Prof. Dr. Arben Malaj: Shqipëria ka nevojë për burra shteti, jo për diktatorë e manekinë partiakë

418

“Qeveria Rama, pas penaliteteve në rritje nga vendimet e gjykatave ndërkombëtare, pas dështimit të paketave anti covid-19, pas rritjes galopante të borxheve, vlerësohet sot një qeveri e paditur, e papërgjegjshme, arrogante dhe e babëzitur”

Sigal

Jakup B. GJOÇA

Gazetar i “TELEGRAF”

Prof. Dr. Arben Malaj, ish -ministër i PS-së, një nga personalitetet e PS-së dhe të së Majtës shqiptare, në intervistën ekskluzive për gazetën “Telegraf” pohon se PS-ja, për shkak të keqqeverisjes së Ramës, do të katandiset si PASOK-u. Prof. Malaj pohon se Rama ka mangësi të theksuara si lider vizionar, ndërkohë që keqqeverisja “Rama” filloi me cenimin e demokracisë së brendshme të PS-së. Prof. Malaj thotë se Rama kopjoi modelin e Zapateros, ndërtoi qeverinë e shokëve me gratë e shokëve dhe kopjoi partitë e Majta që shkëputën çdo lidhje me sindikatat e grupet e interesit. Prof. Malaj thotë se ka ikur koha e politikës të Haxhi Qamilit, Shqipëria ka nevojë për burra shteti, e jo diktatorë  e manjakë partiakë. Prof. Malaj, bën apel që PS-ja të vetpastrohet nga ata që shpërdoruan mandatet politike për të përfituar personalisht dhe shpreh edhe mirënjohjen e vet për njerëzit e thjeshtë të PS-së, për besimin që i kanë dhënë. Prof. Malaj thotë se, “është një mundësi dhe kënaqësi e veçantë të kontribuoj në zhvillimet dhe sfidat e vendit tonë nëpërmjet angazhimit me Partinë Agrare Ambientaliste, e cila në zgjedhjet e afërta parlamentare,  të jetë parti parlamentare dhe me fuqi negociuese”.

-Prof Malaj, cili është raporti juaj aktual me politikën në tërësi dhe PS-në në veçanti?

-Aktualisht nuk kam një angazhim të drejtëpërdrejtë partiak, pra nuk jam anëtar partie, por me analiza në median e shkruar dhe vizive, përpiqem të kem kontribute publike  për sfidat shoqërore, ekonomike, buxhetore dhe  politike të vendit tonë. Mirënjohja ime me njerëzit e thjeshtë të PS-së do të jetë maksimale, e përhershme, e plotë dhe e pa kushtëzuar.  Ata më besuan mandate të rëndësishme politike dhe qeverisëse. Shpresoj se i kam shërbyer vendit tonë me dashuri, me integritet  njerëzor dhe kredibilitet profesional. Ndjehem krenar që periudha e menaxhimit të ekonomisë dhe financave publike gjatë viteve 1997-2005, ku kanë kontribuar edhe kolegë të tjerë të PS-së, vazhdon të mbetet periudha më e përgjegjshme dhe më e sukseshme. Mirënjohja e socialistëve të thjeshtë edhe  pas vitit 2013, me obligon të vazhdoj të angazhohem dhe të  kontribuoj pozitivisht.

“Shqipëria duhet të dalë sa më parë nga kriza e rëndë e Ramaqeverisë. Qeveria Rama është e paditur, e papërgjegjshme, arrogante dhe e babëzitur”.

– Prof. Malaj, si e shpjegoni që “Rilindja” me një parlament pa opozitë, duke shpërfillur kësaj herë edhe apelin e partnerëve tanë SHBA, BE dhe Kancelaren Merkel, pa Gjykatën Kushtetuese funksionale, kërkon të bëjë ndryshime Kushtetuese për çështje kaq themelore të Reformës Zgjedhore?

