SPAK arreston prokurorin e Sarandës dhe 5 të tjerë, për korrupsion e trukim ndeshjesh

212
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Prokurori Sali Hasa dhe pesë persona të tjerë përfshi një drejtues të klubit të Përmetit, të akuzuar për korrupsion dhe fiksim të rezultateve të ndeshjeve të futbollit u arrestuan. Ndërkohë ndaj dy personave të tjerë u caktua masë arresti shtëpiak dhe detyrim paraqitjeje. SPAK njoftoi të shtunën se Gjykata e Posaçme kishte miratuar të enjten, kërkesën për arrestimin e 6 personave të akuzuar për korrupsion dhe për paracaktim të rezultatit të ndeshjeve të futbollit. Ndër të arrestuarit është prokurori i Sarandës, Sali Hasa, i akuzuar për korrupsion pasiv. Po ashtu policia ekzekutoi urdhër arrestet edhe për Napolon Hodaj, oficer i Policisë Gjyqësore, me akuzën e “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm”. Bledar Hajredini, trajner i klubit të futbollit Përmeti dhe  Qerim Ruçi, arbitër i ndeshjeve të futbollit u arrestuan për paracaktim të  ndeshjeve të futbollit të Kategorisë së Dytë. Të arrestuar janë edhe  Julian Zera dhe Emiljano Mirani, të  dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim.

Dy persona të tjerë u ndaluan dhe janë me masa sigurimi më të buta. Elsona Papa e akuzuar për “ushtrim ndikimi të paligjshëm” është me masë sigurie ‘arrest në shtëpi’, ndërsa Hysen Korenica ish ekspert mjeko – ligjor, me masë ‘detyrim paraqitje’ për akuzën e “ekspertimit të rremë”. Prokuroria njoftoi se arrestimet ishin pjesë e një hetimi të nisur në vitin 2020 kundër trafikut të narkotikëve dhe një grupi të strukturuar kriminal. Megjithatë, asnjë nga të akuzuarit, sipas njoftimit të bërë publik, nuk ka akuza të kësaj natyre. SPAK la të kuptohej se akuzat ndaj të arrestuarve ishin kopsitur falë përgjimeve të nisura ndaj grupit të trafikantëve të drogës. “Hetimi i këtij procedimi penal u bë i mundur falë bashkëpunimit shumë efektiv me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Në funksion të hetimeve të këtij procedimi penal janë përdorur mjete dhe metoda speciale hetimi të kombinuara këto me mjetet apo metodat tradicionale të hetimit”, thuhet në njoftimin e SPAK.