Mbi 100 mijë shqiptar ju përgjigjën thirrjes së Presidentit Meta

509
Sigal

Miting madhështor në  bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, për të mbrojtur Kushtetutën e Republikës nga puçistët vendas dhe ndërkombëtar. Orë pas ore me manifestimin qytetarë. Presidenti Ilir Meta: Sovraniteti i përket vetëm shqiptarëve, kur institucionet bien, ngrihet populli ! Në 15 Mars do vendoset për shpërndarjen e Parlamentit.

Miting madhështor  në Tiranë për të mbrojtur Kushtetutën, mbi 100 mijë veta në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”

Presidenti Ilir Meta: Sovranitetit i përket vetëm shqiptarëve

Jakup B. GJOÇA

Manifestimi i djeshëm i thirrur nga Presidenti Ilir Meta për mbrojtjen e Kushtetutës mblodhi si kurrë ndonjëherë, në shesh më rreth 100 mijë qytetarë. Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe gjithë qendra e Tiranës është mbushur me qytetarë nga Tirana, gjithë Shqipëria dhe diaspora. Manifestimi zgjati  dy orë dhe përfundoi në orën 19:00.  Policia e Shtetit mori të gjitha masat për këtë manifestim. 1000 efektivë policie punonjës të rendit, Forcat Shqiponja dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë,ishin në  terren, të cilat u pozicionuan pranë kryeministrisë dhe në institucionet e tjera përgjatë bulevardit. Po kështu, në gatishmëri do të jetë edhe Garda. Godina e kryeministrisë u rrethua nga kordon policësh. Manifestimi i djeëshëm ishte edhe shembullor, pasi nuk u shkaktua asnjë incident dhe manifestuesit u shpërndanë paqësisht.  

Presidenti Ilir Meta zbret mes qytetarëve në Bulevard, bën shqiponjën dhe përulet para shqiptarëve

Ndërsa doli nga institucioni i Presidencës, kreu i Shtetit bëri me duar simbolin e Shqiponjës, ndërsa u përul para shqiptarëve. Para Presidencës u vendos një podium ku pritet të flasë Presidenti i Republikës Ilir Meta, i cili sapo i është bashkuar qytetarëve i rrethuar nga disa personazhe publike duke kaluar mes turmës. Kreu i Shtetit është ulur në tokë dhe ka bërë me duar simbolin e shqiponjës.

Orë pas ore

Ora 16:18 – Të gjithë me flamurin kuqezi! Nis grumbullimi i qytetarëve në bulevard, me qindra policë rrethojnë Kryeministrinë

Ka nisur grumbullimi i qytetarëve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku pas pak do të nisë manifestimi i thirrur nga Presidenti Ilir Meta. Qytetarët kanë lidhur në krah flamurin kuqezi, duke përcjellë mesazhin se ky është një manifestim në mbrojtje të Kushtetutës dhe shtetit shqiptar.

Ora 17:02  Një tryezë e kuqe me Kushtetutën sipër, vendi ku do të firmoset dekreti i jashtëzakonshëm nga Meta

Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ka marrë formë gjithçka, teksa pritet të nisë nga çasti në çast manifestimi i thirrur nga Presidenti Ilir Meta. Në foton që sjell “BalkanËeb”, duket se para Presidencës është ngritur podiumi, ku do të flasë Presidenti Meta dhe disa personalitete të tjera të botës së artit, sportit, kulturës. Në anë të podiumit, janë vendosur dy vajza të vogla, të cilat janë veshur me fustane, që mbajnë ngjyrat kuqezi. Por në shesh nuk mungon dhe tryeza, ku do të firmoset një dekret i jashtëzakonshëm, siç ka thënë vetë Kreu i Shtetit.

Ora 17:07 Presidenca jep mesazhin e fundit para manifestimit: Do bëhet një votim dhe shpallet një betim

Presidenca jep mesazhin e fundit para nisjes së manifestimit, teksa tashmë në shesh janë mbledhur mjaft qytetarë, që mbajnë të gjithë lidhur në krah flamurin kuqezi. Zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi, iu uron mirëseardhjen të gjithë qytetarëve, në atë, që ai e quan manifestim i jashtëzakonshëm mbarëkombëtar. “Motra dhe vëllezër, Mirësevini në këtë Manifestimin të jashtëzakonshëm Mbarëkombëtar, ku do të firmoset një DEKRET, do bëhet një VOTIM dhe do shpallet një BETIM! SOT NIS PRANVERA E PANDALSHME KUQEZI!  #PërKushtetutën #PërRepublikën  #PërShqipërinë #PërKombin”, -shkruan Blushi.

