Berisha: “Votoni alternativën e suksesit”

485
Sigal

Kryetari i PD-së prezanton kandidatët e Qarkut të Durrësit dhe sulmon ashpër Ramën për martesat e tij të shumta 

Kryeministri Berisha prezantoi dje kandidatët për deputet të PD-së në Rrashbull të Durrësit ku u ka kërkuar banorëve të kësaj zone të votojnë numrin 44. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha theksoi se, qytetarët në 23 Qershorit do të përballen me dy alternative, atë të suksesit dhe alternativës së rreme. “Po shkojmë drejt 23 Qershorit, ditës së vendimit të madh. Dy alternativa përballen në këto zgjedhje, ajo e mundit dhe djersës suaj, e suksesit, që ka bërë që këto vite bizneset të dyfishohen, që fermat të rrisin prodhimin, të asfaltohen rrugët, të mos ndërpritet energjia elektrike, të lëvizim të lirë në Evropë, të anëtarësohemi në NATO, të meritojmë statusin e vendit kandidat; alternativa tjetër bazohet në vitin zero, në atë që ai shpall Shqipëri të gënjeshtërt, sipas së cilës vilat që keni ndërtuar nuk ekzistojnë, por janë bunker të zinj, rrugët e shtruara nuk ekzistojnë”, tha Berisha.

Berisha: Socialistët t`ua japin votën e tyre zhvillimit e jo rrënimit

Më tej kreu i Partisë Demokratike ftoi socialistët të bashkohen me votën e tyre për zhvillimin e mëtejshëm të vendit dhe jo për rrënimin.”Janë dy modele, ai i Sali Berishës, që beson te vendi, familja, zoti, që është 20 vjet në politikë dhe jeton në apartament 125 m katrorë, që ka bërë gjithçka në interes të vendit e kombit të tij, është përpjekur për anëtarësimin në NATO, për statusin e vendit kandidat, që mbrojti ekonominë nga kriza lubi që po përpin ekonominë e vendeve të tjera. Në krahun tjetër keni një politikan që gjithë ditën flet për shkatërrim, hekura, burgje, një njeri që ka faktuar se çfarë janë për të vlerat e familjes” tha Berisha. Kryeministri gjithashtu premtoi  investime të tjera në infrastrukturë, ujësjellësa, kanalizime, ulje të taksave dhe rritje të punësimit. “Këto vite në komunën e Rrashbuallit , në rrugë, ujësjellës, kanalizime kemi investuar rreth 40 milionë dollarë. Unë jam këtu për tu zotuar se do investohen 3 herë më shumë në mënyrë që ju të keni infrastrukturën më moderne, të një komune të vendeve të zhvilluara.  Do të bëjmë gjithçka që me uljen e taksave të rrisim biznesin dhe punësimin tuaj. Do të trefishojmë grantet për fermat dhe fermerët në mënyrë që të rrisni më tej punësimin”,- tha Berisha. Berisha premtoi, gjithashtu, që brenda vitit do të merren tapitë e tokave dhe të shtëpive, duke përfunduar kështu procesin e legalizimeve.

Berisha në Kënetë të Durrësit: Së shpejti miratohet projekti TAP!

Në tubimin që Partia Demokratike ka zhvilluar në Kënetë të Durrësit, kryeministri Berisha njoftoi miratimin së shpejti të projektit TAP që sipas tij lartësoi emrin e Shqipërisë në botë. “Lajmi i madh për të gjithë shqiptarët është se së shpejti do të miratohet projekti TAP. Ky projekt lartësoi në mbarë botën emrin e Shqipërisë, potencialet e mëdha ekonomike dhe besueshmërisë së saj në mbarë botën”,- tha Berisha.

Berisha: Rama aventurier, ndahet e martohet sa herë ka zgjedhje

Kreu i qeverisë sërish ka sulmuar kryesocialistin Rama, duke e cilësuar atë si aventurier që ndahet dhe bashkohet me gratë sa herë vijnë zgjedhjet për qëllime elektorale. “Modeli tjetër është modeli i një njeriu që 270 ditë në vit nuk shkelte në zyrën e punës. Është modeli i një njeriu të dështuar, modeli i një burri aventurier që ndahet dhe bashkohet me gra sa herë vijnë zgjedhjet për qëllime elektorale. Është njeriu që zhvillon në familje gjyqe me akuza të pavërteta ndaj familjarëve të tij. Fsheh dhe nuk deklaron pasurinë. Berisha 20 vjet në politikë ka një apartament 125 metra katror. Cili është modeli i shokut të autobusit mavi, një pallat mbi shpinë, asnjë qindarkë e deklaruar. Modeli i tij është brutaliteti, sharje përbuzje ndaj atij që e kundërshton”,- tha Berisha.

APELI PËR RAMËN, BERISHA: RUAJU NGA ILIR META, AI SYNON TË MARRË PS-NË!

