Shkarkimi/ Gledis Nano i përshëndet të gjithë përveç politikës

148
Sigal

Një ditë pas shkarkimit nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano ka bërë edhe përshëndetjen e fundit publike, duke ia adresuar kolegëve, mediave, publikut dhe ndërkombëtarëve, por jo politikës. Në letër, Nano e nis fjalën duke iu drejtuar çdo efektivi të Policisë së Shtetit, ku thekson punën e vështirë në radhët e uniformave blu, ndërsa sqaron se nuk ka në plan ta analizojë punën e tij si drejtor i Policisë. Edhe pse politikën që e propozoi në postin e drejtorit, ka zgjedhur të mos e falenderojë, Nano citon në letrën e lamtumirës, filozofin kinez Konfuçi dhe ish-kryeministrin izraelit Shimon Peres. “Gjëja më e rëndësishme në jetë është të guxosh. Gjëja më e ndërlikuar në jetë është të kesh frikë. Por, më e zgjuara në botë është përpjekja për të qenë një person me moral”.-thotë ai, duke lënë të kuptohet se arsyeja e largimit lidhet menjë përplasje që ka patur dhe ka refuzuar të veprojë siç mund t’i jetë kërkuar. Ju drejtohem, ashtu si në ditën kur i përzgjedhur nga radhët e policisë, mora detyrën e vështirë të Drejtuesit të Policisë së Shtetit. Në punën time, nuk më ka mjaftuar vetëm përvoja e fituar nga vitet, por edhe modelet e ndërtuara nga shumë prej personaliteteve madhorë të marrëdhënieve ndërkombëtare, ku njëri prej tyre mbetet edhe një nga mendjet më të ndritura të politikës botërore; Shimon Peres. Prej tij kam mësuar dhe nuk e kam harruar për asnjë çast thënien se: “Gjëja më e rëndësishme në jetë është të guxosh. Gjëja më e ndërlikuar në jetë është të kesh frikë. Por, më e zgjuara në botë është përpjekja për të qenë një person me moral”. Askush nuk mund ta ndërtojë personalitetin e tij nëpërmjet postit, që mund t’i ofrohet! Për cilindo këto janë periudha të përkohshme që nëse arrin ta mbyllë më nder dhe vlerësim që nga qytetari më i thjeshtë, deri tek partnerët më strategjikë, atëherë çdokush prej nesh ka fituar vetveten. Në mënyrë të veçantë, postet drejtuese janë dhe do të mbeten një provë karakteri për të gjithë ata që marrin përsipër detyrat e vështira dhe me përgjegjësi të lartë shoqërore. Familja, mbetet streha dhe vatra më e përkushtuar, e cila me mbështetjen dhe sakrificat e pashembëllta që i kushton familjarit të saj, i cili ka marrë përsipër një mision aspak të lehtë, arrin t’i japë shoqërisë një dimension fisnik dhe të pakrahasueshëm! Në këtë etapë ku ka hyrë tashmë zhvillimi dhe integrimi i Policisë së Shtetit, duke u bërë partnere e agjencive më të njohura ligj zbatuese ndërkombëtare, policia po përballet dhe është në luftë të pandërprerë me gati të njëjtat dukuri e sfida, me të cilat ndeshet puna e policive në vendet me një performancë dhe traditë tejet të konsoliduar. E kaluara është ajo dritare që na përcjell vetëm të vërtetën, atë të vërtetë për të cilën na del të gjithëve si detyrë të punojmë e të sakrifikojmë jo pak nga jeta jonë, ashtu siç thotë edhe Konfuci i madh se “Fitorja jonë më e madhe nuk është të mos biem kurrë, por të ngrihemi sa herë që biem”!