Rektorët dhe dekanët miliarderë përballë protestës së studentëve më të varfër të Evropës

132
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

nga Ëngjëll Musai, Drejtor i gazetës “Telegraf”

Ku shkojnë 70 milionë dollarë që zhvaten çdo vit si të ardhura dytësore nga universitetet që paguhen nga taksat e shqiptarëve?

Qeveria jep me PPP dhe universitetet

Studentët kërkojnë anulimin e tarifave studimore për këtë vit akademik, pasi kanë qenë kushte të  vështira të mësimit online, diskriminimi i vazhdueshëm ekonomik duke i detyruar të blejnë paketa interneti apo pajisje teknologjike. Sikur të mos mjaftonte kjo, studentëve u bëhet presion që të paguajnë tarifën, në të kundërt nuk do futen në provime. Rektori i  Universitetit  të Tiranës, Artan Hoxha, deklaroi se tarifat do të paguheshin të plota pas konsultimit dhe vendimin paraprak të çdo fakulteti që vendos mbi tarifimin e studentëve. Ky ishtë një vendim që nxiti dhe njëherë tjetër shumë shqetësime që po ‘flinin’. Një nga shumë studentë ka denoncuar problemin e përbashkët: “Jam një studente masteri  në FSHS dhe na kanë lënë afat për të paguar tarifën e shkollës .750 mijë lekë i kam paguar në shtator dhe duhet të paguaj deri në fund të muajt (maj) dhe 750 mijë të tjera”, shprehet ajo. Në një kohë pandemie është tepër e vëshirë si pasojë e krizës dhe  papunësisë të bëhen bashkë 1 mln e 500 mijë lekë për tarifën e shkollimit. Kjo është një nga mënyrat se si u vendoset ultimatum studentëve, më poshtë janë dhe dokumentat e siguruara nga “Telegraf” që e faktojnë këtë abuzim.

Një prej përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile, që mban në lupë veçanërisht Arsimin e Lartë që prej protestave studentore, Rigels Xhemollari thekson se “Nëse administrata do të kufizonte shpenzimet e luksit, tarifat e studenteve do të ishin ulur.” Nuk është Rektori i universitetit të studentëve që janë në vëshitrësi, por i bie të jetë rektori i kupolës, e cila shpërblehet më 1.7 mln euro në vit shpërblime dhe honorare, teksa shpenzon 400 mijë euro në vit orendi dhe pajisje zyre, 80 mijë euro karburante dhe shpenzime të tjera të cilat ne i kemi identifikuar. Rektori në vetvete është pozicion akademik, organi që merr vendimet për financat është bordi i administrimit. Universiteti i Tiranës e shtyu një muaj përshtatjen me mësimin online, ndërsa Universiteti i Prishtinës e ka shtyrë vetëm një ditë, përshtatjen me mësimin online.

Së dyti, kemi faktin që na e thotë Banka Botërore, e cila thotë që 50 % e territotit të vendit tonë mbulohet me internet më të dobët 80 mg/sek.

Së treti, ne kemi bërë vlerësimin dhe monitorimet tona ku na rezulton se, sipas përgjigjeve të 1000 studentëve na thonë se 60 % e tyre,  e ndjekin rregullisht mësimin online, ndërsa 40 % e tyre  nuk e ndjekin mësimin online.

Ne kemi shprehur dhe herë të tjera nga fillimi i protesave të studentëve e deri tek tenderat korruptive duke evidentuar me fakte problematikat e studentëve. Po ribëjmë një analizë që konsiston në çështjen themelore që është:  Ku shkojnë 70 milionë dollarë që zhvaten çdo vit si të ardhura dytësore nga universitetet që paguhen nga taksat e shqiptarëve?