– Është tipike për liderët arrogantë të lodhen që të duken të fortë, kur në fakt janë shumë të dobët, për shkak të keq-qeverisjes që i kanë bërë vendit. Qeveria Rama, pas penaliteteve në rritje nga vendimet e gjykatave ndërkombëtare, pas dështimit të paketave anti covid-19, pas rritjes galopante të borxheve, vlerësohet sot një qeveri e paditur, e papërgjegjshme, arrogante dhe e babëzitur. Jam i bindur se çfarëdo  kokëfortësie të tregojë Rama, ai nuk e dëmton dot të ardhmen europiane të shqiptarëve. Por papërgjegjshmëria dhe dështimet e tij mund të vazhdojnë ta pengojnë dhe vonojnë integrimin. Ky është çmimi i rëndë që paguajnë vendet që tolerojnë liderët e dështuar, anti demokratikë dhe arrogantë dhe që synojnë pushtet absolut në ekonomi dhe politikë.

“Rama ka mangësi të theksuara të formimit si një lider vizionar. E ka më të lehtë të menaxhojë fasadat, se sa thelbin e sfidave. Rama ka mangësi kritike të elemeteve thelbësorë të një  lideri shtet-formues. Ai e ka të paqartë në thelb, raportin midis sovranitetit dhe integrimit në organizata rajonale, apo globale në fushën e sigurisë dhe ekonomisë”

– Prof Malaj, PS-ja, si parti e progresit demokratik, në 1998, edhe pse në Parlament kishte asaj kohe votat, edhe pse parlamenti kishte Opozitë, ndryshimet Kushtetuese asaj kohe i bëri me referendum. A kanë ndryshuar kohët, apo kemi regres politik të PS-së? (analizoni regresin, shpërfytyrimin politik të PS)

– Në atë periudhë kam qënë Kryetar i Grupit parlamentar të PS-së, dhe kemi ndjekur që nga fillimi i procesit të hartimit të Kushtetutës që ishte thelbësisht demokratik, gjithëpërfshirës dhe synonte të krijonte një ekuilibër më të mirë të ndarjes, balancës dhe kontrollit të pushteteve dhe Kushtetuta e re reduktonte rrënjet e krizave. Ekipi  për pregatitjen e draftit të parë të Kushtetutës drejtohej nga z. Sabri Godo, Skënder Gjinushi dhe Arben Imami. Debatet thellësisht juridike, dominonin mbi interesat e vogla partiake. Referendumi është forma më e plotë e demokracisë me pjesëmarrje.

– Shqiptarët duan të dinë: Kryeministri Rama përse i bën këto ndryshime Kushtetuese, duke dalë edhe kundër SHBA, BE dhe Merkel? Për të ndërtuar shtet dhe mbrojtur sovranitetin? Apo duke rënuar shtetin e ndërtuar pushtetin e vet?

– Shumë analistë theksojnë se Rama ka mangësi të theksuara të formimit si një lider vizionar. E ka më të lehtë të menaxhojë fasadat, se sa thelbin e sfidave. Rama ka mangësi kritike të elemeteve thelbësorë të një  lideri shtet-formues. Ai e ka të paqartë në thelb, raportin midis sovranitetit dhe integrimit në organizata rajonale apo globale, në fushën e sigurisë dhe ekonomisë. Pas vitit 1991, Shqipëria me kërkesën e saj këmbëngulëse, është anëtarësuar në  Këshillin e Europës, FMN, BB , OBT dhe  NATO, të cilat e kushtëzojnë bashkëpunimin me vendet anëtare me disa parimeve dhe standardëve të rëndësishme. Por çdo anëtarësim që iniciohet nga vendet që dëshirojnë të bëhen anëtare të këtyre organizatave është dorëzim gradual dhe i vetëdijshëm i sovranit. Të fshihesh pas sovranitetit, kur të imponohen  reforma jetike, sidomos për funksionimin e shtetit ligjor, ky nuk është patriotizëm, por keqpërdorim i nacionalizmit, ku siç thuhet në historinë e gjatë politike, “Nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjve”.

