“Me, apo pa koalicione, Rama do shporret me votën e qytetarëve. Ky është një qëndrim për të mbrojtur vlerat dhe parimet demokratike të bashkëjetesës politike në një sistem demokratik dhe respektimin e shtetit të së drejtës dhe të ligjeve e institucioneve të tij”
Jakup B. GJOÇA
Luçiano Boçi, ish deputet i PD-së, në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se PD-ja nuk është kundër listave të hapura, madje, është angazhuar për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë e kryebashkiakë, që çdo anëtar, ka të drejtën e zgjedhjes. Mirëpo, thotë zoti Boçi, listat e hapura, që pretendoi Rama, janë një tymnajë për të penguar koalicionet dhe 5 Qershori rrafshohet, nëse Rama i miraton njëanshëm ndryshimet kushtetuese, pa konsensusin e opozitës, gjë e pandodhur në këto vite demokraci parazgjedhore.
-Zoti Boçi, pse PD-ja nuk do Listat e Hapura, që votuesi të votojë kandidatin për deputet, dhe jo Listën e Partisë?
-Partia Demokratike, as ka qenë dhe as nuk është kundër listave të hapura. Madje, si pjesë e angazhimit të saj për të hapur listat dhe për të mos qenë ato në dorë të njëshit të partisë, bazuar në statutin e saj dhe angazhimin personal të zotit Basha, ka kohë që ka nisur procesin e zgjedhjes së përfaqësuesëve qendrorë e lokalë nga anëtarësia, sipas parimit “një anëtar, një votë”. Një lloj i primareve, ku vendimmarrja sipas vlerës dhe vetimit të çdo përfaqësuesi u takon qytetarëve të angazhuar në strukturat e PD-së. Një filtër ky i sigurt dhe efikas. Tymnaja e shpërndarë nga Rama për lista të hapura, shpërndahet thjesht për të mbuluar qëllimin e mbrapshtë të tij për të penguar koalicionet parazgjedhore, që matematikisht fundosin atë dhe kartelin e tij politik. Ramës nuk i djeg barku, as për debilizmat, as për arrivizmat e opozitës false, pasi të dyja i konkurron me sukses e pasion dhe madje, i tejkalon. Ramës i duhen “masa” për të shpëtuar lëkurën e vet dhe po përdor dredhinë e fundit. Listat e hapura, që më së shumti mbështeten në cilësitë personale të kandidatëve, janë disfavor i tij, pasi Rama ka dëshmuar që të nominuarit e tij janë shumë inferiorë në cilësi, në raport me vlerat e dëshmuara nga përfaqësuesit e PD-së. Por “loja” janë koalicionet. Në iluzionet e veta Rama mendon se shkatërrimi i tyre do mund të ndalë shkatërrimin e pushtetit të tij, prandaj është i gatshëm të shkelë mbi kushtetutën dhe mbi çdo këshillë ndërkombëtare. Por iluzionet, iluzione janë. Rama në çdo formulë është humbës i padiskutueshëm.
– Kryeministri Rama deklaroi nga seanca plenare e së enjtes, se ndryshimet Kushtetuese që pritet të votojë Parlamenti më 30 korrik, nuk do të zhbëjnë Marrëveshjen e 5 qershorit. Mund të na argumentoni, ku preket “5 Qershori” nga ndryshimet Kushtetuese?
-Nëse këto ndryshime nuk prekin marrëveshjen mbi parimet e vendosura për kodin zgjedhor, atëherë pse e merr mundin Rama?! E bën për sport politik?! E bën, sepse kështu ia thotë truri, apo se i qan zemra për Kushtetutën?! As njëra, e as tjetra. Ndryshimet synojnë ndalimin e koalicioneve, nëpërmjet një hapje liste të papërfillshme. Hapja e pretenduar në 1/3 e saj, nuk ndikon fare në diktatin e tij për të vendosur në lista të inkriminuarit e zakonshëm, të korruptuarit e pushtetit, të pamoralshmit e qeverisë, por thjesht është një derë dhelpre për të arritur të fashisë pak tmerrin e Ramës nga qenia e koalicioneve. Aleanca e qelbësirave ka ndryshuar strategji dhe përballë aleancës së të mirës, nuk ka këllqe, e kërkon të luajë pisët, me qëllim që t’i shpëtojë ndëshkimit. Kështu kujton në fakt, se fati i Ramës është vulosur. 5 Qershori rrafshohet, nëse Rama i miraton njëanshëm ndryshimet kushtetuese, pa konsensusin e opozitës, gjë e pandodhur në këto vite demokraci.
“Ndryshimet synojnë ndalimin e koalicioneve, nëpërmjet një hapje liste të papërfillshme. Hapja e pretenduar në 1/3 e saj, nuk ndikon fare në diktatin e tij për të vendosur në lista të inkriminuarit e zakonshëm, të korruptuarit e pushtetit, të pamoralshmit e qeverisë, por thjesht është një derë dhelpre për të arritur të fashisë pak tmerrin e Ramës nga qenia e koalicioneve”
-PS-ja erdhi në pushtet në 2013 me koalicionin parazgjedhor të së Majtës, ku fitoi 1 milionë vota. Pse tani kryeministri Rama kërkon të ndalojë koalicionet parazgjedhore me ndryshime në Kushtetutë?
