Mbyllet pa bujë skandali i Patronazhistëve, SPAK, asnjë akuzë për shitblerje votash apo korrupsion

183
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

2 muaj pas publikimit të skandalit të “Patronazhistëve”, ku u publikua database me të dhënat e 910 mijë qytetarëve të Tiranës, SPAK, (Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion), pritet të mbyllë dosjen dhe t’ja kalojë prokurorisë së Tiranës. Burime, sqaruan se nga hetimi i deritanishëm, SPAK pretendon se nuk ka elementë të veprës penale, korrupsion aktiv apo pasiv në zgjedhje. Hetimi i SPAK është drejt fundit, dhe tashmë dosja pritet t’i kalojë Prokurorisë së Tiranës për veprën penale “Vjedhja e të dhënave personale”. Ishte vendimi i Gjykatës së Strasburgut që detyroi SPAK të devijonte rrjedhën e hetimit, pasi vuri sekuestron mbi kompjuterat dhe pajisjet e portalit “Lapsi.al” që publikoi i pari skandalin. Me “JO”-në e Strasburgut, SPAK nuk e shtriu dot hetimin më tej për të verifikuar se kujt i shërbente ky regjistër dhe se kush i kishte mbledhur të dhënat. SPAK nuk ka dhënë asnjë informacion për publikun, se a u morën në pyetje patronazhistët apo zyrtarët e lartë të Partisë Socialiste për mbledhjen e të dhënave. Gjendur në këto rrethana, duke mos hetuar dot zyrtarët dhe me duart e lidhura nga ndërkombëtarët për të ushtruar presion mbi mediat, SPAK, i ka rënë rrugës më shkurt, duke përsëritur skenarin e dosjes 183, dhe duke bërë delegimin e hetimit te Prokuroria e Tiranës.