Ora 17:29 Ish-kryeministri Sali Berisha i bashkohet qytetarëve në Bulevard: Fillimi i fundit i narkoshtetit

Ish-kryeministri Sali Berisha i është bashkuar mijëra qytetarëe në manifestimin e thirrur nga Presidenti i Republikës Ilir Meta. I shoqëruar nga truprojat dhe nën fërshëllimat e qytetarëve me dy gishta lart, Berisha ka mbërritur në Bulevard ku në një prononcim të shkurtër për mediat e quajti fillimin e fundit të narkoshtetit këtë manifestim. “Në këtë miting që shënon fillimin e fundit të narkoshtetit”, tha Berisha.

Ora 17:31 Basha i bashkohet manifestimit: Kushtetutës i ka mbetur vetëm kapaku, zgjidhja zgjedhjet e parakohshme

Kreu i PD, Lulzim Basha i bashkohet manifestimit të Metës si qytetar dhe thotë se duhet zgjidhur menjëherë kriza politike nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme. ”Kushetutës i ka mbetur vetëm kapaku. Duhet zgjidhur menjëherë kriza dhe zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe lokale në një ditë. Unë këtu ndodhem si qytetar, si prind, si bashkëshort dhe bashkëqytetar. Unë kam dalë për të dhënë mesazhin që ky është një tubim qytetar, dhe është një bashkim qytetarësh.”- tha Basha.

Ora 17:41- Neritan Liçaj hapi manifestimin: Fronti më i madh kuq e zi kundër grushtit të shtetit dhe rrëzimit të institucioneve në Shqipëri

Artisti i njohur, aktori Neritan Liçaj ka hapur manifestimin e thirrur nga Presidenti i Republikës Ilir Meta në Bulevard. Ai tha se ky tubim është në mbrojtje të Kushtetutës, të lirisë dhe atdheut. Sipas tij, ky manifestim është fronti më i madh kuq e zi kundër grushtit të shtetit dhe rrëzimit të institucioneve në Shqipëri. “Në mbrojtje të Kushtetutës, në mbrojtje të lirisë, në mbrojtje të atdheut tonë të dashur Shqipëri. Ky manifestim madhështor është fronti më i madh kuq e zi kundër grushtit të shtetit dhe rrëzimit të institucioneve në Shqipëri.

Ora 17:49 Profesori Ledi Bianku, gjyqtari shqiptar në Gjykatën e Strasburgut

Profesori Ledi Bianku, gjyqtari shqiptar në Gjykatën e Strasburgut dha një mesazh të fortë para popullit shqiptar, të mbledhur në manifestimin e thirrur nga Presidenti Ilir Meta, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Gjyqtari Binaku zbuloi katër arsyet e forta pse e pranoi ftesën e Presidentit Meta për të marrë pjesë në këtë manifestim, ku e para dhe më e rëndësishmja, sipas tij, ishte pikërisht fakti që në vendin tonë nuk ka Gjykatë Kushtetuese.

Arsyeja e parë është rëndësia e këtij tubimi, mbrojtja e kushtetutës. Nuk kam ardhur për të vendosur se kush ka të drejtë. Debati presidencë-mazhorancë ngre një problem tjetër të madh. Pa një Gjykatë Kushtetuese të pavarur pa integritet, kjo e fundit ngel vetëm një letër. Pa të kemi vetëm ligjin e forcës. 

Arsyeja e dytë. Në një vend që as presidenti nuk ka mundësisë që ankesat e tij t’ia paraqesë një institucioni të pavarur, imagjinoni se çfarë mundësie kanë qytetarët e thjeshtë.

Arsyeja e tretë. Çfarë emri i vihet kësaj situate? Më lini ti referohet zv. kryetari i Gjykatës së Strasburgut që 10 ditë më parë shprehej me këto fjalë: “pushteti i pakontrolluar i shumicës që nuk parasysh interesat e pakicës rrezikon të bjerë në autoritarizëm.” Më gjeni një shtet në Evropë që kjo shprehje gjen më shumë aplikim se sa në Shqipëri.

Arsyeja e katërt, që më shtyu që të vija në Tiranë. Në këtë situatë absurde kushtetuese në Tiranë kur nuk ka gjykata që të kontrollojnë ligjin, në një kohë që stina e protesta ka shpërthyer edhe në vende të tjera. Pyesja se si do të reagonin bashkëkombasit e mi.