“Rama ka kopjuar modelin e Zapateros, që ndërtoi qeverinë e shokëve, me gratë e shokëve dhe për shokët – socialistët spanjollë po kalojnë një krizë të rëndë kredibiliteti publik dhe një ringritje të vështirë. Rama kopjoi partitë e majta, që shkëputën çdo lidhje me sindikatat dhe grupet e interesit që mbështeteshin tek modeli europian i ekonomisë sociale të tregut”

– Prof Malaj, duke marrë shkak nga një qëndrim i “Rilindjes” Socialiste ndaj Jush, pyetja është: Si mund ta mirëkuptojë socialisti i thjeshtë vendimin e kryeministrit Rama, që të shkarkojë nga Bordi i Bankës së Shqipërisë, një socialist të vërtetë të orëve të para si Ju, dhe të emërojë në vendin tuaj, ish ministrin e  Financave të qeverisë së Djathtë, të cilin PS-ja e akuzonte çdo ditë për 8- vjet për korrupsion?

– Ky është një prej rasteve që vërteton se pak individë luftojnë  për pushtet absolut ekonomik dhe politik. Pak individë, që po bëjnë politikë me fuqinë e bizneseve të tyre dhe pak politikanë që synojnë pushtet absolut, duke bërë biznes me mandat e tyre politike. Kjo në shkencën politike klasifikohet “kapje shteti”. Integriteti personal dhe kredibiliteti profesional janë vlera që nuk t’i dhuron dot kush dhe nuk t’i merr dot asnjë, as me vendim qeverie, apo Kuvendi.

“Mirënjohja ime për njerëzit e thjeshtë të PS-së,  do të jetë maksimale, e përhershme, e plotë dhe e pakushtëzuar për  inspirimin dhe besimin që më kanë dhënë, për t’i shërbyer vendit tonë në periudha shumë të vështira dhe për sfida jo të lehta”. 

–  Sa socialiste është sot PS-ja?

– Keqqeverisja “Rama” filloi me cenimin e demokracisë së brendëshme të PS-së dhe shndërimin e saj nga partia politike  më e hapur dhe inspiruese, nga partia politike  model për hapjen e partive të tjera në një Ramaparti, ku çdo përzgjedhje për çdo mandat është preferenca spontane e tij. Partia e debateve të hapura politike është kthyer në partia/ e paradave ushtarake, ku të gjithë duhet të ecin me një hap dhe ta kenë fytyrën të kthyer buzagaz nga kryetari. Rama ka kopjuar modelet e dështuara të social-demokratëve europianë. Qeverisja e tij e dështuar po rrezikon që PS-ja të ketë fatin e PASOK-ut, e cila, nga parti që modernizoi Greqinë,  aktualisht është e  zhytur  rëndë nga korrupsioni dhe mbijeton si një parti me më pak se 8 përqind mbështetje popullore. Rama ka kopjuar modelin e Zapateros, që ndërtoi qeverinë e shokëve, me gratë e shokëve dhe për shokët – socialistët spanjollë po kalojnë një krizë të rëndë kredibiliteti publik dhe një ringritje të vështirë. Rama kopjoi partitë e majta, që shkëputën çdo lidhje me sindikatat dhe grupet e interesit që mbështeteshin tek modeli europian i ekonomisë sociale të tregut. Social- demokratët gjermanë kanë vite që luftojnë për identitetin e tyre politik. Thirrja e tij përpara investitorëve italianë: “Hajdeni në Shqipëri se nuk ka sindikata”, është turpëruese për një lider të majtë. Rama e reduktoi qeverisjen në një “ekip guzhine”, pra qeverisje me  pak individëve. Studiuesit e shkencave politike e konsiderojnë  “Kitchen cabinet”, modelin edhe të  qeverisë së Toni Blair – çka prishi frymën e ekipit. Shikoni sa vite kanë sot laburistët pa arritur të kthehen dot në pushtet, edhe pse qeverisja e dyshes Blair- Broën ishte një qeverisje e sukseshme, ndryshe nga kjo e Ramës, që rezulton e dështuar. Akoma shpresoj se disa personalitete të PS-së, edhe pse jo anëtarë aktivë të forumeve të saj, mund ta ndihmojnë të Majtën shqiptare dhe në veçanti PS-në, të mos hyj në një krizë të rëndë dhe të gjatë dhe ta ketë të vështirë ringritjen e saj.

