Prof. Dr. Qemal Lame: Asociacioni serb rrezikon shtetin e Kosovës

280
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Takimi në Bruksel, të mërkurën, në 15 qershor 2021, midis Kurtit e Vuçiçit me ndërjetësinë e Barroso dhe Lajçak meriton të vlerësohet, si një hap për dialog, qartësim të qëndrimeve politike dhe përgjegjësi për zgjidhje të drejta me mirëkuptim duke respektuar interesat kombëtare dhe ndihmesën ndërkombëtare. Takimi u bë i njohur për ashpërsinë e retorikës së shkaktuar nga platformat e ndryshme politike, insistimit të padrejtë të politikanëve serbë për të imponuar risjelljen në bisedime dhe realizimin e planit famëkeq të asociacionit etnik serb, në dëm të sovranitetit dhe paralizimin e pushtetit qëndror të Kosovës. Analiza e platformave politike të të dy vendeve ndihmon opinionin publik në secilin shtet dhe atë ndërkombëtar në tërësi që të kuptohen qëllimet dhe të forcohet ndërgjegjësimi për reflektim, barazi e mirëkuptin në interes së të ardhmes për miqësi, paqe e siguri. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka paraqitur katër kërkesa: 1. Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të avancojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të marrëveshjes që kanë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda me BE -në; 2. Kosova dhe Serbia menjëherë të nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët paqeje duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën; 3. Pas njohjes së ndërsjelltë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet të ketë reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e të drejtave dhe të pakicave.

Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët në Serbi; 4. Për çështjen e të pagjeturve e të zhdukurve me dhunë, të largohen nga pozita personat që duhen marrë në pyetje për krime, siç janë Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe Zoran Angjelkoviq. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç pas takimit ishte i hutuar dhe i shqetësuar për shkak të zgënjimit. Ai iu kundërvu kërkesave duke theksuar se Albin Kurti ka ardhur në Bruksel për të thënë “se nuk do të arrijë marrëveshje për asgjë” dhe se gjatë këtij takimi ka pasur “provokime”, “papërgjegjësi” e “joseriozitet”. “Sinqerisht nuk di çfarë t’ju them. Nuk kam marrë pjesë në asnjë takim tjetër si ky. Vetë kohëzgjatja e takimit flet për atë se cilat ishin rezultatet e këtij takimi. U pajtuam që në fund të korrikut të vazhdojmë dialogun. Shpresoj se kjo është një gjë e rëndësishme, e cila mund të garantojë paqen dhe stabilitetin, gjithçka tjetër do të ishte e panevojshme për t’u komentuar”,- theksoi Vuçiç. Megjithatë, Vuçiç vazhdoi më pas se janë tri lajme të rëndësishme nga ky takim: E para: delegacioni shqiptar nuk dëshiron të përmbushë marrëveshjet, të cilat i ka nënshkruar dhe nuk do të diskutojnë për Asociacionin e Komunave Serbe. E dyta: kërkesa e tyre që urgjentisht dhe menjëherë të njohim Kosovën e pavarur. Dhe e treta: fakti që ata e quajnë incident dhe provokim pjesëmarrjen e serbëve në një liturgji në Prishtinë. Këto kërkesa, sikur edhe kërkesën për kërkimin e të pagjeturve të largohet Velko Odaloviq, Vuçiqi i quajti si “mungesë realiteti, serioziteti dhe përgjegjësie”.

Problemi themelor mbetet njohja e Pavarësisë së Kosovës. Kurti ka kërkuar të dijë se kur do të bëhet njohja? Ndërsa Vuçiç ka theksuar vullnetin e tij dhe të gjithë ultranacionalistëve që e mbajnë në pushtet, se nuk do ta njohë “kurrë” Kosovën. Me këtë qëndrim dëshmohet vazhdimi i politikës së vjetër, mungesa e dëshirës për reflektim dhe kundërvënie direkte ndaj realitetit politik me qëllimin e rikthimit në formë të “moderuar” me kërkesën ultimative për krijimin e Asciacionit të Komunave Serbe. Vuçiç vazhdon në forma të tjera politikën e Sllobodan Millosheviçit, ku ai ka qenë një nga ministrat e tij. Serbia kërkon të imponojë realitete të reja politike në Kosovë për të mundësuar zyrtarizimin e politikës së saj për ndërhyrje dhe zgjidhje të detyrueshme deri edhe me ndryshimin e kufijve e coptimin e mëtejshëm të teritoreve të shqiptarëve. Kjo politikë është e rrezikshme jo vetëm për të ardhmen e shtetit të Kosovës, por në radhë të parë për interesat gjeopolitike të partnerëve tanë strategjikë që u përkushtuan për Luftën e Kosovës dhe mbështetën menjëherë krijimin e shtetit të ri.

