Kryeministri Rama: Viti 2023 ishte i jashtëzakonshëm për turizmin në Shqipëri, të ardhurat prej tij i kaluan 3 miliardë eurove

35

Numri i turistëve është më shumë se trefishi i popullsisë rezidente në Shqipëri. Nga ana tjetër, gjithë kjo situatë pozitive e ekonomisë u reflektua edhe në një rënie të mëtejshme të papunësisë, në 10.5%

Sigal

U mbajt në Tiranë Këshilli Ekonomik Kombëtar. Mbledhja u drejtua nga Kryeministri Edi Rama, i cili është edhe njëkohësisht kryetar i këtij këshilli. Në fjalën e mbajtur kryeministri tha ndër të tjera se “kemi arsye të qenësishme për t’u ndjerë optimistë për të nesërmen, kemi edhe arsye të qenësishme për të reflektuar mbi gjërat që duhen bërë më mirë ose që mbeten për t’u bërë, në mënyrë që edhe viti në të cilin jemi dhe viti i ardhshëm të vazhdojnë të na japin progresin e vitit të shkuar dhe të vitit përpara tij”. Rama theksoi se viti që sapo u mbyll ishte një vit i mirë për ekonominë shqiptare dhe ishte një vit i jashtëzakonshëm në mënyrë të veçantë për turizmin në Shqipëri, duke bërë që të ardhurat nga turizmi të kalojnë shifrën e 3 miliardë eurove. “Numri i turistëve është më shumë se trefishi i popullsisë rezidente në Shqipëri. Nga ana tjetër, gjithë kjo situatë pozitive e ekonomisë u reflektua edhe në një rënie të mëtejshme të papunësisë, në 10.5%”, tha ai. Rama theksoi se viti i shkuar ishte viti me shifrën më të lartë të investimeve të huaja direkte. “Po ashtu edhe një vit që dha progres të mëtejshëm edhe në hapjen e ekonomisë sonë në rajon, por jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë, me më shumë aktorë, më shumë aktivitet edhe jashtë kufijve të vendit me një bilanc tregtar të përmirësuar më tutje, me eksporte të rritura dhe me një interes shumë të rritur të investitorëve të huaj, sidomos në fushën e energjisë dhe turizmit për të investuar në Shqipëri”,- theksoi ai. “Ne, këtë Këshill e konsiderojmë një instrument për të adresuar bashkërisht problemet, për të diskutuar bashkërisht për mënyrën se si duhet t’i qasemi sfidave dhe për të ndërvepruar me sektorin privat dhe me institucione të tjera të pavarura, në mënyrë që procesi i rritjes të jetë një proces që të shfrytëzojë sa më shumë nga potenciali i Shqipërisë edhe nga mundësitë ende të pashfrytëzuara që ne kemi”, shtoi ai.  Kryeministri nënvizoi se ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen, ka një përgjegjësi të posaçme, në radhë të parë në aspektin e krijimit të një sinergjie sa më optimale mes institucioneve dhe sipërmarrjes. “Por edhe të leximit sa më adekuat të të gjitha problematikave që sipërmarrja has apo që zhvillimi ynë ndesh për shkak të rregullave dhe për shkak të burokracisë  dhe patjetër duke adresuar me sa më shumë ngulm edhe një aspekt tjetër shumë të rëndësishëm që ka të bëjë me procesin e avancuar të integrimit evropian”, -shtoi ai.