PROF. DR. Bernard Zotaj: 575 vjetori i Kuvendit të Lezhës, ngjarje madhore në historinë kombëtare shqiptare

575
Sigal

Në plan të parë bashkimi i forcave politike-ushtarake

 

Për zgjidhjen e detyrës historike të bashkimit të popullit shqiptar dhe të klasës feudale në një front të vetëm antiosman, Skënderbeu organizoi mbledhjen e një kuvendi të përgjithshëm kombëtar. Për këtë qëllim në mënyrë paraprake u zhvilluan një sërë konsultime me feudalë shqiptar dhe krerët e tjerë të vendit për përgatitjen e kuvendit dhe largimin e pengesave në rrugën e bashkimit. Kuvendi u mblodh më 2 mars 1444 në qytetin e Lezhës që ishte nën sundimin e Venedikut. Thirrja e kuvendit në qytetin e Lezhës kishte për qëllim të evitonte çdo keqkuptim midis pjesëmarrësve, lidhur me respektimin e ndereve feudale. Nga ana tjetër siguronte përkrahjen ose të paktën neutralitetin e Venedikut në luftën e madhe shqiptaro-osmane. Për këtë qëllim u ftua të merrte pjesë në punimet e kuvendit Republikat e Venedikut dhe të Raguzës.

Kuvendi i Lezhës mblidhej mbi bazën e traditave më të hershme shqiptare, për t’i trajtuar problemet e rëndësishme në kuvende të përbashkëta. Kuvendi i mbledhur dhe i organizuar nga Skënderbeu, shënonte zhvillim të mëtejshëm të traditave, sepse ishte një kuvend në shkallë kombëtare. Në punimet e Kuvendit të Lezhës morën pjesë përfaqësuesit e familjeve më të fuqishme feudale shqiptare. Sundimtarë të principatave feudale ishin të pranishëm në kuvend, të shoqëruar nga djemtë ose nga nipërit e tyre. Në të morën pjesë dhe feudalë më të vegjël, si dhe krerë të tjerë, të cilët përfaqësonin fshatarësinë e lirë të malësive të Shqipërisë.

Marin Barleti, në veprën “Historia e Skënderbeut” na përshkruan emrat e sundimtarëve shqiptarë që morën pjesë në punimet e kuvendit. Midis tyre ishte nismëtari dhe organizuesi i kuvendit, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, si përfaqësues i principatës së Kastriotëve, Gjergj Araniti, Andrea Topia me dy djemtë, Komini dhe Muzaka me të nipin Tanush Topia, Gjergj Stres Balsha, Tedor Korona Muzaka me të tjerë nga familja e Muzakajve, Pal dhe Nikollë Dukagjini, Lekë Zaharia, Pjetër Spani me katër djemtë, Lekë Dushmani së bashku me disa feudalë më të vegjël pranë principatës së tij etj. Pjesëmarrësit në kuvend u mblodhën nga trevat ku flitej gjuha shqipe. Përjashtim bënte vetëm Stefan Cernojeviçi, sundimtar i Zetës (Malit të Zi), që kishte zotërimet e veta pranë liqenit të Shkodrës me një popullsi të madhe shqiptare, por dhe lidhje familjare me Skënderbeun, se ishte martuar me njërën nga motrat e tij.

Në Kuvendin e Lezhës mori pjesë dhe përfaqësuesi i Venedikut me cilësinë e vëzhguesit. Republika e Raguzës refuzoi të merrte pjesë për të mos ndërlikuar marrëdhëniet e saj me Sulltanin e Perandorisë Osmane. Kuvendi i Lezhës mbas diskutimeve të shumta, mori vendime të rëndësishme, të cilat përcaktuan natyrën politike të këtij kuvendi. Me gjithë divergjencat e diktuara nga interesat e ngushta, feudalët e mbledhur në kuvend u shprehën për bashkimin e tyre në luftë kundër pushtimit osman.

 

Skënderbeu, kryeprijës i Shqipërisë

 

