. Po kështu kriteret e paqarta kanë bërë që nga vlerësuesit disa tekste të huaja t’i quajnë se janë jashtë programit, në një kohë kur këto tekste ne i kemi marrë të mirëqena nga MAS dhe në konkurs duhet të vlerësohej vetëm cilësia e përkthimeve. Edhe ky është një fakt se dalja fituese e librave të huaja është fiktive. Ashtu si procesi i vlerësimit edhe procesi i përzgjedhjes i dha që në fillim shenjat e komprometimit, gjë që mjaft botues të shqetësuar lajmëruan ministrinë. U anashkalua si asnjëherë studimi dhe krahasimi i teksteve nga mësuesit dhe iu dha përparësi sasisë së materialeve ndihmëse (që do t’u faleshin atyre). Kjo gjë e detyroi MAS që të nxirrte një Udhëzim tjetër ku i kërkohet mësuesve të vlerësonin vetëm tekstet, por ndërkaq përzgjedhja ishte kryer. Rezultatet e përzgjedhjes janë kurorëzim i keqmenaxhimit të të gjithë procesit, i cili u la në mëshirë të fatit, pasi nuk u ngrit asnjë grup inspektorati për të kontrolluar ecurinë. Koha e pamjaftueshme, periudha kur mësuesit janë me leje favorizuan korrupsionin në përzgjedhje. Në shumë raste kanë votuar drejtorët në vend të mësuesve të lëndës që kanë qenë me leje. Nëse do të bëhet një analizë e rezultateve do të shihet se ka qytete ku ndihet mbështetja që i është dhënë shtëpisë botuese Pegi nga politika apo nga marrëveshjet që ka bërë kjo shtëpi botuese me drejtorët e drejtorive apo drejtorët e shkollave të rnëdha të qyteteve që kanë shumë nxënës, të tilla si: Fieri, Shkodra, Durrësi, Elbasani, Tirana etj. Në Rregullore i mëshohet fort, zbatimit të ligjit për konfliktin e interesit, por në realitet, si edhe në të shkuarën, mjaft punonjës të institucioneve arsimore, IZHA-s , i IKAP-it, MAS janë të përfshirë në procesin e hartimit të teksteve pa pasqyruar emrin. Nuk është detyrë e botuesve, por e MAS që t’i zbulojë këta punonjës që në kundërshtim me ligjin punojnë me shtëpi botuese dhe bëjnë që të dështojnë nga brenda reforma në arsim. Këta punonjës, duke qenë trajnuesit kryesorë të mësuesve për tekstet e reja si dhe të mësuesve që morën pjesë në procesin e vlerësimit, çuan në komprometimin e procesit të vlerësimit dhe të V^përzgjedhjes. Ka emra që janë vënë si autorë dhe përkthyes të teksteve, që mendohet se janë fiktivë dhe pas tyre fshihen emra njerëzish që punojnë në MAS ose institucionet vartëse të saj. Këtë e dëshmojnë disa fakte:
Në tekstin e Gjuhës shqipe 6 (botime Pegi) asnjë nga autorët nuk është specialist i Morfologjisë apo Sintaksës dhe nuk kanë shkruar asnjëherë tekst gramatike. Majlinda Berisha, specialiste e Kimisë, përkthen 4 tekste: 2 tekste biologjie dhe 2 Dituri natyre; kush është përkthyesi i vërtetë i teksteve të biologjisë? Këtë e dëshmojnë dhe disa emra përkthyesish që nuk e njohin gjuhen angleze. Silvana Nini, ndonëse nuk është punonjëse e Institutit, është trajnere e aktivizuar nga instituti për zbërthimin e programit të teksteve të reja. Ndonëse ka pasur në Ministri ankesa për këtë autore, libri i saj u lejua të çohej në shkolla për përzgjedhje. Shtëpia botuese “Pegi” ishte e vetmja që dorëzoi në konkurs fleta pune dhe CD si dhe nga 2 tituj për lëndë të njëjtë dhe iu pranuan nga komisioni në kundërshtim me udhëzimet. Pavarësisht nga shqetësimet e botuesve në përzgjedhje komisioni i ministrisë me anë të shkresës që dërgoi e favorizoi këtë shtëpi botuese duke lejuar që ajo të çojë në shkolla fleta pune jashtë katalogut. Po kështu nga Komisioni i Ministrisë nuk u pezulluan në shpërndarje librat e Oxfordit të shtëpisë botuese “Pegi”, e cila ishte e vetmja që kishte vënë në kopertina emrat e përkthyesve. Thjesht u lejua qe ku te mundte te retushoheshin mbi kopertina emrat, gjc që tregon favorizim të hapur nga MAS.