“Keqqeverisja “Rama” filloi me cenimin e demokracisë së brendëshme të PS-së dhe shndërimin e saj nga partia politike  më e hapur dhe inspiruese, nga partia politike  model për hapjen e partive të tjera, në një Ramaparti”

– Prof. Malaj, a do të dëshironit Ju dhe të tjerë personalitete të shquara të PS-së,  e të së Majtët, të riktheheni në PS?  Në çfarë rrethanash politike?

– PS-ja do të kalojë ciklin e saj të vet-pastrimit pas këtij “kalbëzimi moral dhe politik”. Fatkeqësisht njerëzit e mirë të PS-së do të paguajnë çmimin  e këtij dështimi. Procesi i ringritjes nuk do të jetë i lehtë, pasi siç theksova më lart, krizat  në partitë social demokrate kanë qenë rrënuese dhe rikthimi në parti fituese nuk rezulton i lehtë, apo i shpejtë. Pa dyshim, PS-ja nuk duhet të braktiset. E Majta ka shumë personalitete dhe individë të përkushtuar në çdo hallkë të saj organizative, që mund ta ndihmojnë të ringrihet e vetpastruar nga sëmundjet e rënda të keq-qeverisjes Rama. Në trupin e PS-së do të mbeten pas zgjedhjeve, shumë plagë të lënë aty nga dhëmbet e kafshimeve të tigrave, luanëve, apo djemve problematikë  në qeveri dhe bashki, që e shfrytëzuan  atë  barbarisht vetëm për përfitime personale.  Të parët që do t’i ofrohen, do të jenë ata që e vranë natën dhe do ta qajnë ditën, por kjo do të jetë sporadike dhe e përkohshme. Të gjithë duhet të ndjejmë përgjegjësi për njerëzit e mirë, të thjeshtë, dashamirës dhe të përkushtuar të vendit tonë që meritojnë një të ardhme më të mirë, e cila fillon nga modele sa më demokratike, sa më transparente dhe sa më të përgjegjshme të partive politike. Pushteti merret dhe ushtrohet nëpërmjet partive politike, modernizimi i tyre është parakusht.

“Politika shqiptare nuk duhet të jetë  ajo e kohës së Haxhi Qamilit. Shqipëria ka nevojë për burra shteti, jo për diktatorë e  manekinë partiakë”

PAA në zgjedhjet e afërta parlamentare do të jetë parti parlamentare dhe me fuqi negociuese

– Prof. Malaj, cili është  raporti juaj me Partinë Agrare Ambientaliste?

