Kryeministri, mbledhje urgjente në Ministrinë e Jashtme

340

Skandali i fundit në ministrinë e Jashtme, me humbjen e 100 pasaportave të reja, të cilat u dërguan në Athinë për t’u pajisur emigrantët tanë, ende nuk ka nxjerrë fajtorët dhe përgjegjësitë, por është fakt, që kjo ndodhi, pikërisht tani, që kryeministri Rama është edhe ministër i Jashtëm, ndërkohë që këtë detyrë ia ka deleguar zv. ministrit Cakaj. Por, humbja e pasaportave, zbardhi edhe papërgjegjshmërinë në punën e Ministrisë së Jashtme, e cila nuk garanton dot as dërgimin e postave diplomatike. Kryeministri Rama ka heshtur, duke dashur ta nënvlerësojë dhe ta anashkalojë, të paktën publikisht, ndërsa dje, ka marrë pjesë në mbledhjen e Ministrisë së Jashtme, e para, e zhvilluar pas shkarkimit të Ditmir Bushatit. Nuk u bënë publike hollësi, por, çështja e pasaportave ka qenë, natyrisht, tema që është trajtuar. Sipas Konventës së Vjenës, e cila përcakton qartë se si bëhet transportimi i materialeve diplomatike, dy janë rrugët e transportit të tyre: Përmes pakove diplomatike me avion si kargo ajrore, ose me rrugë tokësore me mjet me targa diplomatike CD dhe të shoqëruar nga një korrier diplomatik. Në asnjë pikë të nenit 27 të Konventës së Vjenës nuk thuhet që pakot diplomatike mund të dërgohen me autobusë të udhëtarëve dhe të pashoqëruar nga korrierë diplomatikë.