Ndonëse nga MAS nuk u vunë në dispozicion renditja e fituesve sipas pikëve, shtëpia botuese “Pegi”, menjëherë shpalli publikisht në faqen e saj në internet, pikët që kanë fituar librat e saj në konkurs (informacion shumë i rezervuar që i është vënë në dispozicion nga punonjës të MAS). Ndërkohë, asnjëra nga shtëpitë e tjera botuese nuk e ka ditur këtë informacion dhe as sot nuk e di. Pegi ishte e vetmja shtëpi botuese që ka reklamuar gjatë procesit të përzgjedhjes se tekstet e saj kanë fituar vendin e parë dhe duhet të përzgjidhen nga mësuesit. Ndërsa asnjë botuesi që ka humbur, nuk i janë vënë ende nga komisioni në dispozicion recensat e vlerësuesve sic u premtua nga MAS dhe siç e kërkon ligji për transparence, që brenda 5 ditëve botuesi dhe autori ka të drejtën e ankimimit”.
——————————————
Njoftim i shtëpisë botuese “Pegi”, për librat e fituar në konkursin e zhvilluar nga Ministria e Arsimit (2015-2016)
Siç ju njoftuam para pak ditësh, pas një pune kolosale, pa u kursyer as ditë as natë, Botime “Pegi” arriti një tjetër sukses në sektorin e librit shkollor: Nga 17 tituj të paraqitur në konkursin për tekstet e reja shkollore, u miratuan 14 prej tyre. Tashmë, kemi kënaqësinë të ndajmë me ju edhe renditjen e alternativave; Komisioni i Vlerësimit të Teksteve Shkollore, pranë Ministrisë së Arsimit, ka vlerësuar:
Në vend të parë: 
1) Gjuha shqipe e klasës së gjashtë me autorë Mimoza Gjokutaj, Shezai Rrokaj dhe Eneida Pema.
2) Matematika e klasës së gjashtë e “Oxford University Press”, shqipëruar nga Neritan Babamusta dhe Edmond Lulja.
3) Fizika e klasës së gjashtë e “Oxford University Press”, shqipëruar nga Polikron Dhoqina.
4) Biologjia e klasës së gjashtë e “Oxford University Press”, shqipëruar nga Merita Berisha.
5) Gjeografia e klasës së gjashtë me autorë Majlinda Ziu dhe Mahir Hoti.
6) Muzika e klasës së gjashtë me autorë Violeta Shamku dhe Robert Radoja.
7) Arti pamor i klasës së gjashtë me autore Silvana Nini.
8) Matematika e klasës së parë e “Oxford University Press”, shqipëruar nga Erka Koci.
Në vend të dytë:
9) Biologjia e klasës së gjashtë e “Cambridge University”, shqipëruar nga Merita Berisha.
10) Dituri natyre e klasës së parë e “Oxford University Press” shqipëruar nga Merita Berisha.
11) Qytetari e klasës së gjashtë me autore Edlira Haxhiymeri dhe Marina Ndrio.
12) Teknologji e Informacionit dhe Komunikimit (TIK) me autore Altina Myderizi dhe Ada Gogu.
Në vend të tretë:
13) Fizika e klasës së gjashtë e “Cambridge University”, shqipëruar nga Polikron Dhoqina.
14) Edukim për Shoqërinë për klasën e parë me autorë Gjergji Vangjeli dhe Miranda Spahiu.
—————————————————————————————–
Reagon Vjollca Lubonja, shtëpia botuese “ELVE”:
Shkolla ka 25 ditë që ka nisur, MAS pret tekstet e gjuhës së huaj nga… Franca!