 

Banka e qeverisë dhe bankomati i studentëve

“Si të jetë arsimi sot, do jetë e ardhmja e vendit nesër”. Kjo është një nga postulatet më të famshme por edhe më diferencuese midis qeverisë së përgjegjshme dhe asaj antikombëtare, të pushtetit të popullit që mbi gjithçka vënë interesin afatgjatë të vendit, dhe zaptuesve të pushtetit që mendojnë për të grabitur, duke u lënë brezave tokën e djegur nga pas. Prej vitesh kam ngritur shqetësimin mbi situatën kaotike në arsimin e lartë shqiptar, duke marrë shkak edhe nga raportet dhe relatat e ngushta me shumë pedagogë, dekanë dhe rektorë të universiteteve publike dhe atyre private. Nuk ka asnjë kontestim kur mendon reformën që “Rilindja” nisi duke mbyllur sikurse e theksoi kreu i saj, “fabrikat e diplomave”. Madje deklaratat e para të shoqëruara me veprime konkrete krijojë një lloj besimi që arsimi shqiptar dhe, sidomos ai universitar, po kthehen në binarët e duhur.

  • Por ç’ndodhi pas saj? A ishte e sinqertë “Rilindja” në iniciativën e vet?
  • Sa e sinqertë ishte ajo me qytetarin dhe taksapaguesit e saj?
  •  Përse i zyrtarizoi pagesat për tarifën e plotë pikërisht 2 javë pasi grabiti dhe bleu zgjedhjet e 25 prillit?

“Shembujt në Rajon dhe Evropë tregojnë se arsimi i lartë publik është falas, madje për studentët ekselentë jepen pagesa nga vetë shteti për t’i stimuluar dhe mbajtur si vlera kombëtare.”

Këtyre dhe shumë pyetjeve të tjera, po i rikthehemi me një analizë të shkurtër dhe disa fakte konkrete, edhe pse atyre që kanë ngjyer gishtin në paratë e taksapaguesve, apo kanë favorizuar me vendime grupe të caktuara interesi, nuk do t’u vijë për shtat. Studentët nuk u lejuan të kthehen në auditore edhe kur situata e pandemisë ishte favorizuese. Kjo që ata të mos organizoheshin dhe të protestonin kundër padrejtësive. Nëse gjatë fushatës politikanët ligjëronin se do të ndihmonin studentët e të rinjtë, krejt e kundërta ndodhi 2 javë pas zgjedhjeve.  Fushata e 25 prillit përfundoi dhe qeveria filloi sulmin duke grabitur studentët ose duke i detyruar që të mërziten nga pamundësia dhe varfëria, çka do t’i detyrojë të rinjtë të ikin jashtë shtetit. As më shumë dhe as më pak, kjo i shkon përshtat projektit të shpopullimit të vendit nga ‘Rilindja’ sipas projektit të sektit sorosian. Ajo që duhet pranuar, ka të bëjë me faktin se, universitetet shtetërore (publike) ushtrojnë aktivitetin e tyre në godinat shtetërore, ku pedagogët paguhen nga shteti, sektori ndihmës i administratës paguhet nga taksat që qytetarët i paguajnë shtetit, pajisjet dhe laboratorët janë të shtetit, energjinë e paguan shteti, ujin e paguan shteti. Pra, gjithçka mbulohet nga buxheti i shtetit. Me pak fjalë, janë paratë e taksave të qytetarëve, bizneseve që shpërndahen për arsim, shëndetësi, rend, mbrojte, e kështu me radhë. Nëse do i analizonim një nga një sektorët, të gjithë çalojnë dhe shërbimet janë në nivelin më të ulët, e shoqëruar kjo nga papërgjegjshmëria e stafeve të administratës, asaj universitare, rendit, shërbimit spitalor, e kështu me radhë. Por le t’i kthehemi kostos së arsimit, për të cilën studentët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë nisën dje protestat e tyre masive. Studentët e arsimit publik paguajnë rreth 50 mijë lekë vit (500 USD). Po kaq paguan edhe tek privati, ose ndoshta 205 më shumë. Po si ka mundësi që shpenzimet e Universiteteve Shtetërore (publike) i ka shteti dhe pagesa për regjistrime dhe provime pak a shumë janë njëlloj si tek privati, kur ky i fundit paguan pedagogë, ambiente, qira, dhe gjithçka që duhet në kuadrin e ushtrimit të aktivitetit normal?

