Kryeministri Rama pranon të bëhen ndryshime kushtetuese

459
Sigal

Në ndryshimet kushtetuese duhet të përfshihen konstitucionalistët dhe jo ekskluzivisht politikanët

Me rastin e 15-vjetorit të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese organizoi sot në Tiranë, konferencën ndërkombëtare me temë “Kushtetuta, si Instrument Qëndrueshmërie dhe Zhvillimi”.

Në konferencë morën pjesë dhe e përshëndetën Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, Kryeministri, z.Edi Rama, kryetari i Kuvendit Ilir Meta si dhe ambasadori i BE në Shqipëri, Ettore Sequi. Presidenti, Kryeministri dhe kryetari i Kuvendit pajtohen për ndryshime në Kushtetutë. Presidenti Nishani u pajtua me ndryshimet kushtetuese, por, theksoi se” “Pra rishikimi i Kushtetutës duhet parë si një përsosje të saj kur është një domosdoshmëri shoqërore, por pa prekur bërthamën e parimeve, vlerave kushtetuese që do ta konsideronim superkushtetutë.

Edi Rama: “Ndryshimet e Kushtetutës të bëhen nga konstitucionalistët”

Rama kërkoi që ndryshimet që do i bëhen Kushtetutës të jenë gjithëpërfshirëse dhe jo ekskluzive të politikës.

“Pyetja që “a duhet a nuk duhet rishikuar Kushtetuta” do të bëhet besoj unë gjithmonë e më insistuese. Por nga ana tjetër besoj se eksperienca e këtyre 15 viteve na ka mësuar mjaftueshmërisht si t’i qasemi kësaj pyetjeje dhe si në çdo rast, përgjigjen e kësaj pyetjeje të mos ta gjejmë tek vullneti ekskluziv i forcave politike, por ta gjejmë në radhë të parë tek gjithë përfshirja e të gjithë aktorëve dhe faktorëve shoqëror, duke nisur sigurisht nga komuniteti i konstitucionalistëve dhe më gjerë pastaj, nga vetë sistemi që garanton integritetin e Kushtetutës. Stabiliteti i Kushtetutës është padyshim një parakusht për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e rendit kushtetues të vendit. E në çdo rast, çdo ndërhyrje në Kushtetutë, pavarësish se nuk përbën asnjë lloj sakrilegji në vetvete, imponon domosdoshmërish që, në funksion të stabilitetit dhe të forcimit të rendit kushtetues, gjithëpërfshirja të jetë koncepti bazë dhe më fillestar i saj. S’mundet kurrsesi që një proces i tillë të jetë një proces partiak dhe, aq më pak, një proces politikisht i njëanshëm.”.

 Ilir Meta: “Viti 2008 dha mesazhe të gabuara. Duhet një qasje e re”

Kryeparlamentari Ilir Meta tha se, “unë besoj sinqerisht se ne tashmë e kemi gjithë maturinë dhe pjekurinë e nevojshme për të patur qasjen e duhur ndaj kushtetutës, për një bashkëjetesë reciproke me njëra-tjetrën me një debat politik profesional dhe ekspertizë të posaçme, që do të konsideronte ndërhyrjet nëse ato do të gjykoheshin të domosdoshme në të mirë të vendit dhe të ardhmes europiane të tij”. Dinamikat e vazhdueshme në qeverisje, vijoi Meta, moria e problematikave të mprehta të shtruara për zgjidhje, janë një fushë më tepër për respektimin e institucioneve, për garantimin e pavarësisë së tyre për kontrollin dhe ekuilibrin mes tyre. “Kushtetuta e re, duke pasur parasysh karakteristikat specifike të vendit, gati-gati e diktonte domosdoshmërinë e bashkimit të forcave politike me gjithë peizazhin zemërak të tyre, ashtu siç diktonte një qasje tërësisht europiane dhe moderne ndaj të drejtave universale të njeriut”, tha Meta.