Ideja e bashkimit të gjitha forcave politike, ushtarake dhe ekonomike të vendit në një front të përbashkët u konkretizua në mjaft vendime të tij. Më i rëndësishmi midis tyre ishte vendimi për krijimin e një besëlidhjeje të feudalëve shqiptarë, e që mori emrin “Lidhja e princave shqiptarë” (Lidhja e Lezhës). Skënderbeut si organizator dhe udhëheqës i kryengritjes çlirimtare kundër regjimit të timareve, si dhe për shkak të pozitës së rëndësishme që kishte principata e Kastriotëve u zgjodh njëzëri kryetar i saj. Skënderbeu, megjithëse kryetar dhe Komandant i Përgjithshëm, ishte në këtë kohë një “i parë midis të barabartëve”. Sidoqoftë, caktimi i një udhëheqësi të vetëm politik e ushtarak kishte një rëndësi të madhe dhe ishte një hap përpara në kapërcimin e përçarjes feudale. Gjon Muzaka, bashkëkohës i Skënderbeut nga familja e Muzakajve shkruan se sundimtarët e Shqipërisë u mblodhën në Kuvend në Lezhë. Dikush shkoi vet, dikush çoi mëkëmbës. Kështu që Skënderbeu i lartpërmendur u bë kryeprijës në Shqipëri, dhe secili dërgonte njerëz dhe të holla sipas sasisë që i takonte. Po kështu edhe disa bij të atyre sundimtarëve luftonin nën drejtimin e tij, edhe për të mësuar mjeshtërinë e luftës, edhe për të mbrojtur shtetet e veta. Duke qenë ai zotëri fort i rrahur në luftë dhe fatos, u zgjodh kryeprijës e secili i bindej. Pjesëmarrja në Lidhje për çdo feudal garantonte të drejtën e mbrojtjes nga pushtuesi, si dhe detyrimin për të kontribuar në krijimin e ushtrisë dhe të mjeteve financiare të përbashkëta. Me këto detyrime lidhen dy vendime të rëndësishme të Kuvendit të Lezhës: vendimi për krijimin e një ushtrie të “Lidhjes së princave shqiptarë” si dhe sigurimin e mjeteve financiare për shpenzimet e luftës me forca të përbashkëta. Kuvendi i Lezhës vendosi të krijohej një ushtri shqiptare, e cila do të rekrutohej nga Skënderbeu në principatën e Kastriotëve si dhe nga feudalë t e tjerë në zotërimet e tyre. Secili anëtar i lidhjes përcaktoi vullnetarisht numrin e ushtarëve me të cilët do të kontribuonte në krijimin e ushtrisë së përbashkët. Skënderbeu u zgjodh komandant i përgjithshëm i ushtrisë së Lidhjes, kurse komandantët e reparteve do të emëroheshin nga vetë bujarët. Për të përballuar shpenzimet e luftës, Kuvendi i Lezhës vendosi krijimin e një fondi të posaçëm në të holla, i cili do të sigurohej pjesërisht me kontributin e feudalëve shqiptarë dhe pjesërisht nga të ardhurat e kriporeve të Shën Kollit në veri të Durrësit, të cilat u përkisnin Kastriotëve. Mjetet financiare, si dhe ushtria do të administroheshin nga Skënderbeu, i cili jepte për çështjen e luftës çlirimtare kontributin kryesor midis bujarëve të tjerë në ushtarë dhe të holla. Skënderbeu u ngarkua nga Kuvendi i Lezhës me detyra të shumta drejtuese dhe komanduese.

 

Principata e Kastriotëve, organ qendror i shtetit shqiptar

 

Organet drejtuese të ushtrisë dhe të financave, që funksiononin në kuadrin e Lidhjes së Lezhës, u shkrinë me ato të principatës së Kastriotëve, duke marrë rëndësinë e organeve qendrore të shtetit shqiptar. Organet e administratës shtetërore të bujarëve të veçantë, vazhduan ushtrimin e funksioneve të tyre, por tashmë në vartësi të pushtetit qendror. Feudalët vasalë, që humbën pozitën e tyre si zotër më vete, u shndërruan në qeveritarë të pushtetit qendror dhe vareshin drejtpërdrejt nga Skënderbeu. Principatat e dikurshme feudale e humbën karakterin e tyre si formacione shtetërore më vete, duke u shtrirë e njësuar me shtetin shqiptar. Kufijtë e tyre të dikurshëm nuk ekzistonin më, në vend të tyre shteti shqiptar shtrihej nga brigjet e Adriatikut deri në Prizren dhe nga lumi Devoll e Seman në jug, duke përfshirë zotërimet e Aranitëve në Shqipërinë Qendrore deri në Dibër e Pollog. Shteti i Skënderbeut nuk mundi të përfshinte brenda kufijve të vet të gjitha territoret ku flitej gjuha shqipe. Jashtë këtyre kufijve mbetën zonat e pushtuara nga osmanët, qytetet e pushtuara nga Venediku si dhe principata e Dukagjinëve në Veri. Shteti i Skënderbeut ishte një formë e sundimit politik të klasës feudale shqiptare. Lufta që zhvilloi Skënderbeu për forcimin e pushtetit dhe krijimin e shtetit shqiptar nuk ishte luftë kundër feudalizmit. Ajo ishte luftë kundër copëzimit dhe partikularizmit feudal, që dobësonte fuqinë mbrojtëse të vendit, pa prekur marrëdhëniet në prodhim, të cilat mbetën si edhe më parë, feudale.

Krijimi i shtetit shqiptar nën udhëheqjen e Skënderbeut ishte një fitore e madhe historike e popullit shqiptar dhe përfundimi i atij procesi të ligjshëm për krijimin e formacioneve shtetërore të pavarura në Mesjetë. Bashkimi i popullit shqiptar në një shtet të vetëm nën udhëheqjen e Skënderbeut ndihmoi në farkëtimin e unitetit politik të popullit tonë në luftë kundër pushtuesve osman si dhe në konsolidimin e kombësisë shqiptare, mbi bazën e gjuhës, territorit dhe unitetit psikik-kulturor.