INTERVISTA/ Erion Kristo: Vetingu ishte procesi më mashtrues në historinë e shqiptarëve. Llogaridhënia është një megapropagandë që nuk ta ngop barkun me bukë

1121
Sigal

Jakup B. GJOÇA

ERTV-ja nuk ta ngop dot barkun me bukë

Po të kishte demokraci, nuk do kishte batuta kryeministrore me njerëzit e thjeshtë të vendit, në të ashtuquajturën “Llogaridhënie”, që në fakt është megapropagandë. Në fakt, vetë Portali është një antishtet, një shtet paralel me shtetin e vërtetë, që kulmon me Kryeministrin

Erion Kristo – pedagog UMB, gazetar TV SCAN në intervistën për gazetën “Telegraf”, me sarkazëm pohon, se “ERTV-ja nuk të ngop barkun me bukë”, duke e cilësuar llogaridhënien e qeverisë si një megapropagandë. Duke vlerësuar 1-vjeçarin e qeverisjes socialiste, zoti Kristo thotë se kryeministri “timonin” nuk e kërkoi për vete, por për …”tepsinë”. Vetingu ishte procesi më mashtrues për shqiptarët, thotë zoti Kristo. Kryeministrit nuk i vjen keq për shqiptarët që braktisin Shqipërinë për shkak të mjerimit, sepse do që këtu të mbeten vetëm militantët e tij, që të qeverisë i qetë. Zoti Kristo e portretizon kryeministrin Rama: “Edi Rama vuan nga ideja e primatit.. Edhe Kryeministrin, edhe Kryeprokurorin, edhe manjatin e medias. Gjithçka. Është në natyrën e tij. Ai do kontroll absolut”.

-Zoti Kristo, në këtë 1 vit të qeverisjes “Rama2”, çfarë ka ndryshuar, derisa tani kryeministri e ka i vetëm Timonin?

– Nëse dikur, mund të ishte dikush që e frenonte në padurimin e vet për të vënë nën kontroll çdo hapësirë të publikes, sot nuk është askush që mund ta frenojë. Madje, as vetë opozita. Në fakt, Rama nuk kërkoi “timonin” për vete, por “tepsinë”.

– A jetojmë më mirë ne shqiptarët sot në krahasim me 4 vite më parë?

– Nuk ka asgjë në jetën tonë që të jetë tregues i një jete më të mirë. Administrata është po ajo (e thotë vetë Kryeministri); shteti është po ai, me po ato ligje dhe zbatueshmëri të ulët; vettingu është kthyer në lesh-tting (njerëzit po hiqen nga puna jo për punën, po për teknikalitete financiare – të kujton kohën e Al Kapones, që u fut në burg për taksat e papaguara); ekonomia është në situatë krize; euro po zhvlerësohet; politika është ashpërsuar; jeta kulturore e vendit është e vakët; hapësira publike është e stresuar; shoqëria është e pështjelluar (njerëzit duan të ikin dhe aplikojnë nëpër lotarira në shifra të frikshme); ka më shumë vdekje se sa lindje; Evropa, edhe pse po afrohet, duket më larg se sa kurrë; media është kazan; arsimi është stanjacion; jeta kriminale është bërë më “artistike”; shirat po bëjnë të vetën; korrupsioni është buçko; e mbi të gjitha, njerëzit janë të përçarë, nuk bien dakord për asgjë (prapë jemi te thirrja: Të rrojë partia!). Nëse janë bërë disa punime, nëse është hedhur ndonjë beton, apo suvatuar ndonjë institucion, këto janë administrim normal dhe kanë ndodhur në çdo epokë. Pra, nga paratë e shqiptarëve diçka është hedhur gjithmonë për asfalt ose beton. Një gjë është në nivele shumë më të larta: propaganda.

– Pse emigrojnë shqiptarët dhe duan të ikin edhe qindra mijëra të tjerë nëse munden?

– Sepse thjeshtësisht kuptojnë se nuk kanë të ardhme këtu. Nuk është ekuacion i niveleve të larta. Madje nuk ka x, fare. Flet vetë. Këtu mund të kenë ndodhur reforma të papara në 28 vjet, gjëra të jashtëzakonshme. Po ne nuk i kemi parë ende. Ndoshta janë të padukshme. ERTV nuk ta ngop dot barkun me bukë.

– Sa demokraci gëzojmë ne shqiptarët, kur kryeministri Rama deklaron se qeveria e tij i përmbushi detyrat e Integrimit?

– Ne gëzojmë aq demokraci, sa demokraci ka në mendje lideri suprem. Dhe për çudi, ai s’ka fare demokraci. Po të kishte demokraci në mendje, nuk do thoshte: Teatri do prishet! Por do thoshte, si mund ta bëjmë më mirë këtë punë. Do thoshte: Kam 1 miliard euro për asfalt, nga këto do heq 30 milionë për Teatrin. Po ai nuk e thotë.

– A është llogaridhënie përgjigja e kryeministrit, ku çdo ankese e shqetësimi të qytetarëve u jep përgjigjen: “Drejtohu te sajti i qeverise e aty e ke përgjigjen në vend”!