– Është një mundësi dhe kënaqësi e veçantë të kontribuoj në zhvillimet dhe sfidat e vendit tonë nëpërmjet angazhimit me Partinë Agrare Ambientaliste, i cili nuk ka si qëllim në vet-vetë asnjë karrike deputeti, apo ministri. Edhe pse Churchilli thotë se “për parime ndryshoj partitë, ndërsa për partitë nuk ndryshoj parimet”,  nuk do të jem anëtar partie.  Tek PAA-ja kam gjetur një ekip kolegësh të motivuar  dhe ekspertësh të talentuar, ku fryma e punës në ekip, dallon nga partitë e tjera politike. Vlerësimi publik për kryetarin e saj dhe kolegun Agron Duka, është maksimal dhe reflektohet në çdo angazhim dhe aktivitet të PAA-së. PAA-ja në zgjedhjet e afërta parlamentare, ka si objektiv të fitojë disa mandate deputeti, që të jetë parti parlamentare dhe me fuqi negociuese. Fuqia negociuese sidomos për politikat bujqësore dhe  buxhetin për bujqësinë është domosdoshmëri kritike, sepse bujqësia ndjehet e braktisur, bile edhe gjatë pandemisë. Buxheti për bujqësinë për vitin 2020, është më i vogël se gjoba Rama-Veliaj që do të paguajnë shqiptarët për rastin Becheetti. Thithja e fondeve të huaja dhe aksesi në politikat e BE-së për politikat e përbashkëta bujqësore dhe zhvillimin e qëndrueshëm rural, ku përdoren rreth 76 % e buxhetit të BE-së, në Shqipëri janë minimale.  Institucionet në ndihmë të prodhimit, grumbullimit, eksportimit dhe shitjes në tregun e brendshëm  të prodhimeve të këtij sektori, që jep rreth 20% të PBB-së dhe ku jetojnë rreth 45%  të popullësise shqiptare, janë të dobëta dhe jo efikase. Po kështu janë edhe për  ndihmën e ngritjes së kapacitete depozituese dhe të industrisë përpunuese. Në aspektin politik PAA-ja  në zgjedhjet e 2021, synon të jetë një risi për politikën shqiptare. Ka kohë që kryesia e PAA-së  identifikon dhe nxit për t’u angazhuar në politikë dhe  konkuruar për deputetë, për kryetar  bashkie, për këshillat bashkiakë dhe mandatet e tjera politike në qeverisjen qendore dhe vendore, individë që e njohin fshatin, që i duan fermerët, blegtorët, peshkatarët, bletërritësit dhe  që e duan zhvillimin e këtyre zonave të varfëra, me sa më shumë investimeve cilësore, në arsim, shëndetësi, në ambient, në ekonominë e gjelbërt, në ngritjen e  infrastrukturës  informatike edhe në zonat e thella rurale, sepse edhe atje ka njerëz që nuk duhen braktisur.  Fshati po braktiset, Shqipëria po varfërohet, pa politika aktive,  ky trend nuk ndalet. Ndërsa politikat aktive dhe të financuara pro zhvillimit rural, do të ndalin braktisjen dhe do të nxisin kthimin  e tyre në Shqipëri, ku gjithçka, veç politikës grindavece e abuzuese dhe keq qeverisjes  së babëzitur, është më e bukur se kudo tjetër në botë. E reja e PAA-së  për zgjedhjet parlamentare 2021, është se ajo nuk synon të konkurojë vetëm me militantë të partisë, që janë zemra e saj organizative, por edhe me personalitete nga shkenca, organizatat jo qeveritare, por edhe mësues, mjekë, agronomë, veterinerë, individë, që jetojnë përditë me votuesit. PAA-ja është e hapur për të rinjtë, që i janë bashkuar  Greta Thunberg në protestën e saj globale për ndryshimet klimatike, të rinjë që e duan një ekonomi të gjelbërt, që protestojnë për projektet që shkatërrojnë ambientin, që duan një Shqipëri të gjelbërt e të pastër. Ky vizion dhe këto parime të angazhimeve të PAA-së në jetën shoqërore dhe politike shqiptare, do të krijojnë premisat që PAA-ja të jetë një anëtare e denjë e partive të gjelbërta europiane që e kanë rritur peshën e tyre politike në shtetet dhe institucionet e BE-së.  Fuqia negocuese e PAA-së për sfidat reale të fermerëve, blegtorëve, peshkatarëve, bletërritësve, mbrojtësve  të ambientit dhe promovimit  të ekonomisë së Gjelbërt, do të kushtëzohet edhe nga numri i deputeteve të PAA-së në Kuvendin e Shqipërisë. Prandaj ata që e duan ndryshimin e madh dhe përkushtohen për një Shqipëri më të mirë, të bazuar tek cilësia në rritje e arsimit dhe shëndetit, bazuar tek pesha në rritje e ekonomisë të gjelbërt dhe bazuar tek ruajta e ambientit, do të gjejnë tek PAA-ja një mundësi të plotë dhe plot liri personale për t’u angazhuar dhe kontribuar për vendin e tyre.

“Partitë politike janë asete të rëndësishme kombëtare. PS-ja duhet të vetpastrohet nga ata që shpërdoruan  mandatet  politike për të  përfituar individualisht, por  e kanë dëmtuar rëndë PS-në” 

– Ju falenderoj, Prof. Malaj!