KQZ, Lleshi: Fletët e votimit nuk do të digjen, por do të riciklohen

459
Sigal

TIRANE– Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është mbledhur ditën e sotme për të vendosur lidhur me mënyrën e asgjësimit të fletëve të votimit të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit 2013. Kryetarja Lefterie Lleshi tha se fletët e votimit nuk do të digjen siç është vepruar herët e kaluara, por do të riciklohen. Në mbledhjen e sotme, katër anëtarët e KQZ do të votojnë për asgjësimin e fletët e votimit dhe të materialeve të tjera zgjedhore të përdorura në zgjedhjet e përgjithshme. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sot, ditën e Hënë, më datë 01.09.2014, ora 12:00, zhvillon mbledhjen me këtë rend dite: Projekt-vendim: “Për një ndryshim në Vendimin nr.8, datë 10.02.2014, “Për miratimin e mënyrës së asgjësimit të fletëve të votimit dhe shpenzimeve buxhetore për hapjen e kutive të votimit dhe kutive të materialeve zgjedhore të përdorura në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, të datës 23.06.2013.
Projekt-vendim: “Hapjen e kutive të votimit dhe kutive të materialeve zgjedhore të përdorura për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 23.06.2013”, thuhet në njoftimin e KQZ-së. 
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në datën 10 shkurt të vitit 2014 vendosi që fletët e votimit që u përdorën për zgjedhjet e vitit 2013 të riciklohen. Pas këtij vendimi të marrë në muajin shkurt, institucionit hapi tenderin dhe nesër do të mblidhet për të vendosur asgjësimin e tyre përfundimtarë. Për zgjedhjet e 23 qershorit institucioni bleu rreth 4 milion fletë votimit të cilat tani më do të shkojnë për riciklim. Por për këtë më parë institucioni duhet të marrë vendimin për hapjen e kutive të votimit nga të cilat do të dalin edhe fletët e përdorura përgjatë zgjedhjeve të vitit që shkoi ku e majta fitoi ndaj të djathtës dhe solli në qeveri Edi Ramën. Kjo është hera e parë që fletët e votimit në Shqipëri shkojnë për riciklim. Të ardhura që do të vijnë nga ky proces do të shkojnë për institucionin i cili duhet të fillojë përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore të vitit 2015. Hapja e kutive të votimit të zgjedhjeve të vitit 2013 u bë në mënyrë të pjesshme rreth një vit më parë ku institucioni vendosi rinumërimin e votave për qarkun e Lezhës dhe të Shkodrës të cilat u hodhën poshtë më pas nga Kolegji Zgjedhor në Gjykatën e Apelit.