Prof. Dr. Elmaz Sherifi: Erdhi si shpëtimtar, po ikën si shkatërrimtar

356
Sigal

Është mësuar me dhurim pushteti. Prandaj mendon dhe ka bindje, se vetëm ai duhet të qeverisë. Nano e bëri ministër, pa asnjë kontribut politik. Meta e mbështeti të bëhej kryetar bashkie, kur edhe brenda partisë e akuzonin se kishte shpërdoruar detyrën e ministrit dhe se kishte abuzuar me tenderët e fasadave. Partia Demokratike inicoi një komision hetimor dhe ministrja që e zëvendësoi e depozitoi dosjen e abuzimeve në Prokurori. Por, grupi socialist i komisionit hetimor e mbrojtën.  Sa mori mandatin e dytë të kryetarit të bashkisë,  u bë anëtar i PS-së dhe brenda muajit,  kërkoi të bëhej kryetar i partisë. Konkurroi dhe nuk mori as votat e delegatëve që firmosën të ishte kandidat.  “Humba betejën, por jo luftën”- tha, dhe e shndërroi funksionin e kryetarit  të bashkisë  në biznes politik, që ta merrte me çdo çmim kreun e PS-së, dhe të bëhej kryetar i forcës më të madhe politike.  Punoi me shtab drejtues që  PS-ja  t’i humbte zgjedhjet parlamentare  të 2005,  madje nga padurimi doli si kryetar bashkie me megafon në dorë kundër qeverisjes  socialiste. Amoralitet i madh politik e njerëzor, por ishte brenda moralit të tij. Duhej marrë  PS-ja,  se si thonte, komunistët shtypi sa të duash, ata për partinë do votojnë. Teza e tij për mbulimin e qëllimit, përse duhej bërë kryetar i partisë socialiste, me çdo çmim, ishte “që t’i japë fund sherrnajës  politike  Berisha-Nano”! Dorëheqja e Nanos, krijoi kushtet që t’i dhurohej pushteti partiak. E filloi me “politikën e re”, me mentalitetin e anarkistit dhe të sundimtarit. Deklaronte se nuk ishte politikan, por misionar. Filloi përçarjen e PS-së.  Që në 2008,  bëra shkrimin dhe paralajmërova socialistët se Rama, ka mision ta shkatërrojë  partinë socialiste. Nuk pranonte  të bënte koalicion me LSI-në, se pretedonte  se do hynte në histori si strategu që i mundi  i vetëm, Berishën, Nanon dhe Metën, por i humbi zgjedhjet parlamentare në 2009.  Grupi i tij mbështetës  ndryshoi  edhe  statutin, që t’i dhurohej përsëri pushteti  partiak. Bëri koalicionin me LSI-në dhe realizoi ëndrrën e bërjes kryeministër. Prandaj filloi luftën kundër të gjithëve dhe e mori në dorën e tij “timonin e tepsinë”. Por duke qenë i pangopur me pushtet e pasuri, i duheshin të gjitha pushtetet e shtetit, që të kurorëzohej perandor, për të qeverisur gjatë. E ka një të mirë. Nuk i fsheh qëllimet. Deklaroi se dua të qeveris deri më 2030. Prandaj i duhej të eleminonte  edhe opozitën. Ngriti kurthe  politike dhe ia mbërriti qëllimit. Opozita dorëzoi mandatet dhe ai ua dhuroi mandatet grupit listar të “ferrave e murrizave”, me kushtin, që të artikulonin si opozitarë  e të votonin si mazhoritarë. Organizoi zgjedhjet vendore në 2019,  pa opozitën dhe krijoi parti opozitare,  e cila u fut në zgjedhjet vendore, pa u regjistruar si subjekt politik nga  Gjykata e Tiranës.  Ka ditur të luajë edhe me faktorin ndërkombëtar. Tani ndërkombëtarët e njohën se çfarë përfaqëson, dhe e kanë vendosur  në “darën shtërnguese”, duke kushtëzuar  hapjen e negociatave, me plotësimin e standardeve demokratike  në qeverisje. E kuptuan lojën e tij dhe e detyruan më 14 janar të themelohej Këshilli Politik, me status të veçantë.  Platforma e Këshillit Politik u miratua edhe në Kuvendin e Sajuar të Ramës. Sipas platformës,  Komisioni i Reformës Zgjedhore dhe Kuvendi i Sajuar,  janë të detyruar të miratojnë  projektet e miratuara me konsensusin e palëve. Kështu u miratua me 5 qershor Marrëveshja që u firmos edhe nga Rama. Kur kuptoi se me atë Marrëveshje e humbet pushtetin, lajthiti, e nuk pranonte ta miratonte. Presioni u rrit nga Europa e SHBA. I kapur si “ujku në çark”, po “ha këmbët e tij”.  Do ndryshojë  Kushtetutën, që të heqë koalicionet parazgjedhore, deklaroi anarkisti. Arriti deri aty sa të japë shpjegime se kush e krijoi Këshillin Politik, u bë “anëtar konsultative” dhe kur nuk iu përgjigj Basha, deklaroi se Këshilli Politik,  nuk do të mblidhet më. I tmerruar nga humbja e pushtetit  dëshiron të eleminojë koalicionet parazgjedhore dhe të themelojë partinë e re opozitare, e cila sipas tij, është opozita reale, për të legjitimuar zgjedhjet parlamentare. Pra për zgjedhjet vendore krijoi Bindjen, për zgjedhjet parlamentare do krijojë Partinë e Besës. Ky mjeshtër i anarkizmit institucional erdhi në politikë si shpëtimtar dhe do ikë nga politika si shkatërrimtari i moralit politik, i kushtetuteshmërisë, institucioneve të shtetit dhe si përçarësi më i madh i shqiptarëve. Ngriti padi kundër kryeministrit Haradinaj, pse ishte kundër projektit  të shkëmbimit  të territoreve shqiptare  në Kosovë. Me politikat e tij të dhurimit të pasurive shtetërore kompanive që e mbështesin për mbajtjen e pushtetit, i ka varfëruar shqiptarët, duke e bërë popullin më të varfër në Ballkan. Taksat nuk mjaftojnë të paguhen interesat e bosëve të PPP-ve. Borxhi ka mbërritur mbi 80 përqind e do të jetë lak në fyt edhe për nipërit e stërnipërit. Rinia shqiptare e priti si shpëtimtar po ajo po largohet nga Shqipëria se kanë humbur besimin. Ndërsa ky i lumtur, do të ndryshojë edhe Kushtetutën pa konsensus, që të qeverisë gjatë, shumë gjatë. Aq është marrosur, sa ndryshimet e legjislacionit zgjedhor i bëri me marrëveshje, Kushtetutën do e ndryshojë pa marrëveshje. Rrena e “listave të përdredhura” , bind vetëm grupin e ri politik mazhoritar  të “ferrave e murrizave”. Ajo u sajua që të garantojë Ramën e miqtë e tij. Ky është akti më i pamoralshëm dhe më ofendues për votuesit shqiptarë. Populli shqiptar kishte të drejtë zgjedhje individuale, vetëm me sistemin zgjedhor që ishte deri më 2008,  kur ky Ramë e shkatërroi. Dëshiron t’i japë fuqi votës së votuesit, le të rikthehemi te ai sistem. Ramë! Misioni juaj ka mbaruar. Erdhe si shpëtimtar, po ikën si shkatërrimtar.