Asociacioni mbi bazë një etnike serbe, është përpjekje për instalimin e modelit të keq të Republikës Srbska, në Bosnje e Hercegovinë, që ka paralizuar atë shtet dhe përbën rrezik për gjithë rajonin. Meritojnë vëmëndje kërkesat për respektimin e marrëveshjeve ndërshtetërore të nënshkruara me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këto kërkesa japin efektivitetin e tyre maksimal dhe bëhen bazë e mirë për bashkëpunim dhe arritjen e marrëveshjes përfundimtare kur ju drejtohen njëkohësisht të dy shteteve. Faktikisht marrëveshjet nuk zbatohen për shkak se Serbia nuk e njeh Kosovën, ka imponuar vullnetin e saj politik që të mos shkruhet në këto marrëveshje shteti dhe simbolet shtetërore të Kosovës etj. Ka vend të vemë në dukje se me qëllime të njëanshme politike janë anashkaluar apo imponuar zgjidhje të detyrueshme për Kosovën. Brenda dy vjetëve u ndërruan katër kryeministra dhe u bënë dy herë zgjedhje të parakohshme. U hoq taksa 100 për qind për mallrat serbe, megjithëse Serbia nuk ka vepruar akoma për të ndryshuar rregullat e saj për mallrat nga Kosova. Kushtetuta dhe gjithë ligjet e aktet nënligjore të Kosovës ju kanë njohur, garantuar dhe bërë realitet të përditshëm serbëve, megjithëse në pakicë, standartet më të larta të njohura në praktikën ndërkombëtare.

Pretendimi i Serbisë për pranimin me çdo kusht të asociacionit një etnik serb nuk bazohet në realitetin politik dhe jetën e përditshme të serbëve, pakicave të tjera dhe shumicës së popullsisë shqiptare. Problem që meriton vëmendje është edhe historiku i marrëveshjes së fshehtë në Bruksel për asociacionin serb. Frederika Mogerini, ish Përfaqësuesja e Lartë e Politikës së Jashtme të BE-së, arriti të imponojë Qeverinë e Kosovës, të kryesuar nga Isa Mustafa, kur president ishte Hashim Thaçi, dhe t’i bindi të dy këta që të pranojnë marrëveshjen për asociacionin pa kompetenca të pushtetit vendor. Marrëveshja u nënshkruar duke anashkaluar Kuvendin e Kosovës. Serbia, jo vetëm mori atë që donte, por shtoi kërkesat. Kërkoi e kërkon që asociacioni të ligjërohet me kompetenca të pushtetit vendor. Saktësisht, nga ana juridike, krijohen bazat ligjore për të kantonizuar teritorin e shtetin dhe ndarjen e Kosovës. Serbia pretendon se i ka plotësuar të gjitha standartet e kërkuara nga Bashkimi Evropian dhe pret anëtarësimin. Nuk është plotësuar dhe nuk ka dëshirë për kapitullin 35 të kushteve, që kërkohen të përmbushen para hapjes së bisedimeve.Mesha serbe, ditën e diel, në 13 qershor, në qendër të Prishtinës, në kishën e ndërtuar në kundërshtim me rregullat ligjore dhe pa miratimin e institucioneve kompetente të Kosovës, është provokim i hapur për shtetin dhe popullin shqiptar për të dëshmuar vazhdimin e politikës shoviniste me mosnjohjen e pavarësisë e sovranitetit. Provokim shtetëror është urdhëri pompoz i Presidentit Vuçiç për të vënë në gatishmëri Forcat e Armatosura të Serbisë, i dhënë në orët e para të mëngjezit, të datës 15 qershor, në momentet që pritej të fillonte takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Qëndrimet e publikuara në media evidentojnë detyrat më kryesore: së pari, interesimin për vazhdimin e dialogut dhe finalizimi i marrëveshjes përfundimtare me njohjen e Kosovës nga Serbia. Njohja reciproke përbën thelbin e zgjidhjes politike të domosdoshme për të dy vendet, paqen e sigurinë në rajon. Së dyti, mënjanimin e qëndrimeve diametralisht të kundërta midis Prishtinës dhe Beogradit për të cilat kërkohet reflektim ndaj të kaluarës e të tashmes dhe hapjen e perspektivës për të ardhmen evropiane të dy vendeve. Së treti, ndihma ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe zgjidhjen përfundimtare kërkon dëshirën e sinqertë të Serbisë e të Kosovës: mirëkuptim dhe zgjidhje jo të njëanshme.