Propaganda e Ramës me gazetaren franceze për 25 prillin: OSBE i certifikoi për integritetin

202

OSBE/ ODIHR, më 30 prill, deklaron: Shqetësim shit-blerja e votës dhe keqpërdorimi i burimeve të administratës shtetërore

Sigal

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë në “France 24”, një nga televizionet më të mëdha në Francë. Përballë gazetares Caroline de Camaret, kryeministri shqiptar ka gënjyer edhe për skandalin e patronazhistëve dhe tha se, të dhënat e mbledhura në regjistrin e patronazhistëve, nuk janë personale.

Sipas kryeministrit, regjistri i gjendjes civile në Shqipëri ka qenë publik në internet përgjatë viteve.

“Ne kemi një raport nga OSBE/ODIHR që janë shumë të qartë për integritetin e fushatës dhe zgjedhjeve. Jam shumë i kënaqur që m’u bë pyetja, se kam lexuar artikuj të pavërtetë edhe në Francë. Nuk janë të dhëna personale individuale që kanë dalë, por janë dhënë tek organizata e partisë, që nuk kanë lidhje me të dhënat personale.

Së pari, të dhënat dhe regjistri i gjendjes civile në Shqipëri ka qenë publik në internet përgjatë viteve.

Së dyti, numri i kartave të identitetit, nuk është personal. Është një numër që tregon që këtë kartë e ka ky person në shërbimin civil, por nuk është e dhënë sensitive”, tha Rama.

Në fakt, lidhur me zgjedhjet, OSBE/ ODIHR, më 30 prill, deklaroi një seri kontestimesh. Ambasadorja Ursula Gacek tha se ne kemi pasur një shqetësim më të madh sesa shit-blerja e votës: keqpërdorimin e burimeve të administratës shtetërore, qëndrimin e turbullt ndaj kufirit mes partisë dhe shtetit.

“Lidhur me shit-blerjen e votës, është një dukuri për të cilën në zgjedhjet e mëparshme janë bërë rekomandime sesi të trajtohet. Duhet vënë në dukje që shit-blerja e votës nuk i përket një partie të veçantë. Nëse i referohemi informacioneve të besueshme, kemi 33 hetime për shit-blerje votash, që janë hapur para ditës së votimit.

Pra nuk ka vetëm një fajtor. Dëmi që sjell shit-blerja e votës në perceptimin dhe besueshmërinë tek sistemi zgjedhor është i dyfishtë. ODIHR ka bërë rekomandime në zgjedhjet e mëparshme lidhur me shit-blerjen e votës. Njëri prej tyre është edukimi i njerëzve që nuk duhet ta shesin votën e tyre. Kemi parë një përpjekje të madhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, (KQZ) në këtë drejtim, komuniteti ndërkombëtar i pranishëm në Shqipëri, Këshilli i Evropës, Ambasadat, shoqëria civile.

Rekomandimi tjetër, është trajtimi i shkelësve të ligjit, që po e ndjekim me shumë vëmendje. Nëse dikush kapet që shet dhe blen votën, ka rëndësi mënyra sesi e trajtojnë autoritetet rastin. Çdo rast duhet trajtuar me drejtësi dhe paanshmëri, që në të ardhmen njerëzit mos ta bëjnë këtë. Nuk është një dukuri që mund të zhduket vetëm në një proces zgjedhor, pra ka dy elemente: edukimin e votuesve dhe ndjekjen penale”, deklaronte ambasadorja Gacek.