Epidemia e korrupsionit/ Shtohet lista e kryetarëve të bashkive që janë nën hetim për blerje votash, abuzime me tenderër deri te favoret nepotike

50
Sigal

 

 

Nëpër bashki të ndryshme duket se gjithçka “vërtitet” rreth kryetarëve të ardhur në pushtet nga votat politike të partive ndaj të cilave detyrohen të kthejnë qokat mbrapsht ndaj “atyre që i mbështetën” me besimin se “janë të mbrojtur” edhe nga qeveria që “e kemi tonën”.

 Fitorja që morën në zgjedhjet e 14 majit duket se nuk po “u shijon” siç e prisnin të zgjedhurit në krye të bashkive të vendit. Dita – ditës numri i kallëzimeve të bëra ndaj kryetarëve të bashkive në Prokurorinë e Posaçme SPAK sa vjen edhe rritet. Larg Tiranës së institucioneve, nëpër bashki të ndryshme duket se gjithçka “vërtitet” rreth kryetarëve të ardhur në pushtet nga votat politike të partive ndaj të cilave detyrohen të kthejnë qokat mbrapsht ndaj “atyre që i mbështetën” me besimin se “janë të mbrojtur” edhe nga qeveria që “e kemi tonën”. Ndërsa disa eksponentë të qeverisjes qëndrore po përballen me SPAK, duket se “qeverisja e madhe” nuk e ka mendjen shumë tek ajo se çfarë bëjnë vendorët që në parim janë të vetëcentralizuar. Shtimi i numrit të kallëzimeve, që bëhen ndaj Kryetarëve të Bashkive është një tregues sesi shoqëria ose një pjesë e saj prej disa kohësh ka marrë lupën dhe teston çdo veprim joligjor të tyre. Gazeta Telegraf liston disa prej bashkive që aktualisht kanë kallëzime në SPAK për kreun e tyre.

Tropojë.
300 banorë të Tropojës denoncuan Kryetarin e tyre. Për ta, i pari i kësaj bashkie ka favorizuar kushurinjtë e tij në shkelje të hapur të ligjit për konfliktin e interesit. Në ditët e para të shtatorit 2023 ata thanë se po i drejtohen SPAK me kallëzim ndaj Kryetarit të Bashkisë Rexhë Byberi ku e akuzonin atë për “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë.” Por ky rast nuk është i vetmi. Vetëm pak muaj pas marrjes së mandateve lista e të zgjedhurve vendorë që po kallëzohen gjithnjë e më shumë në Prokurorinë e Posaçme sa vjen e shtohet.

Himarë.
“Inati” i Fredi Belerit pasi ky i fundit edhe pse fitoi zgjedhjet u arrestua me dyshimet për blerje vote, ra mbi atë që është në detyrë në Himarë. Kryetari i Bashkisë së Himarës (në detyrë) u paraqit në SPAK në fillim të muajit tetor 2023. Ndaj tij, kallëzuesit kanë ngritur pretendimet që ka kryer “Shpërdorim detyre” siç pretendon kallëzimi.

Roskovec.
Pas publikimit të një video së një emisioni investigativ Kryetarja e Bashkisë Roskovec u gjend në një pozicion të vështirë, ndërsa i shprehej gazetares së emisionit “Piranjat” sesi mund të mbyllnin një denoncim të një punonjësje ndaj saj. Më herët  Kryetari i Partisë Demokratike, dega Roskovec, Emels Xhaxhaj depozitoi kallëzim penal për kryetaren e bashkisë së këtij qyteti, Majlinda Bufin lidhur me disa tendera që sipas kallëzuesit janë abuzime të bëra në “kurriz” të rikonstruksioneve të rrugëve apo shkollave.

Këlcyrë.
Një tjetër kryebashkiak është nën hetim në SPAK për blerje votash. Prokuroria e Posaçme po heton kryebashkiakun e Këlcyrës Klement Ndoni, pasi akuzohet nga qytetarë të Këlcyrës se ka ofruar favore dhe para në këmbim të votës.

Kamëz.
Një tjetër kallëzim është edhe ndaj kreut të Bashkisë Kamëz, Rakip Suli. Këshilltarë të opozitës kanë denoncuar në SPAK kreun e bashkisë Kamëz për abuzime me tendera, teksa denoncimi është bërë në bazë të raportit të KLSH-së.

Rrogozhinë.
Kreu i Bashkisë Rrogozhinë, Edison Memolla është një tjetër kryebashkiak që ka një kallëzim në SPAK. Në kallëzim ai akuzohet pasi zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit ka favorizuar qytetarë për mos ndërprerje të energjisë elektrike në këmbim të votës.

Kuçovë.
Kryetari i Bashkisë së Kuçovës Kreshnik Hajdari është një tjetër emër i lakuar prej kohësh në Shqipëri. Problemet me drejtësinë mbi mosdeklarimin e një dënimi në një shtet fqinj janë ato që komentohen më së shumti në akuzat e ashpra të politikës. Më herët ndaj tij në SPAK u bë një kallëzim nga Lefter Maliqi, i cili e akuzon Hajdarin për korrupsion të funksionarëve të lartë apo të zgjedhurve vendore për bërjen e një rruge në një fshat ku sipas kallëzimit pretendohet se banorët kanë paguar për t’u bërë kjo rrugë.

Por këto janë vetëm disa prej rasteve… dita ditës të tjera raste po vijnë.