Kryeprokurori i ri, produkt i marrëveshjes Berisha-Rama 2008

591
Sigal

 PS-ja, largimin e Ina Ramës, duhet ta denonconte në Gjykatën Kushtetuese, qoftë edhe për kapital  të vet politik

PS-ja deklaroi dje se do të abstenojë në Kuvend votimin e Kryeprokurorit, për shkak sepse e quan antikushtetues dekretin e Presidentit. Por… njëkohësisht,  PS-ja nuk e paragjykon kandidaturën e paraqitur nga  Presidenti. Kjo a nuk është çudi politike?  Që, nga njëra anë, PS-ja, të cilësojë një veprim të Presidentit si antikushtetues dhe, njëkohësisht, të mos e paragjykojë kandidaturën, derisa nuk ka dhënë – të paktën publikisht-  konsensusin politik.  Që të plotësojmë imazhin e oponencës së PS-së, Kryetari i PS-së, Edi Rama, para disa ditësh, ende kur akoma Presidenti nuk kishte dekretuar emrin e Kryeprokurorit të ri, deklaroi se nuk do ta çonin veprimin antikushtetues të Presidentit në Gjykatën Kushtetuese. A nuk ngjan kjo opozitë e PS-së, një hap para dhe dy hapa mbrapa? A mundet opozita të mos luftojë fort një veprim antikushtetues të Presidentit të sapozgjedhur? Si duhet kuptuar politikisht, që PS-ja nuk paragjykon kandidaturën e Kryeprokurorit, që ka dekretuar Presidenti, derisa PS-ja u vetpërjashtua nga konsultimet paraprake të Presidentit? Derisa PS-ja nuk jep konsensusin e saj për kandidaturën, ç’kuptim politik ka që nuk paragjykon kandidaturën e maxhorancës? Mos vallë PS-ja me gjithë këto pikëpyetje në politikën e saj, fsheh të tjera të vërteta, që tashmë nuk guxon të opozitojë? Së pari, juridikisht, PS-ja nuk mund të argumentojë dot që dekretimi i Presidentit është antikushtetues. PS-ja nuk mundet dot që juridikisht të argumentojë që Presidenti i ndërpret para kohe mandatin Kryeprokurores Ina Rama. Deri tani, PS-ja është mjaftuar në opozitën e saj, vetëm me sloganet “ largimi i Ina Ramës  është antikushtetues”. Por, nuk e ka provuar juridikisht, nuk ka sjellë faktin se në kë nën, në kë pikë të nenit të Kushtetutës, Presidenti i ndërpret në mënyrë antikushtetuese mandatin Ina Ramës. Kjo mangësi provash, argumenti juridik nga PS-ja nuk vjen nga paaftësia juridike e juristëve të saj. Kurrsesi, jo. Problemi për PS-në, është më i thellë,  është fajësi e tyre dhe jo e kundërshtarit politik, ndaj heshtet dhe prandaj nga PS-ja sot mbajnë qëndrime kontradiktore me vetveten. Kandidatura e Kryeprokurorit, që dekretoi Presidenti Nishani është produkt politik i marrëveshjes Berisha- Rama në ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Qëllimisht, edhe Berisha, edhe Rama, ato ndryshime kushtetuese i bën, secili në hesap të vet, për të përqendruar të gjithë kontrollin e pushteteve në një dorë. Fituesi i zgjedhjeve të 2009-s, do t’i fitonte të gjitha pushtetet në Shqipëri. I humburi i zgjedhjeve, do të humbiste gjithçka. Ky ishte motivi, qëllimi i atyre ndryshimeve kushtetuese, qoftë nga Rama dhe qoftë nga Berisha. Askush prej tyre, në ato momente, nuk mendoi pasojat demokratike. Të dy, Berisha me Ramën ishin mbërthyer nga ethet për pushtet, ndaj askush nuk e mendonte veten palë politike humbëse. Edhe Berisha, edhe Rama, qëllimisht, lanë boshllëk juridik, në ndryshimet kushtetuese, edhe për mandatin e Kryeprokurorit. Që, më vonë, fituesi i zgjedhjeve të 2009-s, të luante si të donte ai me mandatin e Kryeprokurorit.  Kësisoj, mandati i Kryeprokurorit, u bë si ajo mollë, në duart e fituesit të zgjedhjeve të 2009-s, që mund ta hajë frytin, edhe duke qëruar, por edhe pa e qëruar, vetëm  duke e larë. .Kjo shpjegon përse sot PS-ja nuk argumenton dot juridikisht, përse është antikushtetues dekretimi i Presidentit për Kryeprokurorin e ri. Kjo shpjegon përse sot, PS-ja nuk ka armë politike që të luftojë kandidaturën e Kryeprokurorit të ri. Kjo ndjesi humbëse e PS-së, pastaj, bën që politika e saj të jetë pasive, e të shpjegohet përse nuk paragjykon kandidaturën e dekretuar nga Presidenti për Kryeprokuror. Ky është absurditeti politik i Edi Ramës, i cili ka harruar detyrimin politik të Opozitës, e cila duhet të paragjykojë çdo kandidaturë, për çdo drejtues institucioni,  që jep pa konsensus Presidenti i zgjedhur pa konsensus politik!