– Po të kishte demokraci, nuk do kishte batuta kryeministrore me njerëzit e thjeshtë të vendit, në të ashtuquajturën “Llogaridhënie”, që në fakt është megapropagandë. Më shkruani te Portali dhe problemi juaj do zgjidhet. Në fakt, shumë nga problemet krijohen artificialisht, që pastaj të zgjidhen nga Portali, dhe Kryeministri të shfaqet si magjistar i shtetit. Në fakt, vetë Portali është një antishtet, një shtet paralel me shtetin e vërtetë, që kulmon me Kryeministrin. Shteti nuk ka asnjë instrument vetëkontrolli mbi shtetin, por ka portalin. Mund të ekzistojë nëpër botë një model i ngjashëm, por ky është një centralizim total, që prish pavarësinë e institucioneve. Ka plot mënyra të tjera se si kapet korrupsioni dhe mosfunksionimi i shtetit. Ka plot institucione përkatëse që tanimë nuk kanë asnjë funksion, për shkak të portalit.

– Zoti Kristo, pezullimi de fakto i Gjykatës Kushtetuese, kolapsi i Sistemit të Gjyqësorit është aksident i procesit të Vettingut?

– Vettingu ishte procesi më mashtrues në historinë e shqiptarëve. Na u premtua Eldorado, por në fakt kemi kaluar te Lesh-ttingu. Ky proces po lejon që peshqit e mëdhenj të mos bien në rrjetë. Disa vendimmarrje janë shumë të çuditshme. Dhe nuk po shqyrtohet fare puna, apo problemet e gjyqësorit. Paska qenë gjithçka shumë mirë. Vetëm financa po prish punë. Lekët e dasmës. Ne do të donim të shikonim procese ku shfaqet haptazi korrupsioni në gjyqësor, por në fakt po shohim matematikë. Nga ana tjetër, ky proces është shumë i ngadaltë. Të huajt nuk kanë asnjë interes të përshpejtojnë. As tanët. Ky proces po godet hierarkinë e gjyqësorit, duke e lënë shqiptarin pa garanci juridike, pa Gjykatë Kushtetuese, etj, etj. Gjykatësit e hequr nuk po zëvendësohen. Ndërkohë shqiptari nuk po merr drejtësi. Kjo është kriminale. Dhe e fundit, nuk po shohim asnjë përmirësim ligjor në kuadrin e funksionimit të gjyqësorit. Pra, si duket të gjitha procedurat apo vetë sistemi paskan qenë në rregull, dhe nuk paska pasur nevojë për ndërhyrje. Po ne e dimë që nuk është kështu. Pra, për mua është një dështim i trefishtë.

– A mund të bindet qytetari që tashmë Gjyqësori i Reformuar jep drejtësi kur ish-ministri me vendim të Apelit gjykohet i lirë ndërkohë protestuesit kuksianë janë në burg?

– Kjo çështja e besueshmërisë është një çështje më vete. Qytetari nuk ka qenë kurrë i bindur se do ketë drejtësi. Por thjesht ka shpresuar, me idenë se nuk i dihet. Kuksianët duhet të dalin urgjentisht nga burgu. Ata janë protestuesit më të mirë që kemi dhe duhen nderuar. Ministri nuk më duket se mund të shpëtojë. Do vijnë vërdallë, po s’kanë nga ja mbajnë.

– Si sociolog, mund të na thoni: Është strategji komunikimi, Mungesë RESPEKTI, shprehje e hakmarrjes sulmet dhe cilësimet e kryeministrit Rama ndaj gazetarëve?

– Edi Rama vuan nga ideja e primatit. Ai do të ketë përparësi për çdo gjë. Ai do të bëjë edhe motin e mirë edhe motin e keq. Edhe Kryeministrin, edhe Kryeprokurorin, edhe manjatin e medias. Gjithçka. Është në natyrën e tij. Ai do kontroll absolut. Zhvlerësimi i të gjitha institucioneve dhe pushteteve e bën atë njësh mbi njësha. Nëse askush nuk ka vlerë, kthehemi te ideja që Kryeministri është i vetmi të paktën që ua përplas të gjithëve. Nëse gjyqësori s’ka besim, nëse opozita nuk ngjall besim, nëse media është kazan, nëse, nëse, nëse, mbetet ai, Shpëtimtari, Mesia. Është thjesht strategji. E ka thënë vetë, kohë më parë: shpif, shpif se diçka do mbetet. Sot, ka plot njerëz që e urrejnë median. Dhe një nga shkaqet është komunikimi antimediatik i Kryeministrit.

– Ka përfitime politike kjo maxhorancë nëse hapen negociatat për anëtarësim në BE? Nëse jo, a duhet të dorëhiqet kryeministri? Të dorëhiqet qeveria? 

– Nuk di ta them nëse do përfitojë. Pa diskutim që do ta valëvisë këtë flamur, derisa të na qorrojë nga sytë, por nuk e di çfarë përfitimi real do të ketë. Evropa nuk ka hequr dorë nga presioni ndaj tij. Ministri i Brendshëm sërish do duhet të largohet. E disa përgjegjësi të tjera do duhet të ndërmerren. Kam përshtypjen se negociatat nuk do të hapen. Nëse nuk jepen, Kryeministri nuk ka për ta dhënë dorëheqjen. Dorëheqjen e tij s’kemi për ta parë kurrë ndonjëherë.