 

Ora 17:54  Ish- ambasadori i Shqipërisë  në SHBA Agim Nesho Mbroni Republikën tuaj nga tirania e mazhorancës!

Ish- ambasadori i Shqipërisë Agim Nesho ka folur në podiumin e manifestimit të Presidentit Ilir Meta ku ka kritikuar mazhorancën si dhe i ka kërkuar opozitës të bëjë ndryshimin. Nesho shprehet se shkelja e Kushtetutës është kambanë alarmi për të gjithë shqiptarët të majtë dhe të djathtë si dhe i ka bërë apel qytetarëve ta mbrojnë atë. Agim Nesho: Të bashkuar të gjithë për një qëllim të ushtrojmë të drejtën tonë në mbrojtje të Kushtetutës dhe Republikës. Të kesh demokraci është zgjedhja jonë, të mbrosh demokracinë është detyra jonë sepse të gjithë duam një Shqipëri demokratike. Me të drejtat tona të respektueshme, me shtet ligjor që funksionon, që fëmijët tanë të jenë krenar dhe të vinë të punojnë në vendin tonë. Sot Shqipëria është më e plakur, është vrarë shpresa për të ardhmen, varfëria vazhdon të thellohet, jetojmë midis autokracisë së pushtetit, arrogancës së tij dhe korrupsionit, lidhjes së krimit me politikën, largimit masiv të të rinjve nga vendi. Një vend ku regjimi njëpartiak i një klike ka kapur institucionet e shtetit, llogaridhënia dhe  marrëdhëniet me popullin janë tretur në populizëm dhe propagandë, transparenca mungon, dëshpërimi të mbyt. Të lodhur dhe të zhgënjyer kemi pritur që gjendja të ndryshojë, kemi pritur dhe besojmë që opozita e bashkuar të bëjë ndryshimin. Opozita ka bërë të pamundurën para një regjimi autokratik për të demaskuar aferat e tyre korruptive. Qytetarët kërkojnë zgjidhje të krizës dhe ndryshim. Kemi refuzuar zgjedhjet njëpartiake të 30 qershorit në pritje të një fillimi të ri për Shqipërinë. Sot jemi para gjendjes kritike të shkeljes së Kushtetutës  së vendit, aktit më madhor që ka të bëjë me të ardhmen tonë. Shkelja e Kushtetutës dhe kapja e institucioneve të larta të drejtësisë është vija e kuqe për të ruajtur demokracinë tonë. Mund të kemi menduar në të shkuarën se lufta politike mund të jetë luftë interesash ose lojë pushteti, por e sotmja është këmbanë alarmi për gjithë popullin, për të majtë dhe të djathtë. Të gjithë në mbrojtje të Kushtetutës dhe kthimin e sovranitetit të popullit. Kërkojmë përgjigje për disa pyetje: Pse keni frikë zotërinj pushtetarë nga zgjedhjet e reja, pse keni frikë të bashkoheni me ne për të dënuar krimin elektoral. Tani një pyetje për miqtë tanë ndërkombëtarë: Kush e destabilizon Shqipërinë, ata që kërkojnë funksionimin e demokracisë dhe shtetit ligjor, ata që kërkojnë një Shqipëri pa drogë dhe krim apo një pakicvë në pushtet që ka ndërtuar një platformë tërë ngjyra dhe nuk premton asgjë për të ardhmen. Kur gishti tregon nënën mos u merrni me gishtin. Mbroni Republikën tuaj nga tirania e mazhorancës!

 

Ora 18.00 Regjisori Edmond Budina: I vihem në krah Metës për të mbrojtur Kushtetutën

Aktori dhe regjisori Edmond Budina ka marrë fjalën në podiumin e manifestimit të Presidentit ku ka thënë se 30 vite pas rrëzimti të diktaturës ai vetë rikthehet për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa, një ëndërr që e kishte që në protestën e 30 viteve më parë. Ai shprehet se nuk ka ardhur si mik i Presidentit Meta por i vihet në krah për Kushtetutën. Budina thotë se neodiktatura që po përpiqet që të instalohet dhe të përdhosë Kushtetutën nuk ka për të fituar dhe se ai i vihet në krah Metës për të mbrojtur Kushtetutën.