Po sjell në kujtesë, qëndrimin tim për këtë problem, mbajtur që më datë 21 shtator 2015 dhe problemi vazhdon të jetë edhe sot e kësaj ditë i pazgjidhur! Ja komenti im: “Sot 21 shtator 2015. Ka 1 javë që ka filluar shkolla dhe nxënësit e klasave të VI-ta, nuk i kanë marrë akoma librat e gjuhës frënge. Nxënësit po presin shtëpinë botuese franceze, sa t’i mbushet mendja për t’i sjellë!. Madje vetë mësuesit, nuk e kanë parë me sy këtë libër, pasi nuk është denjuar t’i çohet shkollave nga 1 kopje për studim dhe përzgjedhje. Bravo MAS, punë të paqme ke bërë! Mono-tekst, pa asnjë vlerë kurrikulare, i papërshtatshëm për shkallën e formimit të nxënësve (unë personalisht, i kam studiuar dhe rezultojnë se janë jashtë sistemit tonë arsimor!) Nëse kjo vonesë, do ndodhte me një shtëpi botuese shqiptare penalizimi, do ishte 10 mijë euro gjobë dhe do të ishte pezulluar nga tregu i librit shkollor për 3-5 vjet. Përse favorizohet kjo shtëpi botuese franceze? Mos vallë, po na i jep falas? Aspak. Madje, nëse kompleti ekzistues i klasës së VI-të (libër +fletore pune) kushtonte 600 lekë, metoda e huaj për klasën e VI-të e planifikuar si fituese nga MAS, kushton 950 lekë! Po përse nuk shkon akoma në shkolla?! Pse shkollat, s’kanë libra? Librat nuk duken në horizont… Mësuesit nuk kanë mundur të bëjnë as planet mësimore, siç normalisht është vepruar për çdo vit dhe për çdo lëndë. Edhe për klasat e tjera, ka një mangësi në libra, si kurrë më parë… Sekserët që po merren me këto metodika anglishteje dhe frëngjishteje të sjella nga jashtë, nuk garantojnë as kërkesat e plota për klasat e tjera. Kush fshihet pas këtyre sekserëve? Pse nuk ndihet MAS, për këto mosrealizime të kontratës në kohë dhe me cilësi? Çdo ditë, më telefonojnë ose vijnë prindër të shqetësuar, duke u ankuar se përse nuk po gjejnë librat e anglishtes, të frëngjishtes etj, si për filloren edhe për Ciklin e Lartë 9-vjeçar. Dikur, asnjë shqetësim nuk kanë pasur nxënësit, mësuesit dhe prindërit për botimet tona në gjuhë të huaj, flasë për botimet e Shtëpisë botuese “ELVE”, të cilat kanë dëshmuar me ekspertizë profesionale, se kanë perfeksion shkencor dhe e kanë furnizuar normalisht shkollën dhe me një çmim të logjikshëm. Por, ja që me “skemë” sekserësh zhvatës, librat për shkollat shqiptare duhet të na vijnë “me porosi miqsh” nga bodrumet e shtëpive botuese të huaja, pra të shiten stoqet e tyre të mbetura, të cilat mund të sillen kur ua do kokrra e qejfit dhe me çmimet që u leverdisin! Çudi, që zonja ministre Lindita Nikolla, nuk po del të na shpalos plan-masat që ka ndërmarrë për këto vonesa, të nxjerrë përgjegjësitë, të ushtroj penalitetet dhe të zgjidh bllokimin e furnizimit me libra! Ndoshta, heshtja ndaj zbatimit të detyrimit shtetëror, ligjor e institucional dhe shpërfillja ndaj kërkesave të nxënësve për të pasur librat në orët e mësimit që orën e parë të ditës së parë të vitit mësimor, ka lidhje me interesa të tjera që tolerojnë mungesën e librave edhe deri në orën e fundit të fundit të vitit mësimor! Mjafton të jenë në rregull “pazaret”, këto “kërcime akrobatike” të injorantëve. 
(Vijion)
Sigal