Një kompani fantazmë e lidhur me rusët pagoi 150 mijë $/ Autogoli që fundos Lulzim Bashën

158
Sigal

Për lobimin prej 675 mijë dollarësh me kompaninë “Muzin Capitol Partners”, Prokuroria e Tiranës pati nisur një hetim, ku i pandehur ishte Lulzim Basha që drejtonte Partinë Demokratike.

Dy pagesat prej 650 mijë dollarë u paguan në emër të PD-së për lobim në SHBA në dy këste, 500 mijë dhe 150 mijë USD, por që transaksionet nuk u kryen nga Shqipëria.

Ndërsa njëra pagesë 500 mijë dollarë është kryer nga SHBA-ja, sipas Bashës nga mbështetësit e PD-së atje, pagesa tjetër prej 150 mijë dollarë u krye nga Skocia nga “Biniatta Trade”

Në 17 korrik 2018 në adresë të prokurorisë së Tiranës ka ardhur përgjigja e letër-porosisë nga Skocia ku ka rezultuar se kjo kompani, “Biniatta Trade” nuk ka asnjë prani reale të biznesit në Skoci.

Prokuroria i ka shtruar një pyetje konkrete z.Lulzim Basha, nëse PD ka ndërmarrë ndonjë “aksion” të natyrës Penale, Civile apo Administrative ndaj shtetasit amerikan Nikolas Muzin dhe shoqërisë tregtare Muzin Capitol Partners për faktet që kanë shprehur pranë Departarmentit Amerikan të Drejtësisë në ngarkim dhe në dëmtim të PD-së dhe deklaruesi është shprehur se nuk ishte ndërmarrë asnjë veprim i tillë në këtë moment konkret kohor.

Autogoli i Bashës

Deri në këtë moment të hetimit, sipas Prokurorisë, vërehen dy ndasi të mëdha midis dokumentacionit të ligjëruar të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe qëndrimit të përfaqësuesve të PD. Kundërshtia për një pagesë prej 650 000 dollarë ekstra nga ana e PD dhe fakti nëse kontrata me Nikolas Muzin kishte qëllim zgjedhor apo jo.

Kundërshtia e dytë ka një vlerë të rëndësishme në vetvete pasi nëse qëllimi do të ishte zgjedhor, shpenzimi duhej te deklarohej nga PD në aktet specifike për fushatën zgjedhore 2017 drejtuar KQZ, çka nuk është bërë nga ky subjekt politik.

Me datë 21.12.2017 Lulzim Basha, në cilësinë e kryetarit të PD-së, ka marrë pjesë në një emision televiziv dhe ka shpjeguar se çfarë ka ndodhur sipas tij në ShBA, për këtë ngjarje.

Ai thotë: “….këto janë të deklaruara dhe të transferuara konform ligjeve shqiptare dhe amerikane. Kjo firmë lobimi ka marrë edhe kontribute të tjera, ka marrë një kontribut me një shumë prej 500.000 dollarë, përmes një skeme plotësisht në përputhje me ligiin amerikan,të shqiptarëve amerikanë që kanë bërë një “Found Raising” në SHBA. Kjo gjë është e dokumentuar. Janë në dijeninë time mbi 100 emra që kanë dhënë fonde. Kjo është një mbështetje që jepet për aktivitetin e PD-së. Ky është një transaksion që bëhet midis “Found Raising” dhe kompanisë së lobimit. Këto para nuk kanë kaluar nga PD”.

Fondet dhuratë nuk u regjistruan

Veprimtaria e dhurimit është e saktësuar nga neni 23/1, ‘ i ndryshuar, i Ligjit nr.8580 datë 17.02.2000 “Për partitë politike”.

Ky nen përcakton se çdo parti politike duhet të regjistrojë në një regjistër të posaçëm të miratuar nga KQZ çdo fond të përfituar duke patur të dhëna që të identifikojnë qartë dhuruesin.

Dhuruesi duhet të nënshkruajë një deklaratë dhurimi sipas formës së miratuar nga KQ. dhe personat që dhurojnë jo më pak se 100.000 lekë duhet të bëhen publikë.

Dhurimi i fondeve jopublike më të mëdha se 100.000 lekë duhet të bëhet vetëm në një llogari bankare të posaçme të Partisë konkrete. Në rastin në fjalë, ky detyrim ligjor nuk është zbatuar.

Asnjë pagesë nga PD nuk është bërë drejt SHBA-ve

Prokuroria ka hetuar lëvizjet bankare në bankat e nivelit të dytë në periudhën kohore 01.01 .2017 deri në 30.06.2017 dhe rezulton se PD nuk ka bërë dërgesa monetare në shifrën 500.000 dollarë apo 150.000 dollarë më asnjë subjekt jashtë Republikës së Shqipërisë

Më tej Prokuroria ka kërkuar që të marrë në pyetje e shtetasin Nikolas Muzin, por ky i fundit nuk ka pranuar.

Por dokumentet e grumbulluara dhe të konfirmuara ligjërisht Departamenti i Drejtësisë Amerikane, nuk e amistojnë Lulzim Bashën nga përgjegjësia penale.

Në këtë konkluzion ka arritur Prokuroria e Tiranës, gjatë kohës së kryerjes së hetimeve.

Pasi, në rastin konkret kemi hedhje të dhënash jo të përputhura me realitetin në formularin përkatës, me qëllim për të fshehur lobimin e bërë nga një kompani me administratorë të lidhur ne aktivitet biznesi me shtetase ruse.

Është fshehur shuma prej 500.000 dollarësh që është dhënë “cash” nga subjekti Partia Demokratike tek kompania e huaj private për të bërë lobim në SHBA me qëllim zgjedhor në favor të këtij subjekti politik,duke qënë se zgjedhjet parlamentare do të zhvilloheshin pas disa kohësh në qershor të vitit 2017.