5 milionë lekë një regjistrim prone në Hipotekën e Elbasanit

603
Sigal

Skandal në Hipotekën e Elbasanit: Sekserët, “shteti dhe ligji jemi ne”

Korrupsioni në zyrat e shtetit nuk ndalet dhe kjo duket në institucionet e shërbimit ndaj qytetarëve. Më e prekshme kjo epidemi që ka prekur gjithë strukturat e shtetit, mbetet në ZRPP, ku qytetari duhet të mendojë njëqind herë, pastaj të vendosë të niset për ta mbaruar hallin e tij atje. Hipoteka e Elbasanit ka qenë dhe mbetet vatër e zjarrtë e korrupsionit, dhe kjo nis nga dera e jashtme e institucionit dhe mbaron tek zyra e drejtorit, ku sekserët të tregojnë në detaje se çfarë dhe si duhet të veprosh ti për të mbaruar punë, për të zgjidhur hallin tënd, pra për të regjistruar  pronën e ligjshme. Prej disa vitesh shtetasi M.K. po vuan në zyrat e ZRPP Elbasan ashtu si edhe qindra e qindra të tjerë, ku çdo ditë me dosjet e pronave shkon në zyrën e regjistrimit të pronave, dhe kthehet prej andej duke shfryrë e duke sharë, duke denoncuar dhe duke akuzuar për sorrollatje, mungesë respekti dhe fyerje ku, padyshim, më flagrante mbetet ajo që i propozojnë sekserët, “pagesën e gjobës, ndryshe harroje se mbaron punë”. Por, ashtu si M.K., ka me qindra qytetarë të tjerë që në çdo rast marrin oferta nga sekserët apo edhe nga vetë zyrtarët e ZRPP, për të dhënë 5 milion lekë, ndryshe prona jote nuk regjistrohet deri në fund të mandatit qeverisës. Korrupsioni ka qenë dhe mbetet plaga më e rëndë e shoqërisë shqiptare e cila ka mbi 24 vjet që është ngritur në sistem. Pra, ekziston një varësi vertikale e cila nis nga dikasteret qendrore, nga ministritë, drejtoritë qendrore e zbret deri në drejtoritë e rretheve. Regjistrimi i pronave mbetet problematika kryesore edhe e qytetarëve në Elbasan dhe, duke qenë qarku më i madh me 5 rrethe, komuna e bashki të shumta, patjetër që edhe sistemi i korrupsionit mbetet më imunitar dhe i pathyeshëm. Vlerat e gjobave nën dorë, ose mitmarrja për një regjistrim prone në ZRPP, ka nisur qysh para 20 vitesh, dhe sot vlera e parave që qytetari detyrohet të japë është dhjetëfishuar. Madje, nuk parapëlqehet leku, por euro, dhe kjo e marrë cash, dhe jo në rrugë bankare apo  forma të tjera. Qytetarët e Elbasanit ndjehen të tmerruar dhe të vetmuar në betejën e tyre me  drejtorinë lokale të sistemit të korrupsionit në ZRPP, i cili është bërë i pakalueshëm në rast se nuk jep para. Nuk vlejnë as kontributet politike, as miqësitë me deputetë e ministra, nuk vlejnë as votat që ti ke dhënë në zgjedhjet e 23 Qershorit, por vlejnë vetëm milionat me të cilat ti mund të mbarosh punë jo brenda ditës, por pas 2-3 javësh. Kjo, pasi ata që nuk i binden “sistemit”, nuk  kanë mbaruar dhe nuk mbarojnë punë kurrë. Dhjetëra familje elbasanase me troje dhe prona të shumta në qytet dhe rrethina kanë mbi dy dekada që rropaten, por pavarësisht kësaj torture, ata  shpresonin se “Rilindja” do t’u gjendej pranë, do të sillte ndryshimin e madh. Por sipas disa prej tyre “gjithçka ishte e gënjeshtërt, pasi prej një viti nuk ka ndryshuar asgjë, kemi mbetur pas dere, kemi mbetur me dosje në duar, kemi mbetur në dorën e sekserëve që pasi ikën një palë, erdhën një palë të tjerë”. Tashmë nuk flitet për pagesa të vogla, 200-300 apo edhe 500 euro, por për 5 milionë lekë të thata për të regjistruar pronën dhe pasurinë tënde. Në rast se ke mbi dy të tilla, padyshim se vlera dyfishohet. Tentativës së qytetarëve elbasanas për t’i paralajmëruar apo denoncuar të korruptuarit, duket se sekserët e tyre i përgjigjen me gojën plot se “shteti jemi ne, ligji jemi ne”, duke mbyllur rrethin dhe duke ngushtuar lakun për xhepat e hallexhinjve. Prokuroria e Elbasanit ka me qindra e mijëra denoncime për ZRPP e këtij qarku, por deri sot asnjë dosje penale nuk ka nisur të mbushet me prova e akuza, dhe asnjë dosje e tillë nuk ka vajtur në Gjykatë. Ndërkohë 4 prej gjyqtarëve në këtë qytet janë nën akuzë prej vitit 2010, për bashkëpunim me regjistruesit e pronave, korrupsion dhe shpërdorim detyre. Rrjeti që ka vite që mbështjell sistemin e korrupsionit te prona në Elbasan, ka shtrirje në organet e drejtësisë, por  edhe tek noterë e avokatë. Reformimi administratës duhet, fillimisht,  të nisë nga institucionet e shërbimit publik, ku ZRPP e rretheve duhet t’u nënshtrohen të parat kësaj reforme. Duhen  shkëputur kavot e çelikut në Hipoteka dhe në organet e drejtësisë që mbajnë të lidhura fort rrjetën e sistemit të korrupsionit që po zhvat xhepat e shqiptarëve dhe po shkatërron shtetin nga  themelet.

Një grup ish-pronarësh, Elbasan