Ditën e sotme, Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi gjatë prezantimit të kandidatit për deputet Sokol Skura në Librazhd, u shpreh se vota për këtë kandidat është votë për komunitetin e Librazhdit.
“Ne e dimë shumë mirë si ka qenë Shqipëria më përpara. Ne e dimë shumë mirë sesi Librazhdi kishte studentët më të mirë, me rezultatet më të mira në mësime. Kudo që ishin, ishin ekonomistët, mjekët më të mirë. Ishin kudo i gjeje, ata që kishin cilësi jo vetëm në mësimdhënie dhe rezultatet e tyre, por edhe përgjegjësinë për realizimin në punët që bënin. E pra sot, jo vetëm Librazhdi, por edhe Përrenjasi, Gramshi, Belshi, Cërriku, janë qytete të cilat po shkojnë drejt falimentimit, drejt mbylljes së tyre për shkak se po i ikin të rinjtë dhe të rejat.”,- është shprehur Kryemadhi gjatë prezantimit të kandidatit.
Fjala e plotë e Monika Kryemadhit:
Ne e dimë shumë mirë si ka qenë Shqipëria më përpara. Ne e dimë shumë mirë sesi Librazhdi kishte studentët më të mirë, me rezultatet më të mira në mësime. Kudo që ishin, ishin ekonomistët, mjekët më të mirë. Ishin kudo i gjeje, ata që kishin cilësi jo vetëm në mësimdhënie dhe rezultatet e tyre, por edhe përgjegjësinë për realizimin në punët që bënin. E pra sot, jo vetëm Librazhdi, por edhe Përrenjasi, Gramshi, Belshi, Cërriku, janë qytete të cilat po shkojnë drejt falimentimit, drejt mbylljes së tyre për shkak se po i ikin të rinjtë dhe të rejat.
Detyra jonë kryesore është që nëse një student, një ekonomist, një agronom, kushdo që jeton dhe punon në Librazhd duhet ta ketë pagën më të madhe së të jetojë dhe punojë në Tiranë. Sepse vetëm kështu mund të ripopullojmë qytetet tona. Mund të ri shfrytëzojmë pasuritë tona natyrore të cilat na i ka dhënë Zoti. Na ka bekuar Zoti me një klimë të jashtëzakonshme, një pozicion gjeografik, me çdo gjë, me ujë, me lumenj, me liqene e dete. Dhe ne sot faktikisht marrim përgjegjësitë tona më të mëdha politike, sepse duhet të rikthejmë atë që na takon. Na takon që të jetojmë të lumtur, të lirë në vendin tonë. Të kemi mundësitë dhe shanset që të bëjmë politikë dhe të jemi të barabartë. Dhe të mos i kthehemi më asaj që për idetë, për mendimet, për argumentimet tona, ne të bëhemi kasapë të bindjeve të secilit prej nesh.
Ajo që kam vlerësuar më shumë tek ty Koli, se në të dy njihemi bashkë që në Forumin Rinor Eurosocialist Shqiptar dhe ndoshta kjo na ka bërë edhe për ta njohur më shumë njëri tjetrin, për të qenë të konsoliduar në marrëdhënien tonë politike. Por dua të them diçka, çdo provokim që Rilindja bën ndaj teje, çdo presion që Rilindja bën jo vetëm ndaj teje, por ndaj kujtdo tjetër, më shumë e shton urrejtjen ndaj atyre, më shumë shton urrejtjen e djemve dhe vajzave të Librazhdit ndaj tyre. Sepse nuk ka turp më të madh sesa vëllai vëllait t’i bëjë prapaskena të tilla. Nuk ka turp më të madh sesa Taulant Balla të ngrihet kundër Sokol Skurës, që sot është deputet atje prej votave të Sokol Skurës, prej votave të djemve dhe vajzave të Librazhdit, grave, nënave të Librazhdit. Sepse ajo që është më e rëndësishme, ajo që ne duam dhe kemi moralin e marrëdhënies njerëzore me njëri tjetrin, politika është politikë, por njerëzillëku është njerëzillëk. Asnjëri nga ne nuk e merr karrigen me vete, ama emri që lëmë për fëmijët e për prindërit tanë, është shumë i madh.
Unë jam shumë e nderuar dhe e respektuar që jam sot këtu, por më shumë që jam me ty Koli, me Ermalin, me Ligjërien, me gjithë çunat e gjithë zonës së Librazhdit, por jam e nderuar që kam dhe Mitatin, që është një luftëtar i hershëm i LSI-së. Dua të them që jo vetëm vota për Sokolin është votë për LSI-në, por duke votuar Sokolin ne duhet të tregojë që partitë politike duhet të përfaqësohen me njerëz që përfaqësojnë komunitetin, me njerëz që ju përfaqësojnë ju, me njerëz që përfaqësojnë problematikat tuaja dhe i zgjidhin ato.