Edmond Budina

30 vite më parë ne kishim një ëndërr, ta bënim Shqipërinë si gjithë Europa. Mbas 30 vitesh kthehem këtu për ta bërë sërish Shqipërinë si Europa, për ta shpëtuar nga kjo diktaturë e re. Që po përdhos vendin. Kthehemi për të lufutar korrupsionit dhe mafien, i vihem në krah Metës për të mbrojtur Kushtetutën. Nuk kam ardhur si mik i tij, as si përfaqësues i partive politike por për të mbrojtur demokracinë, lirinë e vendit tonë. Ne nuk duhet ta lejojmë që vendi jonë të zbrazet. Kam qenë emigrant dhe e di çdo të thotë të të vdesin prindërit dhe mos kesh t’i shikosh, të mos kesh të hash dhe të vuash, dhe të shohësh në parlament njerëz që pasurohen ndërkohë pensionistët s’kanë para të marrin ilaçe. Jemi këtu t’i themi neodiktaturës që nuk ka për të fituar. Sado që tenton të vendosë sulltanatin e vetë, nuk do ia dalë kurrë të zbrazë Shqipërinë. 30 vite më parë kishim ëndërr ta bënim Shqipërinë si gjithë Europa. Ne do e bëjmë të gjithë bashkë duke shporrur këtë oktapodh që nuk ka asgjë socialiste, për të mbrojtur institucionet.

Ora 18:02  Kapexhiu: Mallkuar qofshin ata që shpikën shuplakat

Jemi mbledhur për dy veprime, dy ide: Të mbrojme dhe të mos pranojmë, për mbrojtje të ligjit, morali e kundër të keqes. Nuk kam qenë kurrë anëtar i ndonjë partie e nuk do të jem, po në caste të vecante jam ndjerë edhe demokrat edhe socialist edhe republican edhe ballist, vetëm për të mirën e Shqipërisë në interesit të Atdheut tim. Kam jam me të gjithë e kundra të gjithëve, jam me ju që jeni në mbrojtje të ligjit, por jam edhe kundër atyre që tentojnë ta prekin e tjetërsojnë ligjin themeltar për interesa personale. Morëm më të keqen e diktaturës e po shpikim më të keqen e demokracisë. E ka zgjedhur një fqinji im, unë kam zgjedhur që Shqipëria të jetë kështu, kam ngrenë 1 mln shuplaka për ta bërë Shqipërinë si është sot. Mallkuar qofshin ata që shpikën shuplakat. U bëj thirrje intelektualëve të vërtetë, të gjithë së bashku të mbrojmë atë që është e vërtetë, të mbrojmë Kushtetutën. Të gjithë ne jetojmë në një grumbull gërmadhash, gënjeshtrash të mëdha. Jemi një vend një partiak, i varfër më i rrënuar, i sflitur cdo ditë. Në çdo fushatë gënjehemi, në cdo Kongres a intervistë, politika e mbushur me pinokë, gënjeshtarë hundgjatë. Ndaj ju bëj thirrje mos u gënjeni, e vërteta mbrohet vetëm nga shpirti juaj e po të jetë nevoja edhe nga grushti juaj. Politikanë të të gjithë ngjyrave, të shkurtër a të gjatë që janë në shenjëstër, hajdutë e kriminelë, të braktisin karriget e vjedhura se ndryshe do përballen me zemërimin e sovranit. Na lini të gëzojmë begatitë e këtij vendi ku lindëm e duam të vdesim. Është një podium i ngritur për të mbrojtur demokracinë. Sa bukur do ishte që sot të premtojmë në heshtje, unë nuk do godas, dhe të gjithë së bashku në fushatë e kudo gënjehemi, por të mblidhemi e të luftojmë sic jemi për veten, fëmijët tanë e Shqipërinë.  Jam me të gjithë ju që jeni në mbrojtje të ligjit e Kushtetutës dhe të shtetit të lirë demokratik. Jam kundër atyre që tentojnë të shkelin e tjetërsojnë ligjin për interesa të ngushta personale apo një grupi të caktuar. Ne morëm më të keqen e diktaturës dhe po shpikim më të keqen e demokracisë. Të gjithë së bashku të mbrojmë atë që është e vërtetë, Kushtetutën. Ne që jemi sot këtu në shesh dhe të gjithë ata që jetojnë brenda kufijve të Shqipërisë, jetojmë, marrim frymë mbi një grumbull gërmadhash  të gënjeshtrave të mëdha. Gënjehemi se jemi një vend demokratik i lirë, pluralist. Jemi një vend i varfër më i rrënuar i sfilitur çdo ditë në braktisje drejt boshllëkut. Në çdo fushatë elektorale, e kongres gënjehemi. Politika e mbushur me pinokë gënjeshtarë hundëgjatë. Mos u gënjeni,  e vërteta mbrohet nga vullnet, gjoksi dhe shpirti juaj, e po të jetë nevoja dhe nga grushti juaj. Të gjithë së bashku të veprojmë me të vërtetën, me kushtetutën. Politikanëve të të gjitha ngjyrave, formave apo kallëpeve, të gjithë ata që janë në shënjestër, janë të shënjuar dhe digjen, injorantë e bastardë, genjeshtarë e të babzitur, të braktisin karriget politike të vjedhura, përndryshe do përballen me zemërimin e sovranit. Të na lenë të lirë, të qetë, të gëzojmë begatinë e këtij vendi. Ky është një podium që e ka nfgritur presidenti Ilir Meta. Herë tjetër ka qenë, Edi Rama, Sali Berisha, Lulzim Basha, pikërisht për të njëjtën arsye, për të mbrojtur demokracinë. Por çfarë rendësi ka podiumi i të cilit është, kur unë kam një endërr,  ëndrra e një vendi ku njerëzit nuk i japin shuplakë njëri tjetrit kur zgjedhin të ardhmen e tyre. Unë nuk dua të qëlloj e tmë qëllojnë, që e kaluara e jetës pa jetë të kthehet në një pamje tjetër. Sa bukur do të ishte që sot kur të kthehemi të gjithë në shtëpi, të përjetojmë në heshtje brenda vetes, unë nuk do të godas. Dhe të gjithë se bashku në fushatë elektorale neve çdo kongres gënjehemi, por le të mblidhemi të gjithë së bashku, dhe të luftojmë kështu siç jemi, për një të vërtetë, për të ligjshmen, për kushtetutën, për veten, për fëmijët tanë, për Shqipërinë.’