 Kryeprokurori, PS-ja: “Do abstenojmë në votimin për Adriatik Llallën”

Partia Socialiste do abstenojë në votimin për Adriatik Llallën si Kryeprokuror. Vendimi është marrë gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura të grupit parlamentar socialist Kandidati i dekretuar dje nga Presidenti Bujar Nishani, nuk ka marrë pëlqimin e socialistëve. Shkak për këtë mendohet të jetë mosdakortësia që opozita ka me kreun e shtetit dhe maxhorancës për mbarimin e mandatit të Ina Ramës. Partia Socialiste e konsideron si antikushtetues dekretin e Presidentit të Republikës për ndërprerjen e mandatit të Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, por nuk paragjykon kandidaturën e propozuar për zëvendësimin e saj në këtë detyrë. Qëndrimi i socialistëve është bërë publik nga deputeti Taulant Balla, gjatë një deklarimi për shtyp. Sipas Ballës duke qenë në parim kundër procedurës së ndjekur, por jo kundër kandidaturës së paraqitur, Grupi Kuvendor socialist ka vendosur të abstenojë në seancën ku do të votohet dekreti i presidentit të Republikës. “Grupi Parlamentar i PS-së vlerëson antikushtetues vendimin e Presidentit për ndërprerjen e mandatit të Prokurores së Përgjithshme Ina Rama. Dekretin për zëvendësimin e saj e çmon si shkarkim de facto të prokurores në detyrë deri më 23 maj të vitit 2013. Nga ana tjetër, Grupi Parlamentar Socialist nuk e paragjykon kandidaturën e propozuar për zëvendësimin e prokurores në detyrë, duke ia lënë kohës të provojë se zoti Adriatik Llalla do të jetë në lartësinë e sfidës së hapur për vendosjen e drejtësisë në vend, duke filluar nga ndëshkimi i përgjegjësve për vrasjet e 21 Janarit e me radhë në rrugën e betejës me kulturën e pandëshkueshmërisë. Në konkluzion, duke qenë në parim kundër procedurës por jo kundër kandidaturës, Grupi Parlamentar Socialist vendosi të abstenojë”, tha Balla.

 Kryeprokurori, Bogdani: Bamir Topi zëdhënës i Ramës, si Balla

Deputeti i Partisë Demokratike Gerti Bogdani ka reaguar sot pas qëndrimit të Partisë Socialiste në lidhje me kryeprokurorin e ri. Sipas Bogdanit, Balla i PS tha sot të njëjtat gjëra si Bamir Topi i FRD-së. “Qytetarët shqiptarë patën sot mundësi të konstatojnë se kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, nuk flet me ta vetëm nga oborri apo podiumet e selisë rozë, por edhe se ai e ka shtuar numrin e zëdhënësve. Deputeti socialist, Taulant Balla, nuk bëri gjë tjetër sot veçse përsëriti fjalë për fjalë atë që një ditë më parë kishte deklaruar Bamir Topi, lidhur me qëndrimin e Partisë Socialiste për dekretin e Presidentit të Republikës për Prokurorin e Përgjithshëm. Njësoj si Topi dje, edhe Balla sot, tha se për ta problemi ishte procedura antikushtetuese e emërimit dhe jo cilësitë e kandidatit, që do të zëvendësojë Ina Ramën në krye të institucionit të akuzës”, tha ai. Deputeti demokrat nënvizoi se Rama përdori dy zëdhënës për të komentuar të njëjtën çështje. “Natyrisht, që ne, as nuk impresionohemi, dhe, as nuk na takon që të komentojmë qëndrimet e Partisë Socialiste, e cila ka sovranitetin e saj për çdo vendim politik, që ndërmerr. E vetmja gjë që vlen për të evidentuar pas kësaj është se, me sa duket, tani Edi Rama nuk ka në dispozicion vetëm deputetët dhe drejtuesit e partisë së tij për të shprehur pozicionin e vet politik, sepse sot për çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm ai përdori dy zëdhënës, Bamir Topin dhe Taulant Ballën, të cilët thanë absolutisht të njëjtën gjë, në vetëm një ditë diferencë”, tha Bogdani.