Shtetarët e babëzitur dhe protesta studentore

Jo pa qëllim e fillova këtë analizë modeste me faktin, se nga arsimi varet e ardhmja e vendit, për ta mbyllur me një tjetër fakt tronditës, se një i shkolluar më shumë, është një i burgosur më pak dhe një shkollë më shumë, është një burg më pak. Është koha që shtetarët të mendojnë sado pak për të ardhmen e vendit, në të kundërt protesta studentore është zgjidhja e vetme për të larguar këtë klasë të babëziturish të politikës dhe qeverisjes në vend.

Por le të bëjmë një llogari të taksave, të cilat universitetet publike kanë vetëvendosur me bekimin e bordeve, të përbëra nga universiteti dhe ministria e Arsimit

Në Shqipëri në universitet publike studiojnë rreth 23 mijë persona në 1 vit akademik. Duke qenë që në bachelor, janë 3-vjeçare, atëherë në të tri vitet studiojnë afërsisht 70 mijë studentë. Këta 70 mijë studentë paguajnë afërsisht 500 USD në vit dhe shuma që grumbullojnë universitetet shkon në 35 000 000 dollarë. ( 35 milionë $ )

Në master llogariten rreth 10 mijë studentë, të cilët paguajnë mbi 1000 mijë USD në vit. Duke qenë se janë dy vite, shuma arrin në 20 mijë studentë. Atëherë 20 mijë x 1000 dollarë, shuma totale që paguajnë studentët e masterit shkon në 20 milionë dollarë.

Pra Universitetet Shtetërore (publike) grumbullojnë në 1 vit 55 milionë dollarë, nga studentët që kanë konkurruar, kanë fituar të drejtat me listat e publikuara nga MASR, ndërkohë që këta universitete paguhen njëherë nga taksapaguesit, (ambientet, pedagogët, administratë, energji, ujë etj.) Atëherë ç’janë këto miliona që këta agallarët e Universiteteve me VKM-në e qeverisë dhe udhëzimet e MASR-së, vendosin “gjoba” dytësore?! Autonomia e shumë pretenduar dhe bordet e ministrisë dhe universiteteve, nuk janë gjë tjetër, veçse qendra të grabitjes së qytetarëve me mënyra të djallëzuara dhe të ndyra në bashkëpunim midis qeverisë dhe universiteteve. Tani Qeveria ka vendosur edhe një taksë tjetër në bashkëpunim me MASR dhe Fakultetet që studentët duhet të paguajnë rreth 6.7 dollarë për kreditet që nuk plotësojnë. Nëse një student ka më të paktën 5 kredite pa marrë x 6.7 USD afërsisht 34 USD. Atëherë 90 mijë studentë x 34 USD = 3 milionë USD. 90 mijë studentë x 3USD që kushton një vërtetim, ose listë notash = 2700USD. Doktoraturat nga 7 mijë USD janë rritur në 10 mijë USD, numri të cilëve nuk dihet, duke qenë se shteti i ka bllokuar, shumica zgjedhin privatin. Duke marrë parasysh 10 mln që dalin nga doktoraturat, në total janë 70 mln USD që shteti shqiptar merr çdo vit.

Pse? Ku e kanë gjetur këtë të drejtë që të vendosin gjoba? Kjo as më shumë dhe as më pak është grabitje dhe maskarallëk që u bëhet familjeve të shqiptarëve të varfër. Është kjo arsyeja që nga 40 mijë studentë në vit që kishim nga 1992- 2005, jemi katandisur në 23 mijë, sepse studentët kanë marrë arratinë dhe jo pak, por afërsisht 40% e të rinjve. Në fund të fundit, çdo ekonomi shtetërore apo familjare ka llogari, dhe në këto llogari nuk janë përjashtuar edhe doktoraturat, ku vlera e regjistrimeve dhe studimeve, është shumë herë më e kripur, por me të dhe faktet tronditëse rreth saj me të cilat do merremi në ditët që vijojnë.