Ora 18.08 Studentja e drejtësisë: Shqipëria do të bëhet, Kushtetuta është mbi këdo

Studentja e Fakultetit të Drejtësisë Oneda Skënderiu shprehet gjatë protestës së djeshme se është për një Shqipëri si gjithë Europa. Më tej, e reja frymëzoi duke u shprehur se Shqipëria një ditë do të bëhet dhe do të bëhet si gjithë Europa. Studentja ekselente e Fakultetit të Drejtësisë deklaroi se është kundër shkeljes së Kushtetutës, duke nënvizuar se Kushtetuta jonë është mbi këdo dhe mbi gjithçka.“Në dhjetor të 2018 u ngritëm në protestë për më shumë të drejta dhe mundësi. Kërkesat tona shkuan në vesh të shurdhër. Sot jam këtu si përfaqësuese e një partie politike, por si një e re që nuk do ta braktisë vendin e vet. Ta lësh vendin pa Gjykatë Kushtetuese është të kalosh kufijtë. Të mohosh te drejtën e fjalës dhe të intimidosh mediat është të kalosh kufijtë. Ndal atyre që shkelin Kushtetutën, të drejtën tonë. Zëri i sovranit të dëgjohet. Studentët e drejtësisë në fillimet e tyre njihen me parimet e shtetit të së drjetës dhe me hierarkinë e normave. Kushtetuta jonë është mbi gjithçka dhe mbi këdo. Ajo është e paprekshme. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe u ktheftë në shpresë të shqiptarëve. Shqipëria një ditë do të bëhet, do të bëhet si gjithë Europa.”-deklaroi studentja.

Ora 18.12 Kampioni i Botës, Boksieri: Shqiponjat të kthehen në fole, të mbrojmë demokracinë

Boksieri Kristian Demaj, 11 herë kampion bote ka marrë pjesë në manifestimin e Presidentit. Demaj tha se sot është një betejë për Kushtetutën dhe për demokracinë. Të dashur miq jam i lumtur që jam sot këtu përpara jush. Vi këtu pasi kam fituar titullin ndërkombëtar. Zemra ime është vetëm kuqezi. Zemra ime rreth për këtë vend. Nuk duhet të lemë vendin që të shpopullohet. Shqiponjat duhet të kthehen dhe të jetojnë në shtëpinë e tyre. Beteja për Kushtetutën është për të gjithë ne. Të mbrojmë Kushtetutën dhe demokracinë.

Ora 20.00

Mbi 100 mijë qytetarë që morën pjesë në këtë manifestim, për të mbrojtur Kushtetutën nga Puçi Kushtetues i Rilindjes, pasi u mbyllën aktivitetet, u shpërndanë paqësisht. Presidenti Meta, në fund,u  shpërndau qytetarëve edhe mimoza.