Ku shkuan paratë e 1700 vend-strehimeve dhe bunkerëve të Elbasanit?

593
Sot në gjithë qytetin e Elbasanit nuk gjen asnjë strehim dhe bunkerë nga ato qindra, të cilat u ndërtuan për të strehuar popullsinë në rastet e sulmeve ajrore, në kohë lufte. Sipas një ish-komandanti të Repartit të Xhenios, dikur edhe anëtar i Pleniumit të Komitetit të Partisë Rrethit “Në Elbasan, kemi pasur mbi 1700 vend-strehime dhe bunkerë, për të cilët u harxhuan miliona lekë dhe që mirëmbaheshin nga ne, sikur të ishin apartamente banimi, të pajisur me logjistikë dhe sendet e nevojshme, ndërsa sot ato janë privatizuar, tjetërsuar dhe kthyer në biznese, pa pasur asnjë dokument zyrtar”. 
Vendstrehimet, që u kthyen në punishte të pijeve alkoolike
Në denoncimin e tij ish-ushtaraku i lartë i Divizionit të Elbasanit tha se “vendstrehimet ishin në çdo 4-5 pallate, kishin një sipërfaqe, e pakta prej 350 metra katrore dhe ishin në inventarin e ushtrisë, po ashtu edhe bunkerët që për Elbasanin ishin në çdo ndërmarrje, muret rrethuese dhe vendet e hapura, ndërkohë që sot ato janë kthyer në vende ku prodhohet birra, pijet alkoolike false, etj”. Por si ka ndodhur dhe pse ndodhi kjo gjë me vend-strehimet dhe bunkerët gjigandë në Elbasan? 
Allishverishet e ish-drejtuesve të Bashkisë për privatizimin e vendstrehimeve
Fakti është se pas vitit 1992, Bashkia e asaj periudhe kishte caktuar një zyrtar të merrej me inventarin e tyre, seleksionimin dhe pastaj vendosi edhe “privatizimin”, apo shitjen e paligjshme. Brenda 2 vitesh u shitën dhe u dhanë gjoja me qira dhe u privatizuan sikur të ishin mall pa zot, plot 1700 vend-strehimet dhe bunkerë ,prej të cilëve janë përfituar miliona lekë. Ish ushtaraku dhe ish komandanti Repartit të Xhenios në Elbasan tha se “mbi 700 ushtarë dhe oficerë punuan dhe ndërtuan qysh nga viti 1971 deri 1981 vendstrehimet dhe bunkerët, të cilët do t’u duheshin banorëve të lagjeve dhe rrethinave për rastet e ndonjë sulmi ajror, apo tokësor nga jashtë, por puna e tyre dhe jona ka shkuar dëm, ato sot janë kthyer në biznese, bodrume vilash dhe pallatesh dhe ne që punuam dhe u rropatëm, madje disa dhanë edhe jetën, nuk morëm qoftë edhe 1 qindarkë, ndoshta duhet që edhe pse kaluan kaq vjet organet kompetente duhet të hetojnë, nisin çështje penale ndaj ish-zyrtarëve dhe atyre që kanë përfituar padrejtësisht dhe jo të mbulojnë gjithçka”. Fakti është se, ato objekte si vendstrehimet dhe bunkerët e ngritur në oborre shkollash, ndërmarrjesh dhe lagjesh, kanë qenë në inventarin e Ministrisë Mbrojtjes dhe vetëm pas vitit 1995 kanë kaluar në inventarin e Bashkive. Mbi vendstrehimet dhe brenda tyre u ngritën objekte biznesi, themele pallatesh, vilash dhe magazinash, të blerë dhe privatizuar me dokumente të paligjshme. Më tepër se kujtdo tjetër, privatizimi dhe blerja e tyre u takonte ish-pronarëve të trojeve dhe të fundit do të ishin ish-ushtarakët. Nga burime të besueshme mësohet se “blerja e një vend-strehimi pas vitit 1992 ka kushtuar më pak se 200 mijë lekë të vjetra dhe vetëm me një vërtetim, ndoshta pa firmë dhe vulë, me një vlerë qesharake mbi të cilën mund të ngrihen akuza edhe sot për “privatizim dhe shitje të paligjshme trojesh dhe pronash” ndaj ish -drejtuesve të Bashkisë, ish-drejtuesve të ZRPP, ish-kryetarëve të Këshillit Bashkiak, etj. 
Hetime për spekulimet dhe mashtrimet 
Zbulimi i kësaj afere edhe pas kaq vitesh, natyrisht përbën një trokitje të fortë mbi organet e hetimit dhe gjykatat, të cilat duhet të nisin procedimet penale dhe ndëshkimin ligjor të çdo milioneri që paratë i ka vënë duke shitur dhe ngritur biznes me pronat e ish-pronarëve, dhe më e keqja me pronat e shtetit. Ky abuzim kolektiv duhet të vendosë para ligjit cilindo që ka përfituar dje me mandatin e ish-bashkiakut, drejtuesit, apo anëtarit të Këshillit Bashkiak dhe që sot kapardisen, duke kryer transaksione bankare për bizneset e tyre të dyshimta. 
Sigal