Gjosha mbledh KKNIE: Angazhim maksimal nga institucionet

501
Ministrja e Integrimi Europian, znj. Klajda Gjosha mblodhi sot Komitetin e Koordinimit Ndërinstitucional për Integrimin Europian (KKNIE). Në fokus të këtij takimi ishte hartimi i kontributit të parë të Republikës së Shqipërisë për Komisionin Europian për vitin 2016 si dhe për të diskutuar rreth zbatimit të Planit Kombëtar të Integrimit Europian. Ministrja Gjosha, kërkoi angazhim maksimal nga institucionet për të përmbushur afatet dhe masat e kërkuara. Ministrja Gjosha ,informoi gjithashtu se në kuadër të hartimit të Raportit për Shqipërinë, Komisioni Europian ka kërkuar nga Qeveria Shqiptare hartimin dhe dërgimin e kontributit të saj të parë për Raportin 2016, mbi përparimin dhe arritjet e institucioneve publike shqiptare në procesin e integrimit Evropian të Shqipërisë. 
Gjatë takimit, u diskutua gjithashtu edhe për metodologjinë e re që do përdoret. Duke qenë se kontributi i Qeverisë Shqiptare organizohet dhe strukturohet sipas kapitujve negociues, ka një risi në metodologjinë e përdorur, e cila është një zgjerim i metodologjisë së re të përdorur vjet për disa kapituj pilot. Përveç kapitujve të cilët Komisioni i quan “themelet e Procesit të zgjerimit”, metodologjia e re do të shtrihet veçanërisht në fushat që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, siç janë: kapitulli 1 (Lëvizja e lirë e mallrave), kapitulli 8 (Politikat e Konkurrencës), kapitulli 14 (Politikat e Transportit), kapitulli 15 (Energjia), kapitulli 24 (disa elemente të këtij kapitulli që nuk ishin përfshirë vjet), si dhe 27 (Mjedisi). 
Kapitujt (gjyqësori, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, liria e shprehjes, reforma e administratës publike, kriteri ekonomik, prokurimi publik, statistikat dhe kontrolli financiar) të cilët nuk janë pjesë e kapitujve të sipër cituar, do të vazhdojnë të raportohen sipas metodologjisë së re. Ndërkohë, kapitujt e tjerë do të vazhdojnë të raportohen sipas metodologjisë së përdorur më parë. Të gjitha ministritë dhe institucionet koordinuese duhet të organizojnë hartimin, plotësimin dhe konfirmimin e informacionit për kapitullin që koordinojnë. Ministria e Integrimit Europian do të kryejë kontrollin përfundimtar të kontributit shqiptar, cilësinë e raportimit, formatimin dhe paraqitjen e tij përpara shërbimeve të Komisionit Europian. “Edhe një herë duke theksuar dhe sjell në vëmendjen tuaj rëndësinë e këtij kontributi, Ju rikujtoj se përgatitja dhe paraqitja e një informacioni të plotë dhe të saktë mbi arritjet në Shqipëri është një detyrim si pjesë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, tha Ministrja Gjosha.
Sigal