Irena Toçi: Fatos Kongoli, shkrimtari i personazheve

45
Sigal

 

Nga Irena Toçi, Shtëpia Botuese “Toena”

/Telegraf.al/ Fatos Kongoli lindi në Elbasan, më 1944. Studioi për matematikë pjesërisht në Pekin, pjesërisht në Tiranë, ku u diplomua në vitin 1967. Punoi për një kohë të gjatë si gazetar letrar dhe redaktor në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”.

Është autor i një vargu librash. Shquhen sidomos romanet e tij, të vlerësuara nga lexuesi shqiptar dhe i huaj. Librat e Kongolit janë botuar në Francë, Itali, Zvicër, Greqi, Gjermani, Poloni, Sllovaki, Bullgari, Serbi, Britani e Madhe, Spanjë, me jehonë në disa nga gazetat dhe revistat më të mëdha europiane, si: Le Monde, Le Figaro, La Stampa, Le Temps, Le Soir, L’Express, Magazine Littéraire, Der Tagesspiegel, The Guardian, The Indipendent, El Publico etj. Gjithashtu ai është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Çmime

  • Është tri herë fitues i çmimit vjetor “Për librin më të mirë në prozë” dhënë nga Ministria e Kulturës (1995, 2000, 2002), si dhe i çmimit “Velia” (2000).
  • Është fitues i çmimit ndërkombëtar “Balkanika” (2002). Gjithashtu, është fitues i çmimit më të lartë letrar në Shqipëri “Penda e Artë” (2004).
  • Shoqata e Botuesve Shqiptarë e ka vlerësuar me çmimin “Shkrimtari i vitit” për 2006-n.
  • Romani “Lëkura e qenit”, përkthyer në gjermanisht, u shpall libri i muajit qershor 2006 në Gjermani.
  • Në vitin 2010 është nderuar nga Presidenti i Francës me titullin më të lartë që jepet në Francë: “Kalorës i Legjionit të Nderit”.
  • Fatos Kongoli është shpallur “Qytetar nderi” i qytetit të Elbasanit në vitin 2010.
  • Është nderuar, në vitin 2017, me titullin Doktor “Honoris causa” nga Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë.
  • Shoqata e Botuesve Kosovarë e vlerësoi me çmimin “Shkrimtar i vitit”, për romanin më të fundit “Gënjeshtarë të vegjël”, në vitin 2019.

Vlerësime për Fatos Kongolin dhe veprën e tij

Tek e lexoja, Kongoli më ngjante shpesh me Diogjenin në fuçi, të cilit i shkoi Aleksandri i Madh pranë dhe i tha “Çfarë do të dëshiroje nga unë?”, ndërsa Diogjeni i përgjigjet: “Të spostoheshe pak se më ke zënë diellin”! Kësisoj, edhe Kongoli kërkon hisen e vet të Diellit, jo për t’u ngrohur, po për të ndriçuar, për të bërë dritë mbi kohën dhe njerëzit, ngjarjet dhe emocionet, librat dhe eksperiencat, gjenezën e teksteve të vetave, përmes së cilave pranohet si një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të bashkëkohësisë shqiptare e më gjerë!… Dhe çuditërisht nuk kërkon asgjë prej nesh, teksa na bën me dije se na është mirënjohës për gjithçka është e ka mundur të bëjë! Nëse nuk më zini besë, lexojeni “Kapitullin e Amerikës”, në mos për tjetër, për të kujtuar se edhe Aristoteli nuk paskësh gjithmonë të drejtë. Sidomos kur bëhet fjalë për poetikën, jo të tijën, por atë të mirënjohjes– Agron Gjekmarkaj (pedagog)

Romanet e Kongolit mund të thuhet se janë romane të personazheve për arsye se dominon personazhi kryesor i cili ka cilësi të personazhit “antihero”, antipod i heroit të romanit realist apo të romanit të realizmit socialist. Tipi i këtillë i personazhit është i ri në romanin tonë bashkëkohor. – Arben Prendi (shkrimtar, studiues)

Përparësi, për të cilin edhe shquhet proza e tij, ka introspeksioni, i thënë më qartë, retrospekcioni vertikal, në thellësitë e vetëdijes dhe të pavetëdijes, prej fëmijërisë, ose, pikës ku është zanafilla e problemit, e goditjes për të paraqitur sa më gjerësisht pasojat e saj. Me përshkrime të përkora psikologjike shpërfaqen gjendje njerëzore nga më të larmishmet dhe të skajshme: normale, euforike, të kënaqësisë prej seksit, dëshpërim nga humbja e kuptimit dhe e dëshirës për të jetuar, dehje me pije alkoolike për kënaqësi, për të përhumbur dëshpërimin, gjendje ankthi dhe makthi, onirike, vegime, shajni, kllapi, halucinacione. Zbulimi i botës njerëzore, në rrafshe të tilla, të mbivendosur e të nënvendosur, e radhit Fatos Kongolin ndër mjeshtrit e prozës shqipe, psikologjike dhe psikanalitike. – Bashkim Kuçuku (pedagog, studiues)