 

Bujar Nishani: “Ndryshimet kushtetuese të domosdoshme, por jo sipas interesave politike”

 Presidenti Nishani u pajtua me ndryshimet kushtetuese, por, theksoi se” “Pra rishikimi i Kushtetutës duhet parë si një përsosje të saj kur është një domosdoshmëri shoqërore, por pa prekur bërthamën e parimeve, vlerave kushtetuese që do ta konsideronim superkushtetutë. Ne bindjen time dhe aktivitetin tim, Kushtetuta duhet të japë garanci për një jetë të gjatë dhe qëndrueshmëri”. Presidenti Nishani renditi pikat të cilat mund të parashtroheshin për rishikim në Kushtetutën e Shqipërisë:

 – një kufizim i sovranitetit kombëtar me anë të njohjes së institucioneve të Bashkimit Evropian për të adoptuar akte normative për shtetet anëtare. Pra Parlamenti shqiptar nuk do të jetë i vetmi institucion ligjbërës.

– parashikimi që duhet bërë në Kushtetutë për te drejtën për pjesëmarrje të shtetasve të Bashkimit Evropian në zgjedhjet lokale të Shqipërisë si dhe e drejta e pronësisë mbi terrene apo pasuri të paluajtshme për shtetasit e huaj.

– parashikimi i të drejtës së shtetasve shqiptare për të marrë pjesë si zgjedhës apo të zgjedhur në zgjedhjet e Parlamentit Europian.

Idajet Beqiri:“Kushtetuta duhet të sillet në parametrat e duhur demokratik dhe funksional”

Avokat Idajet Beqiri, në intervistën për “Telegraf” parashtron domosdoshmërinë e ndryshimeve kushtetuese, duke përcaktuar edhe çështjet kryesore që duhet të prekin ndryshimet e Kushtetutës. Gjithashtu, pohon zoti Beqiri, një reformë e re zgjedhore, duhet “Të prek në radhë të parë sistemin. Të rikthehemi te sistemi zgjedhor maxhoritaro-proporcional.”

– Zoti Beqiri, duke u nisur nga fakti që Stabiliteti i Kushtetutës është padyshim një parakusht për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e rendit kushtetues të vendit, Kushtetuta jonë, a e plotëson këtë kriter demokratik?

– Kushtetuta e vitit 1998 u prek rëndë dhe ju deformuan thuajse të gjitha parametrat që kanë të bëjnë me funksionimin real të një shteti ligjor me demokraci përfaqësuese të drejtpërdrejtë. Ndryshimet që ju bënë Kushtetutës sonë në vitin 2008 me konsensusin e të dy forcave kryesore politike të vendit PD-PS, i deformuan rëndë të gjitha institucionet kushtetuese. Këto ndryshime të dëmshme në Kushtetutë prekën rëndë përfaqësimin e drejtpërdrejtë të popullit në Kuvend, sepse u deformua sistemi zgjedhor. U kalua në sistemin indirekt të përfaqësimit, domethënë të zgjedhjes së deputetëve nga kryetari i Partisë! U prek rëndë parimi demokratik i zgjedhjes së Presidentit të Republikës, si dhe kompetencat e tij. Presidenti, me gjithë se është kryetar i shtetit, me ndryshimet që ju bënë Kushtetutës së 1998, është katandisur në një person që ka vetëm “çelësat e kashtës” dhe nuk ka fuqi, as edhe sa një anëtar bordi i bankës, i cili zgjidhet nga Kuvendi i Shqipërisë me 2/3 e votave. Ndërsa Presidenti zgjidhet vetëm me 71 vota! U prek institucioni i kryeministrit. U vesh ky institucion ekzekutiv me despotizëm, sepse me Kushtetutën aktuale të ndryshuar, mocioni i mosbesimit të Kuvendit ndaj Kryeministrit ka mbetur veç një fiksion i pazbatueshëm juridik. U prek rëndë organi i akuzës, Prokurori i Përgjithshëm, i cili pas ndryshimeve që ju bënë Kushtetutës, ka mbetur një institucion që manovrohet lehtas nga politika. Dëmi më i madh është prekja që ju bë sistemit zgjedhor, i cili për interesat e ngushta të “Kaçëve” në Kuvendin e Shqipërisë, të cilëve u janë ngjitur të ndenjurat në karrigen e deputetit, pavarësisht se populli nuk i sheh dot më me sy, është bënë një surrugato e turpshme e tipit proporcional rajonal, sistem i cili i heq popullit të drejtën për të zgjedhur përfaqësuesit e vet në pushtetin legjislativ. Në saj të këtyre prekjeve dëmsjellëse aktualisht vendi ynë po përjeton një krizë të rëndë, të dukshme dhe të padukshme, në të gjitha sferat e jetës. Asnjë institucion nuk është efiçent. Ato janë të destinuara të prodhojnë vetëm kriza, frenime, deformime të demokracisë, mosarritje të ekonomisë, shkelje flagrante të lirive dhe të drejtave të njeriut.

