Kryebashkiaku i Librazhdit hap ‘thesin’, tender me afro 60 milionë lekë të vjetra, për automjet të ri

231
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Qytetarët drejt emigrimit për shkak të papunësisë, administrata  me fuoristradë  të re

Një shumë prej rreth 60 milionë lekë planifikon të shpenzojë Bashkia e Librazhdit, e drejtuar nga Kastriot Gurra, për blerjen e dy automjeteve.

Tenderi është shpallur së fundmi me fond limit 5,850,000 lekë. Objekti i kontratës është “Blerje mjeti tip fuoristradë 4×4, për administratën e Bashkisë Librazhd dhe automjet fuoristradë 4×4, për Agjencinë e Pyjeve dhe Kullotave”. Afati i fundit për dorëzimin e ofertave nga të interesuarit është data 28 Qershor 2021.

Nga dokumentet e tenderit rezulton se mjeti i destinuar për bashkinë do të jetë më “cool” se ai për Agjencinë e Pyjeve dhe Kullotave.

Më konkretisht, për administratën e Bashkisë kërkohet një fuoristradë 4×4, me vit prodhimi “2012 e lart”. Kilometrat maksimale duhet të jenë 133 000 dhe fuqia motorike 250-300 KW – një zgjedhje aspak ekonomike.

Mjeti që kërkon Bashkia, po ashtu duhet të ketë xhama të zinj fabrike prapa. Gurra i Librazhdit po ashtu preferon sedilje lëkure, kompjuter bordi dhe opsione të tjera që i gjen te një automjet modern. Kujdeset po ashtu dhe për paraqitjen, teksa specifikon se mjeti duhet të ketë disqe alumini.

Specifikimet e automjetit të destinuar për bashkinë

Nga ana tjetër, për automjetin që është i destinuar për agjencinë e pyjeve, kërkesat janë më modeste. Pranohet një fuoristradë me karroceri, me kamio manuale e vit prodhimi nga 2007-a dhe ekonomike: që të harxhojë 7.5 deri në 8 L për 100 km. Në këtë rast nuk ka kërkesa për sedilje lëkure, sensorë shiu, kamera, etj…

Duke parë specifikimet, pjesa dërrmuese e fondit, pritet të shkojë për automjetin e bashkisë.

Ndërkohë që Bashkia kërkon makina luksi për administratën e saj, zona e Librazhdit është një ndër zonat me të varfëra të Shqipërisë. Ku punësimi është pothuajse zero. Pjesa më e madhe e popullsisë trajtohet me ndihmë ekonomike, ku opsioni i vetëm ka ngelur emigracioni.