… një nga të fshehtat e librave të Fatos Kongolit janë jetët e “rëndomta” që ecin buzë tragjedive, krimit, zvetënimit, dëshpërimit, tjetërsimit, trysnisë; është stili që gur qosheje ka thjeshtësinë e rrëfimit, pa ndërlikime dhe fjalë të stërzgjedhura, që duken si me peshë e me një gravitet dërrmues, por që janë bosh; nuk janë aq për mendjen, më saktë për stërhollimet e saj, sesa për zemrën. Romanet janë si kronika njerëzish që, edhe pse i paraqesin këta njerëz shpesh si qen të rrahur rrugësh, të shkalafitur, të trembur, të hutuar, të vetmuar e të ngujuar nëpër burgjet e tyre shpirtërore, befas nën zhguallin tjetërsues ti shquan ca shpirtra sa rebelë aq dhe të ndjeshëm, gati-gati ca kokëkrisur e të handakosur, që edhe pse në dëshpërim e bjerrakohje, ngjan sikur bëhen bash radioskopia e jote, e jona, e NJERIUT. – Josif Papagjoni (shkrimtar, regjisor)

Romanet më të rëndësishme të autorit:

Lëkura e qenit

Ky roman u shpall libri i muajit qershor 2006 në Gjermani.

Një libër i jashtëzakonshëm, ku autori arrin nivelin më të lartë të prozës së tij. Një histori dashurie e rishfaqur në tri breza, një takim plot pikëpyetje e të panjohura në mijëvjeçarin e ri, një përpjekje për t’u çliruar nga dhembjet e së kaluarës.

“Lëkura e Qenit” është një roman i shkruar nga Fatos Kongoli, i publikuar në vitin 2003. Ky roman është një shëmbëlltyrë e pastër e përjetimeve dhe ndryshimeve që pëson ndërgjegjja njerëzore mes dy sistemeve politike. Kongoli paraqet reflektimet si në pasqyrë të tranzicionit emocional të individit dhe shtrembërimeve të virtyteve të tij prej veseve njerëzore, shoqërisë, egos, ambicies dhe opinionit. Thelbi i këtij romani është rëndësia e dëgjueshmërisë me vëmendje të zërit të nënvetëdijes, zë i cili të qorton herë me të drejtë dhe herë jo dhe zë, që të inkurajon e të jep zemër. Ky është zëri i së vërtetës, zëri që kumbon kujtimet dhe rikthen përjetimet. Ky është zëri që thërret në mendje dhe zemër për dashuritë e shkuara, për fëmijërinë e ëmbël dhe gabimet e çdo faze të jetës. Një nga rastësitë më të bukura të librit të ndërtuar me kast nga autori është ndërtimi i jetës së tij emocionale dhe dashurore me tre breza të ndryshëm grash, të cilat me njëra-tjetrën kishin marrëdhënie të ngushta familjare. Këto tre gjurmë dashurish në e bënin jetën e tij të pazgjidhshme nga Liza, Dolora dhe Lori.

Ëndrra e Damokleut

Me këtë roman autori ka fituar çmimin ndërkombëtar “Balkanika”, në vitin 2002, dhënë në Sofje të Bullgarisë. Ka fituar gjithashtu çmimin e “Librit më të mirë në prozë” për vitin 2002, dhënë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Në sfond të këtij romani janë ngjarjet tragjike të marsit 1997, vitit të çmendurisë kolektive të shqiptarëve pas shembjes së të ashtuquajturave shoqëri piramidale. Ergysi dhe Linda, njëri student në degën e letërsisë, tjetra studente për pikturë në Akademinë e Arteve paguajnë haraçin e rëndë të kësaj çmendurie dhe të urrejtjes së ndërsjellë të familjeve të tyre të armiqësuara në kalvarin e gjatë absurd të luftës së klasave. “Ëndrra e Damokleut” është botuar për herë të parë në vitin 2001. Ai vjen i katërti në ciklin prej pesë librash “Burgjet e kujtesës” ku secili roman qëndron më vete, pa lidhje me të tjerët (“I humburi”, “Kufoma”, “Dragoi i fildishtë”, “Lëkura e qenit”), veç një fryme të përbashkët që sjell ngjyrat e epokës.