– Ajo që e tmerron Ramën e post 2013, është matematika e votave. Fronti opozitar sot, duke u mbështetur dhe në rezultatin e 2017, matematikisht ka më shumë vota. Dhe po të kesh në konsideratë përqindjen e votave të vjedhura në 2017, dhe votat e humbura në masë nga keqqeverisja deri më tani, në të gjitha aspektet, situata për Ramën bëhet katastrofike. Si i mbyturi që kapet pas fijes së barit, Rama kërkon shpëtim tek prishja e koalicioneve.
“Loja” janë koalicionet. Në iluzionet e veta, Rama mendon se shkatërrimi i tyre do mund të ndalë shkatërrimin e pushtetit të tij, prandaj është i gatshëm të shkelë mbi kushtetutën dhe mbi çdo këshillë ndërkombëtare”
-A mundet ky parlamentar, pa opozitën reale, por edhe pa Gjykatë Kushtetuese të bëjë ndryshime Kushtetuese të këtilla, të cilat duan ose konsensusin e gjerë politik, ose referendum?
– Parimisht këto ndryshime janë krejtësisht të pamundura, për çdo demokraci që do gjendej në kushte të tilla, por me Ramën në këtë vend kanë ngjarë shumë gjëra absurde të paimagjinuara dhe në këtë kontekst nga Rama çfarë nuk pret. Gurët që ky “i mençur”, ka hedhur në lumë janë me qindra dhe nuk është se i bën përshtypje të hedhë dhe një të tillë.
– Kodi Zgjedhor dhe Kushtetuta e ndalojnë zbatimin e ndryshimeve thelbësore të sistemit zgjedhor të zbatohen në zgjedhjet e rradhës parlamentare, nëse këto ndryshime bëhen më pak se 1 vit nga data e zgjedhjeve. Atëherë, a munden këto ndryshime kushtetuese për Reformën Zgjedhore të zbatohen në zgjedhjet parlamentare të cilat mund të bëhen deri në maj 2021?
– Rama e di këtë. Loja e tij, jo më kot ka në bazë zhurmën e listave të hapura, si pikë, ku mund të kapërcehen të gjitha ndalesat e cituara. Një dijeni e tillë zbulon dhe një mundësi tjetër të zhurmës që po bën Rama, krahas qëllimit për të ndaluar koalicionet. Si humbës në panik, ai kërkon të negociojë me faktorët politikë intra dhe ekstra, të ardhmen e tij e cila më shumë është në prag të derës së burgut, se sa në prag të mbetjes së tij kryetar i PS-së.
– Zoti Boçi, kësaj here, (është hera e parë) që të gjithë partnerët politikë të Shqipërisë, SHBA, BE, kancelarja Merkel , bëjnë përditë apel, që marrëveshja e dakordësuar në Këshillin Politik, me ndërmjetësinë e Ambasadores Kim dhe BE-së, të mos cënohet, se rrezikohet integrimi. A mendoni se kryeministri Rama do të shkojë edhe kundër ndërkombëtarëve, duke shpërfillur pasojat politike për Shqipërinë?
– Profili psikik i Ramës dhe retorika e tij sovraniste fallco, të rrethuara me tmerrin e frikën e humbjes së sigurtë të pushtetit, e bëjnë Ramën një demon të plagosur, i cili nuk do të dijë të ndalet deri në konkretizimin e halucinacioneve dhe paranojave të tij. Ramës nuk i bëhet aspak vonë për integrimin e Shqipërisë. Qëllimi i tij është shpëtimi i fatit të tij personal politik. E për këtë do bëjë gjithçka. Do të armiqësohej dhe me alienët po të qe nevoja, e jo më me ndërkombëtarët dhe do bëjë çdo pakt me djallin e vet, brenda tij.
– Nëse kryeministri Rama nuk trukon dhe bën bllof politik, por voton në 30 korrik ndryshimet Kushtetuese dhe ndalon koalicionet parazgjedhore, çfarë do të bëjë Opozita? Ka opsion politik bojkotimin e zgjedhjeve parlamentare të rradhës?
– Kjo do të thotë, që gabimisht Rama do të zgjedhë mënyrën më të dhimbshme dhe më të turpshme për të për tu larguar nga pushteti. Opozita do bëjë çdo betejë politike të mundshme, përfshi zgjedhjet, për largimin e Ramës.
“Ramës nuk i bëhet aspak vonë për integrimin e Shqipërisë. Qëllimi i tij është shpëtimi i fatit të tij personal politik. Do të armiqësohej dhe me alienët po të qe nevoja, e jo më me ndërkombëtarët dhe do bëjë çdo pakt me djallin e vet, brenda tij”
– A ka dyshime PD-ja, që zgjedhje parlamentare pa koalicione parazgjedhore nuk mundet dot t’i fitojë?
– Qëndrimi ynë nuk është qëndrim arrivist që buron nga dëshira e qëllimi për të marrë pushtet. Me, apo pa koalicione, Rama do shporret me votën e qytetarëve dhe PD-ja me aleatët e saj do marrin drejtimin e vendit. Ky është një qëndrim për të mbrojtur vlerat dhe parimet demokratike të bashkëjetesës politike në një sistem demokratik dhe respektimin e shtetit të së drejtës dhe të ligjeve e institucioneve të tij. Nga ky qëndrim parimor burojnë më pas dhe të gjitha qëndrimet e tjera që lidhen me shtetin dhe qytetarët.
– Faleminderit!