Moore: “Zgjedhje me standarde, SHBA ndjek nga afër procesin”

378
Sigal

Mesazhet e zyrtarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit gjatë vizitës në Tiranë

  Drejtori për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore gjatë vizitës së tij në Tiranë ka takuar kreun e opozitës Edi Rama dhe kryetarin e LSI-së Ilir Meta. Në takimin me Ramën Moore ka konfirmuar edhe njëherë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të angazhuara për të ndihmuar Shqipërinë për zgjedhje të standardeve më të larta ndërkombëtare, ndërsa u shpreh se SHBA-të do ta ndjekin procesin nga afër. Ndërsa në takimin me kreun e LSI-së zyrtari i DASH rikonfirmoi dëshirën e SHBA që Shqipëria të përshpejtojë reformat që do i hapnin rrugën drejt BE.

RAMA

Në kuadër të vizitës së tij në Shqipëri, Drejtori për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore, zhvilloi një takim me kryetarin i PS-së, Edi Rama. Siç bën të ditur zyra e shtypit e PS-së, në takim shefi i opozitës theksoi rëndësinë e partneritetit strategjik me SHBA-në, duke e falënderuar për kontributin e çmuar për konsolidimin e shtetit dhe mbështetjen e vazhdueshme për integrimin e Shqipërisë në NATO dhe BE. Ndër të tjera, Rama e siguroi zotin Moore për angazhimin e socialistëve për përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga procesi i integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian. “Vendi përballet me probleme serioze për shkak të deficitit demokratik, moszbatimit të ligjit dhe mosfunksionimit të shtetit ligjor”,- u shpreh Rama. Gjithashtu, kryesocialisti vuri në dukje domosdoshmërinë e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si themeli i një demokracie funksionale. Duke iu referuar vizitës së Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton, Moore konfirmoi dhe njëherë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të angazhuara për të ndihmuar me të gjitha mundësitë për zgjedhje të standardeve më të larta ndërkombëtare dhe për ecurinë e axhendës evropiane të Shqipërisë.

META

Meta priti Drejtorin për Çështjet e Evropës Jug-Qendrore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore. Meta e falënderoi z. Moore për vizitën në Tiranë si dhe për mbështetjen e fortë dhe të vazhdueshme që SHBA i jep Shqipërisë në kuadër të forcimit të institucioneve demokratike dhe në rrugëtimin e integrimit evropian. Duke folur për situatën politike në Shqipëri, Meta shprehu zhgënjimin e LSI-së për bllokimin artificial e të panevojshëm të prioriteteve të parealizuara që nevojiten për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Jonathan Moore, pasi vlerësoi rolin e Shqipërisë në NATO, rikonfirmoi dëshirën e SHBA për një ecuri më të shpejtë të reformave dhe për ta parë Shqipërinë një ditë në Bashkimin Europian, atje ku vendi i saj është. Biseda mes z. Meta dhe z. Moore u përqendrua në ecurinë e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë me fokus zhvillimet e brendshme politike në vend, në përgatitjet për fushatën elektorale të vitit të ardhshëm si dhe në politikën rajonale të vendit. Z. Meta rikonfirmoi pozicionin e Lëvizjes Socialiste për Integrim për një politikëbërje sa më konstruktive dhe të moderuar, brenda dhe jashtë vendit, në shërbim të interesave primare të qytetarëve shqiptarë, duke theksuar se sfida kryesore e politikës shqiptare tashmë mbetet evitimi i retorikës konfliktuale dhe realizimi i zgjedhjeve demokratike, të lira dhe transparente në qershor 2013.