I humburi

Mars 1991. Thesar Lumi, banor në një nga qytezat pranë kryeqytetit, i hipën anijes në Durrës, bashkë me mijëra të tjerë, për t’u larguar drejt Italisë. Çastin e fundit ndërron mendje dhe zbret. Me këtë skenë nis ky libër, i pari në ciklin e romaneve të shkruara prej Kongolit në fillim të viteve ’90, që shënoi një sukses të jashtëzakonshëm brenda dhe jashtë vendit.  Në këtë roman janë fare të rralla fjalët që do të sugjeronin drejtpërsëdrejti kontekstin politik apo natyrën e regjimit politik brenda të cilit çojnë jetën personazhet. Autori arrin të vërë në pah, me mjete letrare, atë që shquan botën e personazheve të tij. Njeri nga këto mjete ka të bëjë me figurat e ndryshme të kafshës dhe lidhjet e tyre me trajtat e vdekjes që shpalosen në këtë roman. Është një eksod tronditës në brendësi të qenies.

Iluzione në sirtar

Çmimi letrar “Rexhai Surroi”, Prishtinë 2011.

I ndërtuar mbi dy motive të ndërthurura, jeta e shkrimtarit dhe rruga e tij e vështirë drejt letërsisë, ky “pothuajse roman”, me personazh qendror vetë autorin, na sjell pamje të papërsëritshme epokash, të djeshme dhe të sotme. Dhe një varg protagonistësh të letrave shqipe, të kulturës, arteve, politikës, etj., ashtu siç i ka njohur autori, që nga fëmijëria e hershme e më vonë, në kohë të qeta e të trazuara, gjatë periudhës se diktaturës e pas rrëzimit të saj. Është një autoportret origjinal dhe i sinqertë. Për herë të parë Kongoli i kthehet këtu disa episodeve nga më të rëndësishmit dhe më traumatiket në jetën e tij. Një libër i veçantë, i pari në letrat e sotme shqipe, ku autori kërkon të shohë thellë në vetvete, për t’i bërë më të kuptueshëm librat e tij përmes zbërthimit të vetvetes. Si të gjithë romanet e tjera të Kongolit, edhe ky lexohet plot kureshtje, me një frymë.

Bolero në vilën e pleqve

Dy pleq, në një vilë, dhe një infermiere që kujdeset për ta. Në aktin e fundit të jetës, pleqtë i shkruajnë letra njëri-tjetrit, të cilat i zhdukin pa lënë gjurmë, ndërsa infermierja përpiqet më kot t’i shtjerë në dorë.

Botën e mbyllur të vilës e trazojnë kohë më kohë doktori i familjes, njeri qejfli, hokatar dhe i paparashikueshëm; djali i pleqve, bos i një firme të fuqishme ndërtimi, me gruan e tij të re e të bukur; vajza e madhe e pleqve, gjyqtare e rreptë; një femër enigmatike, po aq e bukur, veshur gjithmonë me të zeza, etj.

Duke na sjellë me këtë libër prozën e tij më të përkryer, Kongoli, përmes rrëfimit të infermieres, zbulon misteret e saj, dramat e personazheve, me ndërlikimet, dëshirat e fshehura, në një mjedis shpesh të egër, të pamëshirshëm, ku femra është më e pambrojtura. Një qasje ndaj ekzistencës njerëzore, që nuk e kemi hasur më parë në letrat shqipe.

Kapitulli i Amerikës

“Kapitulli i Amerikës” është një kronikë autobiografike, që vjen si vazhdim i një prej librave tashmë të njohur të Kongolit, më i rëndësishmi siç e quan ai vetë “Iluzione në sirtar”.

Vendin kryesor e zënë kujtimet e autorit për një periudhë prej afër shtatë vjetësh, kur ai ka jetuar më së shumti në SHBA. Për herë të parë në këtë libër na shfaqen portrete shqiptaro-amerikanësh të fushës së letrave, miq e të njohur të dikurshëm të autorit, ndër ta edhe figura të shquara. Si dhe organizimet, veprimtaritë e tyre, në Nju-Jork apo Detroit, mjediset mikpritëse të një bote “të shpërngulur” shqiptare etj.

Për herë të parë, gjithashtu, në këtë libër Kongoli përshkruan hollësisht peripecitë e pabesueshme, me të cilat  u përball pas një sëmundjeje të rëndë. Dhe rikthimin në jetë përmes një aventure të re, siç e quan ai romanin e tij më të fundit “Gënjeshtarë të vegjël”.