Në emisionin e djeshëm, “Zonë e Lirë”, Kryeministri shqiptar, i bëri publikisht, apel Kryesocialistit Edi Rama, duke i thënë: “Ruaju nga Meta!”. Që nga dita e ndarjes së Metës nga koalicioni i përbashkët qeveritar, kjo është hera e parë, kur Sali Berisha ka dalë hapur kundër Metës. Ndërkohë, që drejtuesi i këtij emisioni, Arjan Çani e pyeti Berishën për rrezikun që mund t’i vijë Ramës prej, Nanos, Malajt, apo Blushit, Kryeministri iu përgjigj: “Jo nuk i vjen e keqja nga asnjeri prej tyre. Por tani ka dalë Koço Kokëdhima dhe sidomos, Rama duhet të ruhet nga Meta”. Në këtë mënyrë, Berisha ka paralajmëruar Ramën, për të pasur kujdes vetëm nga kreu i LSI-së Ilir Meta. Më poshtë ai sqaroi se: “Meta po lufton për të marrë PS-në”. Dhe kjo “bombë” e Berishës ka tronditur dje, të gjithë bashkëpunëtorët e Ramës, të cilët janë përgatitur shpirtërisht, për të marrë pushtetin. Por Berisha i bëri dje apel të kenë kujdes vetëm nga Ilir Meta.

OLLDASHI: “BASHKËRISHT PËRPARA PËR NJË SHQIPËRI EUROPIANE”

Kryesuesi i listës së PD-së në Qarkun e Fierit, ministri Olldashi i ka intensifikuar takimet e tij me banorët dhe fermerët e rretheve Fier dhe Lushnjë. Kështu gjatë ditës së djeshme, kandidati i PD-së, Sokol Olldashi është takuar dhe ka bashkëbiseduar me banorët dhe fermerët e fshatrave Lifaj, Këmishtaj, Karavasta dhe Karavasta e re, si edhe në Fier Shegan, Allkaj dhe Gjaz. Kryefjala e bashkëbisedimeve të kandidatit Olldashi me banorët dhe fermerët e këtyre dy rretheve të Myzeqesë është zhvillimi i mëtejshëm i bujqësisë. Ministri Olldashi u zbardhi fermerëve programin qeveritar për bujqësinë, në katërvjeçarin e tretë të qeverisjes Berisha,  i cili është një vazhdimësi i politikave të deritanishme, sikurse rimbursimi i makinerive bujqësore, subvencionimi i farërave dhe pesticideve, krijimi i gjithë lehtësirave të prodhimit bujqësor që të shkojë sa më shpejt dhe në një kohë të shkurtët në treg, sikurse ndërtimi i një infrastrukture bashkëkohore në çdo fshat të Myzeqesë, politikat nxitëse të qeverisë për të shtuar eksportin e prodhimeve bujqësore të Myzeqesë. Vazhdimësia e projekteve të financimit të mbjelljeve të drufrutorëve dhe vreshtave, theksoi ministri Olldashi, do të ketë një vijimësi edhe në 4 vjetët e qeverisjes së tretë “Berisha”, duke realizuar mbjelljen e miliona ullinjve, e drufrutorëve të tjerë. Stimulimi i shtimit të sipërfaqeve me serra, do të jetë një tjetër projekt, që do të realizohet edhe me stimulimin e dhënies të kredive të buta, por edhe ulja e çmimit të naftës që përdoret në bujqësi. Ministri Olldashi përmendi edhe politikat bllokuese të opozitës dhe të liderit të saj, Edi Rama, ku pasojat rëndojnë drejtpërdrejt mbi prodhuesit, duke u privuar nga mosmarrja e fondeve që BE-ja do të akordonte Shqipërisë, si vendi kandidat i BE-së. Banorët dhe fermerët, të cilët, kudo, i rezervuan kandidatit të PD-së dhe ministrit Olldashi një pritje të ngrohtë, i shprehën besimin e tyre të politika e qeverisë “Berisha” dhe e siguruan se edhe në 23 Qershor, do të votojnë vazhdimësinë. Tipik është edhe entuziazmi që shprehu  Petrit Duli: ” Përshëndetje, zoti ministër. Sigurisht dhe fshatrat Fratar, Greshicë, Kutë do votojnë për të mirën e tyre për mirëqenien e tyre për gjithçka e mirë që vjen nga e djathta”.

EDUARD HALIMI: QEVERISJE NË SHËRBIM TË QYTETARËVE!

Kandidati Eduard Halimi takohet me banorë të zonës së Plazhit dhe shpërndan 300 certifikata legalizimi. 300 familje të zonës së Plazhit morën certifikatat e legalizimit gjatë një takimi që ata patën me ministrin e drejtësisë dhe kandidatin demokrat Eduard Halimi. Të mbledhur në një prej shesheve në zonën e Plazhit, banorët dëgjuan alternativën e Partisë Demokratike, alternativën e punës dhe zhvillimit, një alternativë krejt ndryshe nga alternativa e bllokimit, e Edi Ramës dhe PS-së. Në këtë pikë, kandidati Eduard Halimi tha se, “qeverisja e PD-së do të vazhdojë të jetë një qeverisje në shërbim të qytetarëve”. Ai solli si dëshmi premtimet e mbajtura, që nga privatizimi i ish-kabinave në Plazh e Currila e deri tek përshpejtimi i procesit të legalizimit. “Kryeministri Berisha dhe PD-ja vijnë këtu me premtime të mbajtura, – tha Eduard Halimi. – Ne ju premtuam privatizimin e ish-kabinave të pushuesve këtu në Plazh, po ashtu edhe në Currila, siç premtuam edhe privatizimin e objekteve të tjera në Shkozet.