Rusia ndërpret internetin dhe energjinë pas orës 22:00 për të rritur lindshmërinë

56
Sigal

Në një përpjekje të pazakontë për të përballuar rënien e popullsisë, autoritetet ruse kanë njoftuar masa drastike: ndërprerjen e energjisë elektrike dhe internetit pas orës 22:00. Qëllimi i kësaj nisme është të kufizojë kohën “online” të çifteve dhe t’i nxisë ata të kalojnë më shumë kohë së bashku në mënyrë intime.

Sipas burimeve zyrtare, qeveria ruse synon që, përmes kësaj mase, të krijojë një klimë që favorizon shtimin e lindjeve, në një vend që po përballet prej vitesh me rënie të ndjeshme demografike.
Por ndërhyrja nuk mbaron këtu.

Për të forcuar më tej nismën, shteti ka paralajmëruar edhe mbështetje financiare për takime romantike, duke ofruar “takime të sponsorizuara” për çiftet. Sipas autoriteteve, kjo pritet të ndihmojë në krijimin e kushteve më të mira emocionale dhe sociale për shtimin e familjeve të reja.

Ndonëse masa të tilla kanë ngjallur debat brenda dhe jashtë vendit, qeveria ruse i konsideron ato të nevojshme për të ndryshuar trendin e lindjeve, i cili në vitet e fundit ka qenë në rënie të vazhdueshme.

A do të funksionojë ky model i ndërhyrjes shtetërore në jetën private të qytetarëve? A është ky një “romantizëm i detyruar” apo një strategji e zgjuar për të shpëtuar një krizë të ardhshme demografike?