Reagimi: “Kryetari i PS-së për Greqinë FRESSH-in e do haremin e tij”

723
Sigal

Erjon Veliaj me e-mail shkarkon Kryetaren e FRESSH-it dega Greqi.
Erjon Veliaj shkarkon me e-mail Kryetaren e FRESSH-it dega Greqi, edhe pse para disa ditësh ai së bashku me Edi Ramën u ndodhën në Athinë për të festuar 28 Nëntorin me emigrantët. Mirëpo, siç del edhe nga reagimi i FRESSH-it dega Greqi, as Edi Rama dhe as Erjon Veliaj nuk vajtën në Athinë për të bashkëbiseduar me emigrantë, e ca më pak me socialistët dhe me të zgjedhurit e strukturave rinore e partiake në Greqi, por për punët e tyre. Kryetarja e FRESSH-it dega Greqi, në letrën e saj drejtuar Edi Rmës dhe Kryesisë të PS-së, thotë se kryetari i PS-së dega Greqi, zoti Qirici kërkon që FRESSH-n dega Greqi ta bëjë “haremin” për veten dhe miqtë e tij. Ja letra që Kryetarja e FRESSH-it drejton Edi Ramës. “Kjo letër i drejtohet publikisht Kryetarit të PS-së z. Edi Rama, Kryetarit të Asamblesë Kombëtare z. Gramoz Ruçi, Kryesisë së PS-së, Kryetares së FRESSH-it znj. Elisa Spiropali dhe Kryetares së Forumit të Gruas znj. Olta Xhaçka. Më datë 3/11/2012 Sekretari i Rinisë dhe Emigracionit z. Erion Veliaj ka dërguar në e-mail-in e FRESSH Dega Greqi shkarkimin e Kryetares së FRESSH Dega Greqi Borina Voko.  Pikë së pari, aty përmendet se janë bërë një sërë shkeljesh disiplinore nga ana e kryetares Borina Voko, gjë që, jo vetëm nuk është e vërtetë, por e kundërta, janë raportuar pikërisht nga ana e FRESSH Dega Greqi në Sekretariatin e Rinisë dhe Emigracionit një sërë shkeljesh disiplinore dhe morale nga ana e Kryetarit të PS-së Dega Greqi z. Artjan (Artur) Qirici. Së dyti, akuza për mosbindje të vazhdueshme ndaj kërkesave të kryetarit nuk qëndron aspak, pasi ai asnjëherë nuk është interesuar për mbarëvajtjen e punëve në FRESSH, përkundrazi e ka sabotuar atë dhe ka kërkuar vazhdimisht ta kthej Forumin Rinor në një “harem” për veten dhe miqtë e tij. Ne, nuk kemi kapërcyer asnjë kompetencë tonën, por kemi diskutuar vazhdimisht me Sekretariatin e Rinisë dhe Emigracionit për të gjitha shkeljet dhe problemet e shfaqura që nga krijimi i FRESSH Dega Greqi si Strukturë e Partisë Socialiste ne Greqi; Përgjigja e tyre ka qenë mospërfillja, heshtja dhe kohët e fundit “Gjeni zgjidhje vet”! Dhe përsa i përket qëndrimit bllokues dhe përçarjes, në bankon e të akuzuarve duhet të uleni ju z. Veliaj dhe miku juaj A. Qirici, që mbas kaq e kaq raportimesh nga ana jonë, nuk ndijuat kurrë të merrnit mundimin për të zgjidhur problemet edhe pse ne ju jemi lutur zyrtarisht.  Për të gjitha këto shpifje dhe akuza, nga ana juaj dhe mikut tuaj, z. Veliaj ne posedojmë prova materiale dhe dëshmitarë që vërtetojnë të kundërtën e atyre që thoni. Kryetarja e FRESSH Dega Greqi, Borina Voko & Kryesia”.