 – Cilat mund të jenë çështjet që duhen shqyrtuar nga konstitucionalistët, për të bërë ndryshimet e duhura në Kushtetutë?

– Kushtetuta duhet të rikthehet urgjentisht në origjinë, domethënë te Kushtetuta e vitit 1998, të cilën e miratoi populli shqiptar me referendum. Të strukturohen tryezat permanente të vjeljes së mendimit juridik, të organizimit të debateve, të përmbledhjes së rekomandimeve dhe të hartimit të projekt-drafteve për ndryshimet e domosdoshme, me këndvështrim teje afatgjatë të Kushtetutës. Kjo Tryezë duhet të institucionalizohet menjëherë. Në këtë Tryezë të gjerë dhe në shumë mini tryeza të tjera, duhet të jenë jo vetëm konstitucionalistët, por i gjithë mendimi i përparuar juridik, e gjitha bota akademike, të cilët të diskutojnë me ditë dhe me orë të tëra për ndërhyrjet e domosdoshme që i duhen bërë Kushtetutës së vendit. Pa u bërë një diskutim cilësore dhe serioze, si dhe pa rekomandimet e përgjegjshme shkencore të botës akademike të fushave të jurisprudencës, të shëndetësisë, të arsimit, të ekonomisë, të kulturës, të shkencës, të bujqësisë, të financave etj, etj, të mos ketë asnjë vendimmarrje nga organi legjislative dhe nga ekzekutivi i vendit.

 -Cilat duhet të jenë ndryshimet në Kushtetutë, që duhet të reflektojnë etapën e re për të përmbushur detyrimet e evoluimit demokratik në Shqipëri, dhe jointeresat partiake, siç u veprua në 2008?

– Kushtetuta duhet të sillet në parametrat e duhur demokratik dhe funksional. Vetëm kështu ajo do t’i jap vendit zhvillim, përparim, konsolidim dhe mirëfunksionim të demokracisë dhe institucioneve, qëndrueshmëri, zhdërvjelltësi dhe efikasitet të tyre. Kushtetutës i duhen bërë rregullime të qenësishme për kompetencat e Presidentit të Republikës, për mënyrën e zgjedhjes së tij, duhen konceptuar qartë problemet e sistemit zgjedhor, të bëhen ndryshime të qenësishme për organizimin e sistemit gjyqësor, të mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, të institucionit të hetimit të krimeve, të mocioneve kundër kryeministrit etj., etj..

 – Reformë e re zgjedhore, do të jetë brenda kuadrit të ndryshimeve kushtetuese, apo e shkëputur?

– Reforma zgjedhore nuk mund të bëhet pa bërë më parë ndryshimet në Kushtetutë. Ndryshe do të vinim «mballoma» të tjera në Kodin Zgjedhor, i cili me gjithë se «arnohet» sa herë kemi zgjedhje, përsëri është dhe do mbetet një gjë pa vlerë, prej të cilit burojnë veç kriza, bllokime, manipulime dhe deformime të proceseve zgjedhore dhe të vullnetit të popullit.

 – Që reforma zgjedhore t’i shërbeje vërtet përfaqësimit votës të elektoratit në Parlament, cilat duhet të jenë çështjet që duhet të prekë kjo reformë?

– Reforma zgjedhore duhet të prek në radhë të parë sistemin. Të rikthehemi te sistemi zgjedhor maxhoritaro-propocional. Domosdoshmërisht 100 deputetë, me identitetin e tyre të plotë, duhet t’i zgjedh populli drejtpërdrejtë me votën e tij të lirë dhe të drejtpërdrejtë. 40 deputetë të tjerë të dalin nga sistemi zgjedhor proporcional kombëtar. Me ligj të konceptuar saktë dhe prerë t’i mbyllet përgjithmonë rruga fenomeneve « Dushku i Madh » dhe «Dushku i Vogël», dhe kështu Shqipëria do të shpëtonte një herë e përgjithmonë nga ky sistem zgjedhor që kemi sot dhe që është «i aftë» vetëm për të prodhuar kriza dhe deformime të demokracisë.

-Faleminderit!