Manovrat/ Vendimi për shkarkimin e Xhaçkës shtyhet për vjeshtë

150
Sigal

Demokratët nuk arritën ta çonin Ministren e Punëve të Jashtëme dhe Europës Olta Xhaçkën në Gjykatë Kushtetuese pa përfunduar sesioni parlamentar, por tentativa e radhës do të bëhet në shtator, me nisjen e punës së Kuvendit. “PD kërkon heqjen e mandatit të deputetes socialiste me pretendimin se ka ndikuar me postin e saj në kabinetin qeveritar për t’i dhënë bashkëshortit shfrytëzimin e pronës publike, por opozita ka hasur në rezistencën e kolegëve të saj të mazhorancës. Ndoshta më mirë me shkrim brenda një jave”- tha Lindita Nikolla. Avokati i deputetes socialiste, njëkohësisht edhe Ministres së Jashtme, Olta Xhaçka ka marrë më shumë se një javë kohë për t’u përgjigjur me shkrim pyetjeve dhe akuzave të opozitës. Mandati i deputetes Xhaçka është shtyrë për në vjeshtë, pasi socialistët arritën të gjejnë mekanizmin për ta zgjatur punën e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin duke përfshirë në proces edhe deputetët që mbështesin Sali Berishën. Në ndihmë socialistes i kanë ardhur edhe pushimet zyrtare të muajit gusht, pasi ky fakt është bërë pengesë për mbledhjen e Këshillit, duke e spostuar këtë çështje në shtator në sesionin e ri parlamentar dhe me një dimension të ri politik, në prag të një vit zgjedhor si dhe me një opozitë Berisha-Meta. Kryediplomatja shqiptare rrezikon të përballet me Gjykatën Kushtetuese pasi PD e akuzon për shkelje të Kushtetutës dhe konfliktit të interesit me mandatin e deputetit për shkak të statusit të bashkëshortit të saj “Investitor strategjik” të dhënë nga qeveria e Edi Ramës në mars të këtij viti. Opozita pretendon se me pushtetin e ministres Olta Xhaçka i ka dhënë bashkëshortit të saj akses në pronën publike, duke shfrytëzuar bregdetin në Himarë si dhe do të përfitojë nga paratë publike për të investuar 5.5 mln euro një hotel me 5 yje. Në rast se PS nuk do ta lëshojë Ministren Xhaçka, atëherë PD me 28 firma ka edhe një mundësi për t’iu drejtuar Kushtetueses. Precedenti, i cili mund të rrezikojë Xhaçkën është vendimi i Gjykatës Kushtetuese në 2016, e cila i hoqi mandatin e deputetit Koço Kokëdhima me argumentin se kishte përfituar tendera publikë gjatë kohës që ishte në Kuvend. Por e gjithë kjo përplasje politike për Olta Xhaçkën është vetëm një shoë politik pasi ajo e ka mbrojtur bashkëshortin e saj në Kuvend, madje e indinjuar që opozita po baltos ëndrrat e tij. “Nuk mund të vish sot këtu dhe të hedhësh baltë mbi të, mbi punën e tij, mbi djersën e tij dhe mbi ëndrrat dhe aspiratat.”- shprehej ministrja.